Motori i anijes u prish, kapedani u përpoq me të gjitha mundësitë e tij që ta rregullojë, pastaj thirri ekspertët dhe mjeshtrit më të mëdhenj të rregullimit të motorëve, që kishte në anije, mirëpo të gjitha përpjekjet përfunduan me dështim. Pas disa ditësh orvatje kapedani ishte duke diskutuar me ndihmësit e tij rreth këtij problemi, papritmas i afrohet një person dhe i thotë: “Më vjen keq për shqetësimin, por e shoh se anija është e prishur që prej 10 ditësh, nga kureshtja e pyeta njërin nga punëtorët dhe më tha se është prishur motori i anijes, dhe se ka nevojë për t’u rregulluar… a ka ende nevojë që ta rregullojë dikush?” Pa hezituar kapedani i tha po, përse pyet? Personi ia ktheu: “Me lejen e Zotit kam mundësi ta rregulloj.” Habia u shfaq në fytyrën e kapedanit për arsye se tek ai person nuk dukej asnjë shenjë që do të tregonte se është ndonjë ekspert anijesh. Kapedani e shoqëroi atë deri tek vendi i motorit dhe e la aty, ndërsa vetë u largua pak që të vështrojë se çfarë po bën. Personi nxori një çekiç të vogël dhe filloi ta qëllojë motorin me goditje të lehta në të gjitha pjesët e tij, ai i shikonte dhe i prekte të gjitha pjesët kryesore të motorit, në fund e goditi atë në një vend të caktuar dhe shtrëngoi një bulon, i cili kishte lëvizur nga vendi i tij. Për çudi motori filloi të punojë, ndërsa kapedani i befasuar i gëzuar tej mase e pyeti: “Si arrite ta rregullosh?” Personi duke buzëqeshur ia ktheu: “Aftësia”. Ai i dha kapedanit një letër në të cilën shkruante 1000 dollarë. Kapedani e mori letrën dhe kur e shikoi shifrën e pyeti: “Njëmijë dollarë kundrejt një pune dhjetë minutëshe që bëre… të lutem ma sqaro pak këtë? Personi i tha me kënaqësi: “Një dollar kundrejt goditjes që i bëra motorit, ndërsa 999 dollarë për atë se unë ia qëllova saktësisht vendit që duhej goditur në motor!!” Nga kjo mësojmë se si mjeshtëria e këtij personi i mundësoi atij që të fitojë 1000 dollarë për dhjetë minuta. Prandaj sa më shumë të të shtohet dituria dhe kjo të bëhet e qartë tek njerëzit, ata më pas do të pyesin për opinionin tënd rreth problemeve të tyre, duke pritur prej teje këshilla për t’i zgjidhur ato. Të mësuarit është një proces, i cili vazhdon gjatë gjithë jetës dhe përfundon vetëm me vdekjen tonë. Gjithmonë ka mundësi që për çdo ditë të mësojmë më tepër për të bërë një jetë më të rehatshme. Askush prej nesh nuk duhet ta humbasë rastin, nëse i jepet mundësia për të mësuar dhe për të përfituar diçka të re dhe të dobishme. Dija është forcë, varësisht prej sasisë së diturisë që mund të zotërosh a do të jesh dijetar dhe do të kesh rast kështu që të bëhesh i suksesshëm dhe i lumtur… me dituri rritet shkalla e zgjuarsisë tënde dhe mendja jote hapet për horizonte dhe mundësi të reja. Unë besoj fuqishëm se ne kemi mundësi që të mësojmë nga çdokush, prej çdo gjëje dhe në çdo kohë. Secili prej nesh që ka kryer shkollën fillore dhe atë të mesme, pasi i ka përfunduar ato ka menduar se ajo dije që ka nxënë atje është e mjaftueshme, pastaj kemi vazhduar për të mësuar në universitet dhe kemi menduar se kjo është shkalla më e lartë e diturisë që mund të arrihet. Mirëpo, në fund secili prej nesh është bindur se mësimi është proces i vazhdueshëm, i cili zgjat gjatë tërë jetës dhe se nuk përfundon sa jemi gjallë. Ne kemi përfituar nga ligjet e natyrës, se kohëzgjatja e përhershme e një gjendjeje të mjerueshme është e pamundur, shpresa është gjithmonë ekzistuese me lindjen e diellit për një të nesërme më të mirë… kemi mësuar zellin, durimin dhe angazhimin prej bletës, e cila nuk pushon së punuari, ndërsa këmbënguljen nga milingona, secili prej nesh duhet të mbajë me vete një bllok shënimesh, që t’i shkruajë idetë e reja, të cilat na bëjnë dobi kudo që të jemi. Sot në kohën tonë më shumë se në çdo kohë tjetër në të kaluarën ne zotërojmë mundësitë dhe mjetet, që të arrijmë dituri, të përparojmë dhe të shkojmë përpara… ku më kryesoret janë: ligjëratat shkencore, shkollat e natës, universitetet private, kurset e ndryshme në të gjitha lëmit. Për të zotëruar ndonjë aftësi duhet ta luftojmë unin tonë, t’i rezistojmë qejfeve e epsheve tona dhe të punojmë me seriozitet. Ti ke mundësi që t’i përkushtohesh ndonjë fushe e ta përsosësh atë dhe pastaj të bëhesh referencë dhe udhërrëfyes për të tjerët. Zotërimi i ndonjë profesioni (mjeshtërie) është një vizion, i cili përbëhet nga qëllimi, forca, mundësia dhe distanca kohore. Ky vizion nuk ka kurrfarë vlere nëse nuk trupëzohet në një plan realizues, të arsyeshëm, të qartë dhe të saktë. Duke zotëruar profesionin në mënyrë të përsosur ne arrijmë të zbulojmë rolin që duhet ta kryejmë në këtë botë. Ajo çka na jep shpresë është se pa i marrë parasysh se sa negative janë rrethanat jetësore, ambienti jo i përshtatshëm, apo trashëgimia e gjeneve është e keqe, mundësia për të përparuar dhe për t’u avancuar është e qartë. Në bazë të një sondazhi të fundit mesatarisht shumica prej nesh harxhon në një vit diku rreth 400 orë duke drejtuar makinën. Në vend që të nervozohemi dhe të na kapi paniku nga kaosi që mbretëron në trafik, ne këtë kohë mund ta shfrytëzojmë në mënyrë produktive. Secili prej nesh mund të mbajë në makinën e tij CD me ligjërata të dobishme me qëllim që të shtojmë njohuritë, apo kaseta me lexim Kurani dhe ta shfrytëzojmë këtë kohë duke i dëgjuar ato. Unë ju garantoj se nëse ndokush prej jush dëgjon 400 orë Kuran gjatë vitit, kur është duke vozitur makinën e tij me lehtësi do të mësojë përmendesh shumë kaptina të Kuranit. Më lejoni t’ju bëj një pyetje, a keni dëshirë të lexoni? Besoj se shumica prej jush do të përgjigjeshit, po, natyrisht. Mirëpo, kush prej jush blen një libër e vendos më pas në raftin e bibliotekës së tij familjare dhe nuk e shfleton më kurrë për ta lexuar?! Është bërë një studim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është raportuar rezultati se adoleshentët i kalojnë diku rreth 39 orë në javë duke shikuar televizor, derisa të rriturit për shkak të angazhimeve diku rreth 30 orë në javë. Mirëpo, a thua si qëndron puna me vendet tona ku nuk kemi kësi lloj sondazhesh, këtë le ta llogarisë secili prej jush! Kjo do të thotë se tek shumica shqetësimi kryesor është të ndjekë emisionet televizive, ku më pas ankohen dhe arsyetohen se nuk kanë kohë të mjaftueshme për të lexuar dhe nuk janë të suksesshëm në jetë. Po ta shfrytëzoje këtë kohë për të përsosur ndonjë zanat, mjeshtri apo art, do të ekzistonte mundësia që shumë shpejt të bëhesh i suksesshëm, i lumtur dhe i pasur. Për arsye se kudo që të punosh padroni nuk të paguan kundrejt kohës tënde, por ta paguan vlerën e kohës tënde, për këtë shkak te disa rroga e tyre arrin shumën gjashtë shifrore, por ka edhe të atillë që paguhen me një rrogë njëshifrore. Shumica e njerëzve harxhojnë shumë para për ushqim, për pije dhe për lukse të tjera, si për cigare, makina të shtrenjta dhe rroba ekstravagante, e nuk shpenzojnë asgjë për mendjen e tyre. Duhet ta dimë se leximi për trurin është sikurse sporti për trupin. Leximi ndërton brenda nesh një personalitet të fortë. Unë mendoj se ai person që di të lexoj dhe nuk e bën një gjë të tillë, nuk dallon me atë që është analfabet. Këshilla ime është, mëso çdo gjë që lidhet me profesionin tënd që të bëhesh i shkëlqyer për çdo gjë që vepron. Ti duhet të paraqitesh në ligjërata, të shikosh programe arsimore, të dëgjosh kaseta me përmbajtje shkencore dhe të lexosh shumë, do ta vëresh shumë shpejt se do të të lindin ide të reja dhe do të kesh njohuri të shumta. Mëso, sa të kesh mundësi Kuran përmendsh, mëso ndonjë hadith, mëso gjuhë të huaj. Një intelektual duhet që mundësisht brenda muajit t’i lexojë pesë libra dhe t’i dëgjojë 10 ligjërata. Thotë një urtak: “Qëndrimi para dritës së fenerëve me libër të hapur përpara, duke ndenjur me njerëz të brezave që nuk i ke takuar është kënaqësi që nuk mund të krahasohet me asgjë”. Të propozoj të vendosësh para vetes një objektiv, që të bëhesh i shkëlqyer në punën që kryen. Njerëzit e suksesshëm punojnë diku nga 10 deri në 12 orë në ditë. Ndërsa ti për të mbijetuar punon më së shumti 8 orë. Bëje shprehi të zgjohesh gjysmë ore para kohe dhe shfrytëzoje këtë kohë për të shpikur mendime të reja, pastaj shënoje çdo mendim të ri dhe të dobishëm që të vjen në mend, në fund bëj një përmbledhje të këtyre ideve dhe fillo t’i praktikosh ato ide që të afrojnë me realizimin i ëndrrave të tua. Çdo ditë bëja vetës këto pyetje: “Cila është ajo punë e dobishme të cilën mund të bëj sot dhe nuk e bëj?” pastaj, “Cila është ajo vepër që po ta kryeja në një mënyrë tjetër do të kishte rezultate më të mira?” pastaj, “Sot çfarë mund të veproj diçka që do ta shtonte imanin tim dhe do ta rrisë nivelin e jetës time?”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu