Njeriu që ka druajtje nuk del kurrë fitimtar. Të druajturit nuk lindin të tillë, por bëhen. Për faj të ambientit, për faj të edukimit dhe për shkaqe të tjera. Në jetë mund të takosh çdo lloj individi, por do të vëresh se ndërmjet të gjithëve i druajturi është më fatkeqi. Të druajturit nuk i bëhet e mundur të arrijë objektivin e synimeve dhe dëshirave të tij, edhe pse zotëron të gjitha dhuntitë nga Zoti. Është shumë më mirë të jesh një inteligjent i guximshëm, se sa një gjeni i druajtur. Dua të përgënjeshtroj këtu një legjendë se druajtja është trashëgimi e gjeniut, apo thënia se të gjithë gjenitë janë pak a shumë të druajtur, ndaj gjeniu i prekur nga druajtja duket më pak gjeni seç është në realitet. Të druajturit janë të prirë të mbeten mbrapa dhe inferiorë. Personi i druajtur duhet të shërohet sidomos nga fantazia dhe ta konsiderojë atë një armike, sepse ajo është aleatja më e ngushtë e druajtjes përderisa ndihmon në zmadhimin e gjërave që krijojnë tronditje të thella. Nuk duhet të jesh i druajtur nga frika se mos kryen gabime. Gabimi më i madh i të gjithëve është të heqësh dorë nga eksperienca. Rrënja e druajtjes duhet të kërkohet te mosbesimi në vetvete, sepse i druajturi është njeri tepër i ndjeshëm. Një nga format më të këqija të druajtjes është bindja e krijuar nga besimi i tepruar për rëndësinë e vetes, që bën të mendosh se të gjithë e kanë vëmendjen vazhdimisht tek ti, apo i mbajnë sytë të fiksuar mbi ty. Pra të druajturit e zmadhojnë rëndësinë e personalitetit të tyre përballë të tjerëve e kudo që kalojnë kanë përshtypjen, se të gjithë i vështrojnë, të gjithë merren me ta dhe të gjithë pëshpëritin diçka për ta. Kur i druajturi hyn diku për ndonjë arsye të vlefshme për të, ankthi i përshtypjes që do të krijohet i pengon çdo liri mendimi, fjalës të sjelljes dhe e bën të kryejë gafa duke e çuar në kulm konfuzionin e tij mendor. Imagjinata është motori i madh i druajtjes. Ajo është prodhim i dëmshëm i kujtimeve të përpjekjeve të mëparshme të dështuara e të përshtypjeve katastrofike. Ajo asgjëson individin dhe individualitetin. I druajturi është një përfytyrues që parashikon gjithçka në dëm të tij. Ai është një person që përsërit prej vitesh se është i pazoti, i ngathtë, i paaftë, dështakë… etj., dhe çdo veprim që ai ndërmerr është i bindur në rezultatin e tij negativ. Ai pra është një viktimë e imagjinatës dhe e pasivitetit të vet, sepse në prani të qenieve guximtare e vullnetfortë nuk ndjen inkurajim, por thjesht një dorëheqje që e bën të thotë: “Unë nuk do të jem kurrë kështu”. Ajo që na bën të jemi optimist është fakti se nuk ekzistojnë të druajtur të pashërueshëm. Mjafton të futet në konflikt imagjinata me vullnetin dhe konflikti do të përfundojë në favor të vullnetit. I druajturi duhet të nisi t’i luftojë fillimisht këta armiq: Fantazitë, ndjenjën e rëndësisë, mosushqyerjen, pagjumësinë dhe nervozizmin. Defekti kryesor i të druajturit është të menduarit e tepërt, ndaj ata duhet të shmangin me çdo kusht të menduarit përtej masës dhe pa qenë nevoja, kështu që do të ishte e përshtatshme, që të druajturit të merren me punë dhe angazhime fizike sa më shumë që të jetë e mundur. Druajtja vret qysh në embrion dhuntitë më të mira të njeriut, ajo nuk është dukuri natyrore, por është një çrregullim psikik, ajo është një nga dobësitë më të mëdha në jetë. Të druajturit kalojnë një ditë pas tjetrës të mbytur ne vetvete e të zhvendosur nga harmonia dhe lumturia. Fëmijët shëndet dobët kanë një prirje më të theksuar për të qenë të druajtur. Një djalosh i druajtur është një individ që nuk di të paraqitet në një sallë, nuk di të hajë në prani të të huajve dhe kryen lloje të ndryshme gafash. Druajtja më shqetësuese është ajo që vjen nga mungesa e besimit në vetvete. Ajo zakonisht e ka rrënjën e saj nga një defekt fizik, që i është vënë shumë në dukje në fëmijëri. Pjesa më e madhe e të druajturve janë të tillë nga fëmijëria, sepse kanë qenë mësuar të mos zgjidhin kurrë asgjë vetë, por gjithmonë t’i drejtohen për ndihmë një vullneti tjetër superior. Kujdesi i tepruar krijon rezultate të këqija, ashtu siç krijon rreptësia e tepruar. Një shkak tjetër që e krijon druajtjen është fakti se shumë prindër kërkojnë përsosmërinë tek fëmijët e tyre. I druajturi duke pasur imagjinatë të tepruar, gjithçka tek ai ushtron një jetë të brendshme, është një spektator e asnjëherë aktor e pikërisht për këtë anon nga fantazia. Druajtja ia mpin të gjitha aftësitë e vullnetit, prandaj ai nuk mund të ketë veprime logjike, por sjellje të rrëmbyera. I druajturi është i prirë nga gënjeshtra jo se në vetvete ka dëshirë të gënjejë, por sepse në imagjinatën e tij ai i jeton faktet siç do të kishte dashur të ishin zhvilluar ato, e jo si zhvillohen në realitet. I druajturi është një vëzhgues i madh e arsyetues i hollë, por para së gjithash ai është një i sëmurë i keq, sepse për nga natyra e tij e ka zakon t’i shtyjë gjithmonë për nesër vendimet, duke nxjerr në pah arsye të pajustifikuara, kështu që bëhet e vështirë të kuptohet thelbi se nga çfarë vuan ai. Njerëz të tillë preferojnë të udhëhiqen nga të tjerët dhe të kenë besim më tepër tek të huajt. Ata nuk janë të lumtur as në martesë! Ngase në të shumtën e rasteve lidhen me një grua që iu imponohet atyre e jo me atë që ata do të kishin zgjedhur lirisht. Atyre iu duken tepër të vështira fjalët që shprehin ndjenjat dhe emocionet e tyre. Është diçka e rrallë të gjendet një individ i druajtur, që të mos jetë keqdashës e i hidhur me të tjerët e të mos vuaj përballë sukseseve të tyre, ndaj edhe vuan, urren duke qenë mohues. Si rezultat i këtyre gjërave ai mbetet në jetë një person i izoluar dhe i pashoqërueshëm. Kur njeriu ka kurajën të bëjë diçka do t’i gjejë edhe mjetet për ta kryer atë punë. Një prej hapave të rëndësishëm drejt eliminimit të druajtjes është t’i mbani sytë hapur dhe qepallat e palëvizshme. Përpiquni që përballë çdo individi të jeni i natyrshëm. Edukimi i të folurit do të mund të mjaftonte për ta mposhtur druajtjen. Një njeri që di të flasë nuk mund të qëndrojë gjatë i druajtur, sepse epërsia e tij gojore do të siguronte interesim për të dhe ai duke e parë që të tjerët e dëgjojnë dhe interesohen për të do të bëhet i guximshëm. Për të folur bukur duhet të plotësosh tri kushte: a) Të dish, të kesh me bollëk ide, kulturë të ndryshme letrare që të lehtësojë ndërtimin e fjalive dhe zgjedhjen e fjalëve. b) impostim të zërit dhe c) Qartësi në artikulim. Mësohuni vetë, lexoni me zë të lartë, drejtojuni një personi të imagjinuar. Druajtja nuk është në fund të fundit vetëm se një gjendje psikike. Sa herë që i druajturi ndjehet i turbulluar duhet të marrë frymë thellë dy a tri herë. Meqë personi në fjalë është një sajues i vetmuar, ai ka zili, urren dhe vuan duke qenë mohues. Kushti i domosdoshëm për atë që dëshiron të kalojë kundërshtarin në merita e në vlerë është të mos gënjejë vetveten, sepse të druajturit shumë shpesh gabojnë duke rënë në vetëmburrje të heshtur. Mos harroni se nuk është ndonjë defekt i trupit ai që duhet t’ju bëjë të skuqeni, por ato të shpirtit (mëkatet dhe gjynahet). Nëse një zemër është e mbushur me iman, e bukur dhe e shëndetshme, sado fatkeqe të jetë fytyra dhe ana fizike, kjo bukuri e brendshme do të lërë gjurmë të pashlyera dhe ndikim të paharruar. Një këshillë tjetër, mësohuni t’i shikoni të gjithë në fytyrë, më sy të qetë e të kthjellët, të ftohtë e të vendosur. Nëse skuqeni dhe dikush ua vë në dukje, përgjigjuni se nuk e çani kokën fare. Keni për ta parë se herën tjetër nuk do të skuqeni. Është shumë e udhës që të mësoheni të ballafaqoheni me ata persona dhe ato gjëra që ju bëjnë më shumë të druajtur dhe ju vënë në siklet. Përpiquni gjatë ditës të ecni sa më shumë, evitoni përdorimin e mjeteve të transportit. Evitoni njëkohësisht zemërimin, fjalosjet dhe debatet e kota. Në momentin e krizave të druajtjes zemra ngatërrohet, idetë lëvizin shumë shpejt, ndërsa trupi paralizohet. Njeriu i patrembur ndodh që të gabojë ndonjëherë, ndërsa ai që ka frikë gabon vazhdimisht. Njeriu nuk duhet të izolohet në vetvete, duhet që të rrojë në kontakt me të tjerët, në shkëmbim të vazhdueshëm të mendimeve, e vetëm në këtë mënyrë do të arrijë realisht të njohë vetveten. Vetmia dhe izolimi është një nga shkaqet e druajtjes. Nuk duhet të jesh i druajtur nga frika se mos bën gabime, ngase gabimi më i madh është të privohesh dhe të heqësh dorë nga përvoja. Prandaj kontakti me botën është forma më e mirë për t’i shëruar të druajturit. I druajturi ka frikë se nuk do ta përkrahin atë që ai thotë gjatë bisedës. Është i vërtetë fakti, se të gjithë ata që dëshirojnë të flasin provojnë shqetësim kur janë gati për të hapur gojën. Ekzistojnë edhe oratorë të lindur që nuk mund të flasin. I druajturi është gjithmonë një individ me fantazi dhe imagjinatë shumë të shfrenuar, ndaj duhet të përpiqet që të shërohet duke e detyruar trurin të pushojë sa më shumë që të jetë e mundur. Duhet ta largojë të menduarit negativ, ndërsa për këtë kërkohet vullnet i plotë dhe vetëdisiplinë. Në mbrëmje para se të flini do të vëreni se sa shpejt një mori me ide do t’ju sulmojnë trurin. Bëhet fjalë për të gjithë episodet e ditës që do t’i rijetoni, si mbi një ekran kinemaje. Këmbëngulni që t’i eliminoni një nga një këto ide dhe keni për të parë se çfarë pushimi dhe qetësie do të përjetojë truri dhe shpirti juaj. Mos lini pas dore gjumin! Pa gjumë nuk mund të jeni padronët e energjisë tuaj, e truri humbet fuqinë e tij. Dy minuta relaks për trurin është i barabartë me dy orë pushim për trupin. Mos u përqendroni kurrë në mendime në mëngjes, kur sapo jeni zgjuar, sepse truri nuk është zgjuar sa duhet në atë moment. Pikë e dobët tek i druajturi është opinioni i tjetrit. Mësohuni ta thoni mendimin tuaj me qartësi dhe shkurt, të jeni padron i emocioneve tua, të keni iniciativë, qetësi, vullnet e besim në veten tuaj. Merruni vetëm me realitetin e do të pushoni të jeni të ndjeshëm ndaj fantazive. Hyni në mbledhje ku ka shumë njerëz, mundohuni të mbani kokën drejt dhe të bëni gjeste normale dhe të vendosura. Nëse një herë jeni goditur nga kriza e belbëzimit, kur të ktheheni në shtëpi përsëritini frazat në të cilat keni ngecur para pasqyrës, derisa të arrini zotërimin e përsosur të tyre. Pasqyra është një mjet i dobishëm, sepse e detyron të okupojë shikimin, duke frenuar kështu imagjinatën. Edhe leximi me zë të lartë në pozicion të shtrirë është i këshillueshëm për të mposhtur belbëzimin. Përpiquni gjithmonë të flisni me zë të lartë, ngase të druajturit pëshpëritin. I druajturi duhet t’ia imponojë vetes mendimin, se të tjerët janë indiferentë dhe nuk merren fare me të, duke e detyruar veten të jetë në gjendje që t’i përballojë shikimet e të tjerëve. Të druajturve u mungon sensi i realitetit dhe ata nuk i shikojnë gjërat siç janë, por siç kanë frikë që të jenë, rrojnë me shqetësime, janë të shkatërruar nga emocionet dhe janë skllevër të imagjinatës së tyre patetike. Megjithatë inteligjenca e tyre është e hollë, por ata janë viktima të ndjeshmërisë së tyre të lartë. Mos harroni se jeni një njeri e asgjë më shumë, mos e merrni veten si model i asaj që do të donit të ishit, një krijesë ideale dhe absurde që të zotërojë në vetvete të gjitha dhuntitë e mundshme fizike dhe morale. Kompozoni një model për veten sipas mundësive tuaja dhe do të shihni, se për çdo ditë do të vini duke u kompletuar. Nuk ekziston ndonjë temperament i veçantë për të druajturit, sepse ata i përkasin të gjitha temperamenteve dhe të gjitha karaktereve. Edukimi i nënës është më i prirë për të formuar fëmijë të druajtur, ndërsa ndikimi atëror ngjall më shumë besim dhe nxit iniciativën dhe guximin. Prandaj është më mirë që fëmijët të mos jenë gjithmonë të përkëdhelur e sidomos nga nënat. Nuk duhet harruar se edhe martesat e vonuara janë shkak i druajtjes shumë më tepër sesa mendohet për fëmijët e tyre. Nga e gjithë kjo mund të nxirret përfundimi, se druajtja pothuaj nuk ekziston. Ajo ekziston vetëm pse dëshirohet të lihet të ekzistojë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu