Integriteti ndërtohet duke ndërtuar këto shprehi e që janë:

  1. Bëhu proaktiv ,
  2. Fillo me fundin në mendje dhe
  3. Të rëndësishmet së pari.

Fatkeqësisht shumë prej nesh (egot tona) i konsiderojnë këto tri gjëra banale dhe jo interesante për arësyen e vetme se tingëllojnë shumë të thjeshta, por kur fillon të analizon më thellë e vërenë thellësinë e këtyre tri shprehive. Andaj le t’i analizojmë më poshtë një nga një.

Ta marrim shprehinë e parë “bëhu proaktiv”, impulsi i parë është “ahhh parollë si çdo tjetër”. Por duhet të tentohet të kuptohet deri në fund sepse paragjykimi është produkt i egove tona. Kur të fillojmë ta dëgjojmë veten, e kuptojmë se sa reaktiv jemi në realitet. Sa vështirë e kemi të mos ankohemi për kohën, për shëndetin, për fatin tonë të keq, për shefin, për vendin ku jetojmë, për qeverinë,… e kush tjetër nuk na ka faj! Dhe kjo gjuhë është gjuhë e njerëzve reaktiv. Secili prej nesh është proaktiv në diçka e reaktiv në diçka tjetër. Ne Kosovarët shumë dijmë të ankohemi për shëndetin tonë, për kohën dhe sidomos për fatin e zi. Nëse e pyetni dikend “Si je?” definitivisht nuk përgjigjet me “Shumë mirë!”. Gjithmonë do ta marrim një të “mirë” gjysmake me nënkuptimin “paj nuk jam edhe aq mirë po hajt mos t’ankohem”, ose mezi presin të tregojnë se qysh “nuk janë kurrqysh”për shkak të kësaj apo asaj,etj. Vetëm tek ne ekziston pyetja si kurtoazi “A je lodhë?” kur jemi në punë, disi e kemi harru dëshiroren “Puna e mbarë!” që të jep dëshirë për punë, për shkak se nëse themi “puna e mbarë “nuk ka hapësirë për ankim. Gjuha reaksionare na bën të pafuqishëm, pa krahë, të ndikueshëm prej çdo gjëje që na rrethon. Në këtë gjendje reaktive nuk ka kreativitet, nuk ka ndjenjë të forcës dhe në këtë modalitet “nuk ja shohim hajrin vetes” për shkak se fatin tonë ia kemi lënë në dorë rrethanave dhe nuk kemi shpresë pasi që i dorëzohemi fatit.

Proaktivitet do të thotë t’i pranosh rrethanat ashtu siç janë dhe ti shfrytëzosh ato në favorin tënd dhe të tjerëve. Njerëzve proaktiv “ua shohin hajrin të gjithë përreth” për shkak se njerëzit proaktiv krijojnë biznese, gjenerojnë punë për të tjerët, janë kontribues në komunitet me investimet e tyre, kontribues në shtetformim duke paguar tatimet, etj. Njeriu proaktiv është ai/ajo që duket se nuk lodhet kurrë dhe që nuk ankohet për shëndetin e vet. Nëse ka probleme e zgjidhë problemin dhe vazhdon me jetën. Problemet i kupton si pjesë të jetës e jo si fund të botës, jo si pengesa të pakapërcyeshme dhe nuk ngrinë nga situatat dukshmërisht të pakapërcyeshme. E dijnë që në këtë botë e kemi vetëm një shansë dhe se koha nuk kthehet prapa prandaj, të gjitha rrethanat rreth vetes i konsideron si inpute, si potencial e jo si pengesa e mungesa.

Fillo me fundin në mendje do të thotë çdo punë e nisur duhet të dihet se në cilin drejtim po shkon. Pra, një thjeshtësim nëse fillojmë të tundim vetë duhet të dijmë se çka do të jetë rezultati i fundit: a do të jetë një ëmbëlsirë apo një omlet? Njejtë është me jetën, nëse unë filloj studimet në një fushë vetëm sa për të qenë student dhe nuk kam lidhje se çfarë dua të bëj pas kësaj, atëherë studimet e mia janë të kota se gjatë studimeve do të bëhem pishman dhe nuk do të jem në gjendje t’i kryej me sukses por do t’i shtyej me zor. Gjeneratat e stme vuajnë nga ky sindrom pasi që përqindja më e madhe studion diçka sa për ta marrë diplomën ose pse prindërit i kanë detyru të studiojnë e të përzgjedhin psh. mjekësinë ose për shkak se prindi ka qenë profesor në atë fakultet, ose pse nuk kemi pasë guxim të luftojmë për ëndrrën tonë dhe të dalim jashtë shtetit, ose thjesht pse nuk kemi pasë idenë se si ta planifikojmë jetën tonë. Kjo është shenjë e shumë gjeneratave kolektiviste ku individi nuk ka pasë një vizion për veti por ka leju që ta luhasin dallgët e krijuara nga të tjerët me shprehjen “le të del ku të del”; e ajo çka del gjithmonë është në pakënaqësinë tonë dhe kështu gjejmë arsye të ankohemi e të mos të ndërmarrim asgjë se, si mund të luftosh “fatin”? Kur personi nuk din se çka don të arrijë në jetë, zor se mund të udhëheqë në mënyrë të pavarur dhe thjesht nuk është i aftë të merr përgjegjësi. Prandaj është e rëndësishme, pasi që kurrë nuk është vonë, ta identifikojmë cakun tonë dhe që veprimet tona të shkojnë në këtë drejtim. Më e tmerrshme është kur persona të tillë i kemi në krye të kompanive apo janë në pozita kyqe e udhëheqëse. Ky lloj “lideri” nuk di të marrë vendime dhe të gjitha i lë në duar të personelit, e në anën tjetër kur nuk dalin rezultatet e pritura shfryhet në personel (në “fat” pasi që personeli është tash fati i tij/saj). Situata bëhet toksike dhe pa rrugëdalje. Problemi tjetër është kur qëllimi i vetëm pra caku final është paraja, ngase paratë nuk janë vlerë por kundërvlerë dhe këtë të gjithë e mësojmë në shkollë. Vlera në para e tregon produtivitetin njerëzor, përndryshe është vetëm një copë letër apo metali. Nëse kthehemi tek vetë e tundura, vlera e fundit e tyre mund të jetë omleti ose ëmbëlsira, dhe këto do ta kenë kundërvlerën e tyre në para por, paratë vetvetiu nuk mund të tunden dhe të kthehen në omlet apo ëmbëlsirë dhe të hahen apo jo? Njerëzit gjithë e harrojnë këtë! Nëse paratë janë qëllimi juaj final, duhet ta rishqyrtoni cakun tuaj pasi që paratë nënkuptohen, sot çdo gjë paguhet në para edhe muzika edhe aktrimi edhe piktura edhe shërbimet të cilat janë abstrakte, prandaj është e nënkuptueshme.

Të rëndësishmet së pari do të thotë të dijmë të prioritizojmë. Pra, në vend se të kalojmë 80% të ditës duke lexu trivialitete në internet apo duke analizuar të tjerët, të kryejmë punët që sjellin vlerë dhe e largojnë presionin nga ne. Duhet të dijmë se cilat janë rolet tona pra, të definojmë se kush jemi ne në realitet. Si për një kompani ashtu edhe për një individ duhet të kuptohen qartë se cili është roli ynë në bashkësinë familjare në të cilën gjendemi, në shoqërinë në të cilën jemi dhe në komunën/shtetin në të cilën jetojmë. Pasi që t’i kuptojmë të gjitha këto mirë, atëherë mund të definojmë rolet tona dhe pastaj, në bazë të rolit edhe detyrat tona, të cilat në fund na dërgojnë drejt arritjes së cakut tonë jetësor. Sa më shumë vlerë të krijojmë për familjen, komunitetin dhe shoqërinë në tërësi, më shumë do të kemi kundërvlerë (para) të kthyer. Pse? Blerësit tanë janë njerëzit e komunitetit në të cilin ne jemi pjesë e tyre prandaj, nëse duam vetëm të shesim sa për të marrë para, jeta jonë në biznes të mirëfilltë nuk do të jetë e gjatë, do të zgjasë vetëm deri sa nuk harxhohet numri i personave që i kemi mashtru. Prandaj, cilat detyra janë të rëndësishme për ne? Ato të cilat na ndihmojmë të arrijmë rezultatet tona pa kriju dëm tek të tjerët dhe ato të cilat na dërgojnë sigurtë drejt cakut tonë jetësor. Pasi që ta kemi këtë të qartë e kemi lehtë të planifikojmë në detaje. Kjo është diçka që të gjithë Kosovarët duhet ta kenë parasaysh çdo ditë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu