Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje kërkohet që të jesh i relaksuar dhe pastaj të mendosh thellë. Ka shumë mendime, të cilat të pengojnë nga iniciativa për të ndërmarrë kontrollin e vetes në duart e tua, krijojnë dëshpërim, e dobësojnë entuziazmin, i cili të ndihmon për t’i realizuar planet e tua. Në jetë ke humbur shumë shanse për shkak të disa mendimeve të gabuara dhe të dështuara, ndërsa tani ka ardhur koha për të ndryshuar, mirëpo si ka mundësi t’i ndryshosh këto mendime nëse nuk ke njohuri rreth tyre? Në fjalorin e suksesit nuk ekzistojnë këto dy fjalë: “Nëse” dhe “por”. Fjala ‘nëse’ nënkupton shtyrjen, zvarritjen, vonesën e përtacinë, si dhe pritjen e mundësisë gjersa të të vijë dhe të trokasë në derën tënde në vend të kërkimit të saj. Ndërsa ‘por’ do të thotë shndërrimi i çdo shansi në vështirësi, problem dhe në të pamundur, e jo trajtim i çdo problemi si mundësi për të mësuar dhe përfituar. Sa herë i ke thënë vetes “nuk mundem”, “jo tani”, “ka kaluar koha”, “e pamundur”… e shumë e shumë mendime të ngjashme, që kanë ndikuar të ndalosh ose të dështosh derisa edhe ke humbur përfundimisht shansin, e sigurisht edhe shumë shanse të tjera. Botëkuptime të tilla nuk duhet të kenë vend në mendjen tënde, dhe duhet t’i flakësh ato me shpejtësi, sepse shumohen sikurse viruset, pastaj ato ta mbizotërojnë mendjen tënde dhe për pasojë ato ta degjenerojnë dhe në fund e prishin atë. Ndjenja se je bërë i moshuar Janë të shpeshta deklarimet që dëgjojmë si: “Tashmë jam i moshuar për… t’u shkolluar, më ka ikur treni…” etj. Kam takuar shumë njerëz të moshave, gjinive dhe niveleve të ndryshme shoqërore, nuk e teproj nëse them se mosha ka qenë faktori kryesor me të cilin arsyetoheshin ata, të cilët ikin nga përgjegjësia ose vonojnë procesin e ndryshimit nga e mira. Shumica prej tyre thonë: “Mosha ime nuk është e duhur për të bërë këtë…” apo “Jam i vjetër dhe jo i përshtatshëm të merrem me këtë punë…”. Nuk ka gjë që e dekurajon njeriun, e shuan entuziazmin dhe ëndrrat e tij, sesa hedhja e përgjegjësisë në një pjesë të jetës në të cilën nuk ke kurrfarë kompetence, ashtu si çështja e moshës, sepse kjo e detyron njeriun të shkojë në pension të hershëm, duke u bërë njeri i ngeshëm dhe i padobishëm, që ecën në drejtim të dëshpërimit, humbjes së lumturisë në jetë dhe ndjenjës së depresionit. Mirëpo, a ka mundësi të ndalosh shkatërrimin e vetes nga kjo metodë? Përgjigjja është po, porse lipset punë dhe jo fjalë. Nëse e vëren se je duke e përdorur këtë hile shkatërruese, të moshës, pyete veten menjëherë “përse jo”, në vend të dorëzimit para kësaj dredhie të kotë. Fillo menjëherë të mendosh për mënyrën e punës, të cilën dëshiron ta kryesh dhe ta vendosësh në pozicionin e realizimit, edhe në këtë moshë. Ti nuk je përgjegjës ndaj rezultateve, sepse suksesi është në Dorën e Allahut, mirëpo prej teje kërkohet vetëm të veprosh drejtë, me qëllim që të jesh pjesë e ajetit kuranor: “Ne nuk do ta humbim shpërblimin për atë që punon drejtë.” Nuk mundem! Po, mundesh. Atë që njerëzit si ti e kanë realizuar, me lejen e Zotit mund ta realizosh edhe ti. Dita për të gjithë zgjat 24 orë, atëherë çfarë të mungon? E tërë ajo që të mungon është ti thuash vetes: “Po, mundem”. Me këtë nuk kemi si qëllim që ta mashtrosh veten, por ta shohësh realitetin ashtu siç është dhe të bindesh se me të vërtetë ti zotëron aftësitë e duhura. I tërë synimi është se ti ke zgjedhur në të kaluarën që të mos i aktivizosh fare këto aftësi dhe kapacitete, ndërsa tani shpresoj se ke vendosur që të veprosh diçka krejt ndryshe. Kur të vendosësh, do të arrish! Ky është kuptimi i vullnetit. Një fjalë e urtë popullore thotë: “E ka pyetur e mundura të pamundurën, ku banon? Është përgjigjur: në fantazitë e iluzionistëve (të paaftëve).” E vërtetë, sepse vetëm fantazuesit e kotë janë ata që e shohin të pamundurën, ndërsa ata që zotërojnë vullnet të fortë i hulumtojnë vazhdimisht të gjitha rrugët për t’i zgjidhur problemet dhe për t’i larguar barrierat. Allahu e mëshiroftë Abas Akadin, i cili tha: “Vullneti është si shpata, atë e topitë neglizhenca, ndërsa e mprehë goditja dhe beteja.” Ai që nuk e shfrytëzon vullnetin e tij dhe i dorëzohet përtacisë e plogështisë e humb fuqinë dhe potencialin për të lëvizur. Ti mund ta klasifikosh veten me dëshirë në kolonën e dështakëve apo të suksesshmëve. Dallimi në mes atij që është i suksesshëm dhe që është i dështuar nuk ekziston te dija dhe potenciali, por te vullneti. Ai që zotëron vullnet, ka edhe potencial, edhe forcë, ndërsa ai që e humb atë deklaron: “Nuk mundem.” Përkujdesu për kopshtin tënd me maturi Mendja është si kopshti, me të cilin nuk duhet të mjaftohesh vetëm që të mbjellim farën e bimëve dhe luleve të bukura, sepse ato do të vyshken dhe treten nëse ti nuk ndërmerr edhe veprime të tjera të rëndësishme si: ujitja, heqja e barit dhe e rrënjëve të dëmshme. Pasi t’i largosh të gjitha mendimet negative që pengojnë përparimin tënd drejt objektivave të tua, do të kesh mundësi të formosh mendime pozitive, të cilat do të ndihmojnë të arrish atë që synon. Vetëm atëherë do të provosh shijen e suksesit dhe ai do të bëhet pjesë e pandashme e personalitetit tënd. Njeriu me vetëbesim dhe që ka bindje se është i suksesshëm, nuk dorëzohet pa marrë parasysh se në çfarë pengesash has, vazhdon prapë të përpiqet me ngulm derisa të arrijë qëllimin. Në anën tjetër, vërejmë se ai që sheh në veten e tij vetëm dështimin, bie shumë shpejt qysh në përpjekjen e parë, duke kapitulluar para se të mbërrijë te caku. Në shumicën e rasteve ndodh që pengesa e parë të jenë mendimet e tua negative. A ka të tjera mendime, të cilat ndikojnë që të kesh dyshim dhe pasiguri për të marrë kontrollin e iniciativës për ndryshim radikal në jetën tënde? Ka mundësi! Atëherë provo t’i njohësh këto mendime dhe të debatosh rreth tyre në mënyrë shkencore dhe racionale, e më pas shndërroi ato në mendime pozitive dhe të dobishme. Si ta bësh një gjë të tillë? Ja disa metoda: – Mos u bëj koprrac. Imagjinata është falas, mos ngurro të ëndërrosh gjëra nga më madhështore. Omer b. Abdulazizi, Allahu e mëshiroftë, një ditë i tha ministrit të tij: “Unë kam shpirt ambicioz. Kam imagjinuar të martohem me Fatimen, bijën e Abdulmelikut dhe jam martuar me të. Kam imagjinuar të bëhem emir dhe jam bërë emir i Medinës. Kam imagjinuar kalifatin dhe jam bërë kalif i tërë muslimanëve. Ndërsa tani imagjinoj xhenetin dhe shpresoj që ta arrij.” Ëndrrat janë ato që ndezin tek ty entuziazëm dhe forcë për punë, prandaj imagjino për gjëra të mëdha, ngjashëm me Omer b. Abdulazizin, i cili aspiroi xhenetin. A ka gjë më të shkëlqyer dhe më madhështore sesa xheneti? Shikoje të ardhmen tënde sikur të jetë realitet para teje: mbylli sytë për disa minuta dhe imagjino veten duke e ushtruar vërtetë të njëjtin veprim, të cilin ti shpreson ta praktikosh në të ardhmen. Imagjino sikur je duke banuar në lagjen dhe shtëpinë, të cilën aspiron të banosh, në divanin të cilin e dëshiron dhe të gjitha mobiliet, të cilat i ke ëndërruar. Imagjino veten duke e udhëhequr firmën, të cilën aspiron, duke e filluar ditën që nga mëngjesi me buzëqeshje ndaj punëtorëve, duke pranuar palë. Imagjino veten sikur je duke folur para një publiku të madh me bindje dhe vetëbesim të plotë… – Kujtoje të kaluarën: Para se ta fillosh të tashmen patjetër duhet t’i braktisësh të gjitha dhembjet e kaluara dhe mbresat e këqija. Nëse nuk ke sukses një herë, kjo nuk do të thotë se do të dështosh përherë. Nëse shikon prapa do të gjesh dështime të shumta, të cilat nuk janë përsëritur kurrë. Kur ta shikosh të kaluarën, krijo nga ajo një leksion nga i cili mëson vendet në të cilat ke gabuar, me qëllim që të mos i përsëritësh më kurrë, mirëpo assesi mos u ndal e të vajtosh për to. Edhe përkundër rëndësisë së kujtimit të gabimeve të shkuara dhe përfitimit nga përvoja, patjetër duhet t’i kesh parasysh edhe sukseset që të jesh vigjilent, se ti zotëron aftësitë e duhura për të korrur sukses edhe herëve tjera. Cilat janë ato ndryshime që duhet t’i bësh në sjelljen tënde Nëse mëson ta zhvillosh të menduarit tënd që të jetë sa më shumë që të jetë e mundur pozitiv dhe ta filtrosh atë nga mendimet negative, ke bërë hapin e parë për të ndryshuar sjelljen për tek më e mira. Psikologët thonë: “Ju keni mundësi që të fitoni një shprehi të mirë, nëse për 21 ditë me radhë mendoni, flisni dhe veproni ashtu siç ju dikton shprehia e re, të cilën ju dëshironi ta përfitoni.” Ky perceptim gradualisht shndërrohet në realitet. Ibën Kajimi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Fillimi i çdo shkence teorike dhe vepre praktike janë mendimet dhe meditimet. Ato më pas tërheqin perceptimin, perceptimi vizionin, vizioni shpie tek vullneti, ndërsa vullneti kërkon kryerjen e veprës, përsëritja e shpeshtë e veprës e krijon shprehinë.” Ndërsa në ditët e sotme psikologët thonë: “Idetë e thjeshta dalëngadalë shndërrohen në besime (dogma) dhe qëndrime në sjellje të vazhdueshme, ashtu që më pas transformohen në zakone, të cilat portretizojnë tiparet e personalitetit.” Që të bësh diçka të dobishme mirëpo të ndryshme, kësaj radhe ke disa mënyra, të cilat me lejen e Zotit do të ndihmojnë që të ndërtosh qëndrime pozitive të sjelljes: Përgatite veten për projektin e jetës Vendose planin e jetës para syve dhe mëso si të arrish tek ai. Lexo për të… fol për të…, merr pjesë në kurse dhe ligjërata që kanë të bëjnë me të, jeto me çdo gjë që ka të bëjë me këtë projekt. Nëse është projekti i jetës tënde të bëhesh udhëheqës i një firme të madhe, që merret me patundshmëri, atëherë rri me njerëzit që kanë pasur sukses në këtë veprimtari, blej libra që flasin për tregtinë me pasurinë e patundshme, merr pjesë në simpoziumet dhe seminaret, të cilat i organizojnë odat ekonomike dhe përcilli vazhdimisht lajmet dhe të rejat që kanë të bëjnë me këtë lloj biznesi. Nëse është ëndrra e jetës tënde të marrësh një diplomë në një degë të shkencës, lexo shumë për të, takohu me dijetarët dhe specialistët e asaj dege dhe pyeti për të gjitha gjërat që të interesojnë për këtë lëmi. Bëhu i përpiktë Jeta e organizuar është e domosdoshme për të menduarit kreativ. Shpikja nuk zhvillohet në një ambient në të cilin mbretëron kaosi. Nëse fjala e urtë thotë: “Mendja e shëndoshë qëndron në trup të shëndoshë”, atëherë ne shtojmë se: “Mendja e përpiktë qëndron në jetën e organizuar.” Le të jetë në gjendje të rregullt dhe të sistemuar vetura jote, shtëpia, tavolina e punës, kompjuteri… etj. Ushtroje rregullin në jetën tënde me automatizëm, sepse nuk të kushton asgjë, dhe ti do të shohësh se çdo gjë bëhet e qartë në mendjen tënde, dhe do të ndikojë që forca, entuziazmi, gjallëria të lëvizin me shpejtësi në damarët e tu. Përpikëria dhe rregulli ndihmojnë dukshëm që vizioni të të shfaqet më i kthjellët. Gjeje modelin Çfarëdo që të jetë projekti dhe ëndrra jote, sigurisht që ti nuk je i vetmi në këtë rrugë, patjetër se ekziston dikush para teje, i cili ka arritur të realizojë diçka që ngjason me projektin tënd. Përgjatë leximit dhe studimit do të njihesh me nismëtarët, zbuluesit dhe kolosët e këtij projekti. Zgjidhe njërin prej tyre, i cili është më i preferuari yt dhe bëje atë shëmbëlltyrën më të lartë, përfito prej tij dhe fillo ku ka mbaruar ai, e jo prej ku ka filluar ai. Mirëpo, përse të kufizohesh vetëm te njëri? Përse nuk i shkruan në letër tre prej tyre, të cilët i konsideron më të suksesshmit dhe më të përshtatshmit, dhe më pas të shkruash se çfarë vëren të veçantë te secili prej tyre, ngase ka mundësi që kjo të jetë pikërisht ajo që ti synon të arrish. Është shumë e mundur që edhe të ndihmojë ajo çfarë ke shkruar nga përvoja e tyre, që të ka lënë mbresa që ti pastaj t’i formulosh më lehtë synimet e tua. Filloje ditën në gjendje të mirë Zgjohu prej gjumit duke buzëqeshur. Ngrihu nga shtrati me qejf dhe me gjallëri. Jeta është e shkurtër, ka shumë gjëra që mund t’i kryesh sot. E çfarë është jeta, veçse një grumbull ditësh. Dita e cila të kalon pa realizuar asgjë të rëndësishme, konsiderohet humbje e madhe. Ymri është i kufizuar dhe jeta është e shkurtër, nuk ka vend për ata që rrinë. Medito rreth ajetit të Allahut: “Për ata nga ju që dëshirojnë të ecin përpara ose të kthehen mbrapsht.” Zgjidh për vete se: a do të jesh prej atyre që ecin para apo prej atyre që ecin mbrapa. Dije se ndalimi simbolizon mbetjen mbrapa, meqë i tërë universi rrotullohet edhe ecën përpara, ndërsa ti dëshiron të qëndrosh në vend! Vrojto pak edhe për fjalët e tjera të Krijuesit, që thotë: “Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë.” Si dhe ajetin: “Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë.” Prandaj ki parasysh se nuk ke zgjidhje tjetër përveç punës, o do të punosh mirë, o keq. Thyeje zakonin Ka mundësi që ta kesh të vështirë ta thyesh rrethin e zakoneve dhe shprehive të këqija, të cilat ta humbin kohën dhe nuk u shërbejnë asgjë synimeve të tua. Kjo nuk është diçka e pamundur, nëse me të vërtetë e ke dëshirën dhe vullnetin që ta bësh atë. Çfarëdo që dëshiron të bësh, me vullnetin e Allahut do të arrish ta realizosh. E tërë ajo çfarë kërkohet prej teje është që të praktikosh ligjin e zëvendësimit, i cili kërkon të bësh diçka të re dhe të dobishme, me qëllim që ta largosh shprehinë e keqe dhe ta zëvendësosh atë me një të mirë. Kështu që sa herë që fiton një shprehi të mirë automatikisht do ta largosh një të keqe dhe në këtë mënyrë do të arrish që të çlirohesh nga rutina jote e përditshme dhe e mjerueshme. I Dërguari i Allahut thotë: “Kije frikë Allahun kudo që të jesh, të keqen pasoje me të mirë, sillu me njerëzit me moral të mirë.” Ik prej atyre që të akuzojnë me krenari të tepërt dhe ëndrrat e tua i konsiderojnë të krisura dhe të tepruara, ngase mund të të zhvendosin nga rruga e drejtë dhe ty të kaplojë plogështia dhe kështu të dobësohen objektivat. Ki gjithmonë parasysh, se të gjitha zbulimet, të cilat i shohim sot, për to një ditë është thënë: “E pamundur, kjo është diçka që nuk arrihet.” Besoj se prej çasteve më të lumtura të jetës është çasti kur të realizosh diçka që të tjerët e konsiderojnë si diçka që është e pamundur të realizohet. Të marrim një shembull për të gjitha ato që thamë deri tani: Nëse synimi yt është që të kalosh këtë vit shkollor me sukses të shkëlqyer, mendimet e duhura që duhet t’i kesh janë këto: – Unë i zotëroj të gjitha komponentët e nevojshme për sukses. – Unë kam mundësi që të shpik strategjitë e duhura për t’i tejkaluar barrierat. – Unë e meritoj të jem i suksesshëm në mësime. Ndërsa sjelljet dhe veprimet që duhet të kesh lidhur me këto janë: – Dëgjo me vëmendje shpjegimin e profesorit dhe pyete për çështjet që nuk i kupton. – Përsëriti mësimet për çdo ditë së paku dy orë në ditë. – Në ditën e shtunë dhe të diel bëj përsëritjen e mësimeve katër orë. – Kërko mostrën e pyetjeve nga testet e kaluara dhe përfito prej tyre.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu