Mund të kesh entuziazëm, energji, njohuri dhe potencial të nevojshëm intelektual për të pasur sukses… mirëpo, nëse nuk i vendos në dispozicion të veprimit dhe të zbatimit, atëherë të gjitha këto mundësi dhe aftësi do të jenë të pavlera. Prandaj, lidhur me këtë deklarojmë se: “Nëse njohuritë nuk vihen në veprim, atëherë ato mund të të çojnë në dështim dhe zhgënjim.” A njeh ndonjë person për të cilin mendon se e di saktësisht se çfarë duhet të veprojë, që ta ndryshojë jetën dhe po ashtu e di se kur duhet të veprojë, mirëpo nuk ndërmerr asgjë…? A ke hasur në ndonjë individ që ka arritur shkallët më të larta të shkollimit dhe zotëron çdo gjë që do t’i duhej për të bërë një jetë më të mirë, mirëpo qëndron duarkryq duke mos bërë asgjë? Në të kundërtën, a të ka rastisur të takosh ndonjë njeri, i cili ka nivel mesatar shkollimi, bile nganjëherë edhe pa asnjë diplomë, por shumë i suksesshëm në jetë?…. Dallimi ekziston tek një fjalë e vetme “Veprimi”. Fatkeqësia më e madhe e njeriut është dituria e shumtë dhe mosvënia e saj në praktikë. Njeriu i ngritur është ai që flet pak e vepron shumë. Urtësi është të dish se çfarë duhet bërë, mjeshtri është të dish se si duhet bërë, ndërsa sukses është të veprosh. Universiteti Jeil në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë një studim dhe ka dalë me këto rezultate: neve na mbeten në kujtesë nga gjërat që i dëgjojmë vetëm 10%, ato që i kemi parë 25%, ndërsa gjërat që i kemi vepruar 90%. Nëse dikush pyet si të bëhem i suksesshëm? Atij i themi: “Nëse je i bindur në saktësinë e planeve të tua, të cilat i ke në mendje dhe nxiton për t’i realizuar ato, me lejen e Zotit Fuqiplotë, do të arrish sukses të paimagjinuar më parë.” Që njeriu të shpresojë dhe të imagjinojë është diçka pozitive për të, por nëse ai fantazon, ai patjetër duhet të fillojë që të veprojë për ta realizuar atë fantazi, ngase shpresa dhe dija janë gjëra të mira, mirëpo si të tilla janë të pamjaftueshme. Për fat të keq shumica e njerëzve bëjnë një jetë larg potencialeve dhe mundësive të tyre reale, si: kryerja e punëve, të cilat nuk i duan dhe nuk ndjejnë kurrfarë kënaqësie, lidhjet me njerëz, të cilët u sjellin vetëm stres, kështu që në vend që të përpiqen të gjejnë zgjidhje për problemet e tyre ata gjithmonë i gjejmë duke u ankuar. Ekzistojnë vetëm dy shkaqe që i pengojnë njerëzit që aftësitë e tyre t’i vënë në veprim e ato janë: “Frika dhe zvarritja.” Frika është armiku kryesor i njeriut dhe barriera e parë që hasin njerëzit në realizimin e synimeve të tyre. Ekzistojnë katër lloje të frikës: – Frika nga dështimi Personi që ka pasur përvoja të dështuara, ka shumë të ngjarë që në të ardhmen të ngurrojë që të provojë prapë dhe kjo i vjen pikërisht nga frika për mossukses. Ka mundësi që ky person qysh në moshë të re ta ketë programuar veten në atë formë që në të ardhmen të mos bëj asnjë aventurë dhe hap tjetër, meqë gjatë tërë jetës së tij ai ka parë babanë duke kryer për çdo ditë të njëjtën veprimtari, e ai e ka këshilluar që ta marrë atë si model, në mënyrë që të mos i ekspozohet asnjëherë dështimit. – Frika nga refuzimi Njerëzit ngurrojnë që të bëjnë ndryshime në jetën e tyre nga frika se mos po i refuzojnë të tjerët. – Frika nga e panjohura Frika prej gjërave të panjohura shpesh na pengon që të ndërmarrim çfarëdo veprimi. – Frika nga suksesi Mbase njerëzit çuditen se si ka mundësi, që dikush të ketë frikë nga arritja e suksesit, por të jesh i bindur se ka shumë të atillë, që besojnë se parimi i suksesit është dhimbje, mashtrim, vetmi, xhelozi, dallavere… etj. Personi që frikësohet prej suksesit nuk ka besim në vetvete dhe është njeri pa sedër. Ka të atillë që nuk mund ta paramendojnë veten të pasur, e nëse u ndodh që të përfitojnë më tepër se zakonisht, shpejtojnë t’i harxhojnë ato menjëherë. Prandaj frika prej suksesit ka mundësi që t’i pengojë njerëzit t’i realizojnë aspiratat e tyre. Zvarritja. Shumica prej nesh detyrimet që duhen kryer sot i shtyjnë për nesër, për javën e ardhshme e kështu me radhë. Nëse ke ndonjë synim për të cilin shpreson ta realizosh, ndërsa në të njëjtën kohë ndjen se diçka është duke të penguar për ta filluar veprimin, kërkoje shkakun real të tërë kësaj dhe pyete veten: – Çfarë është ajo që është duke më penguar për të filluar punën? – Cila është gjëja më e keqe që ka mundësi të më ndodhë, nëse unë me të vërtetë veproj? – Cila është gjëja më e mirë që mund të më ndodhë, nëse unë filloj së vepruari? Mundohu t’i kujtosh rastet në të cilat je ballafaquar me vështirësi gjatë jetës tënde dhe ke pasur mundësi t’i tejkalosh ato. Dijeni se në jetë nuk ka dështime, por vetëm përvoja. Njerëzit që kanë pësuar dështime më të mëdha gjatë karrierës së tyre dhe kanë vazhduar gjer në sukses, sot njihen me emra si: shkencëtarë, zbulues, mjeshtër, shpikës, njerëz me eksperiencë të madhe etj. Mos u dëshpëro nga dështimet, sepse më shumë duhet të merakosesh për mundësitë dhe shanset që të humbasin pa u munduar që t’i provosh ato. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Nëse rrëzohesh shtatë herë, ngrihu për të tetën.” Vendimi i duhur vjen zakonisht pas një përvoje nga vendimet e gabuara. Nuk është e rëndësishme sa herë nuk ke pasur sukses në të kaluarën, apo sa herë ke dështuar, e rëndësishme është që tani të veprosh dhe të përfitosh nga humbjet, të cilat i ke pësuar në të kaluarën. E kaluara është pasuri e vlefshme, që përmban urtësi, forcë, mjeshtri dhe përvojë.

Fillo të veprosh që sot pa marrë parasysh se çfarë flasin njerëzit për ty, mos ua vej veshin fjalëve të tyre, përqendrohu vetëm në realizimin e ëndrrave të tua. Ti duhet ta akumulosh entuziazmin tënd dhe të fillosh veprimin, pasi për të arritur aty ku synon duhet të bësh plane dhe projekte, ndërsa shumica e njerëzve kanë dështuar, sepse nuk kanë pasur plane të qarta për realizimin e synimeve të tyre. Askush nuk mund të ketë sukses, nëse nuk fillon kurrë, mos e bëj çfarëdo pengese si arsye për të mos-vepruar, sepse pas furtunës vjen qetësia. Tani po ua paraqes projektin:

– Shkruaj tri synime, të cilat synon t’i arrish.

– Vendos një plan të studiuar mirë për secilin.

– Krijo në vetvete ndjenjën e shpejtësisë dhe të përgjegjësisë.

– Nis menjëherë veprimin.

– Përkujtoje veten çdo ditë, që je në gjendje t’i realizosh objektivat e tua.

– Sillu sikur me të vërtetë i ke arritur ato dhe

– Mos e krahaso veten me askënd, por krahasoje veten se si ke qenë në të kaluarën dhe çfarë mund të jesh në të ardhmen.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu