Një martesë të lumtur, miqtë e mirë dhe marrëdhëniet sociale, dashuria besimi i palëkundur në vetvete, suksesi në punë në shkollë, shëndeti i mirë. Janë këta disa nga përbërësit e recetës që psikologët dhe shëruesit e shpirtrave këshillojnë për të arritur lumturinë. Edhe pse shumë gjëra nuk i kemi në dorë, duhet të mbështetemi fort te të tjerat që mund t’i arrijmë më lehtë. Kështu nëse shëndetin e mirë apo sukseset shpesh nuk i kemi në dorë, nuk mund të themi të njëjtën gjë për ushtrimet fizike të paktën tri herë në javë, bisedat e vazhdueshme me prindërit dhe miqtë e ngushtë, apo orët e pakta para televizorit.

Edhe pse mund të duken “përbërës” me jo shumë vlerë, psikologët mendojnë se të gjithë së bashku ndikojnë për të na përmirësuar gjendjen shpirtërore dhe për t’u ndier më të lumtur.

Por nëse këta përbërës ndikojnë tërësisht pozitivisht mbi psikikën tonë, është vërtetuar se paratë, fatkeqësitë, humbja e punës dhe rutina e përditshme janë armiqtë kryesorë të saj. Kështu receta tashmë është evidente, nuk ndodhet as te shuma e parave dhe as tek ilaçet antidepresive. Që në hartimin e Kushtetutës së parë amerikane, lumturia është një objektiv i pacenueshëm në jetën e çdokujt dhe shkencëtarët, nisur nga kjo, kanë bërë një kërkim për të parë se cilët janë përbërësit e saj realë.

Studimet tregojnë se për të arritur lumturinë duhet të zbavisni mendjen dhe trupin.

Nëse dëshironi të bëheni edhe më të lumtur ndiqni 5 rrugët e arritjes së lumturisë të publikuara në adresën e internetit How Stuff Works:

  1. Qëndroni në formë: një nga këshillat më të përhapura për arritjen e lumturisë është ruajtja e peshës normale. Duke nënvizuar lidhjen në mes lumturisë dhe ushtrimeve, specialistët theksojnë se ushtrimet ulin sasinë e kortizonit, hormonit të stresit dhe mundësojnë pompimin e endorfinës në tru. Në këtë mënyrë kur njeriu bën ushtrime fizike ndihet mire. Në një studim të realizuar kohët e fundit nga Universiteti Bristol, tregohet se ushtrimet e bëra para fillimit të orarit të punës apo në pushimin e drekës bëjnë që njerëzit të jenë më të qetë dhe të pastresuar.
  2. Bëhuni pjesë e një grupi: specialistët pohuan se personat të cilët kanë lidhje të forta me familjen apo shoqërinë si dhe marrin pjesë në aktivitete të ndryshme sociale, ndihen të lumtur. Por, edhe nëse nuk jeni shumë të shoqërueshëm, komunikimi me njerëzit e tjerë , komshinjtë etj, është shumë i vlefshëm.
  3. Qëndroni aktiv dhe pozitiv: një nga rrugët e arritjes së lumturisë është dhe aktivizimi i vazhdueshëm i mendjes. Jeni gjithnjë optimistë. Njerëzit pesimistë ndihen gjithmonë të pashpresë përballë vështirësive. Ndryshoni mënyrën e shqyrtimit të problemit në rastet kur problemet janë kalimtare dhe të zgjidhshme. Nëse e shikoni problemin me syrin e optimistit do ta zgjidhni më lehtë.
  4. Lumturohuni me gjëra të vogla: të interesohesh apo t’i kushtosh pak vëmendje çdo gjëje që na rrethon është pak e vështirë, por nëse mësoni të gëzoheni nga gjëra të vogla do ta shtoni më shumë lumturinë tuaj. Kjo mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, aq sa falenderimi. Nëse falenderoni për të gjitha gjërat që keni do të ndiheni edhe më të lumtur.
  5. Bëni gjërat që ju pëlqejnë: mendoni për aktivitetin e fundit nëpërmjet të cilit jeni ndjerë mirë e të lumtur. Kjo mund të jetë tenisi, të folurit dy orë në telefon me shokun më të ngushtë, gjiro me biçikletë ose mbjellja e luleve në kopshtin tuaj. Qëndroni të zënë me punë për të mos u mërzitur. Në këtë mënyrë, aktivizoni mendjen e trupin dhe nuk do të mërziteni. Tani, gjeni menjëherë diçka që ju pëlqen dhe bëhuni gati për aktivitet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu