Identifikimi i përforcuesve për nxënësit që motivohen me vështirësi.
Shumë nxënës punojnë për notat dhe aprovimin social dhe njedhimisht motivohen me lehtësi. Megjithatë, për disa nxënës notat apo aprovimi i mësuesit nuk është përforcues. Shpesh ne i referohemi këtyre nxënësve si të vështirë për t’u motivuar.
Megjithëse ka disa mënyra për të identifikuar se cfarë i motivon nxënësit, disa mësues nuk duan të provojnë t’i motivojnë ata. Disa mësues mendojnë se nxënësit ”duhet të duan ta bëjnë diçka, unë nuk duhet ta stimuloj atë”, edhe kur është e dukshme se nxënësit nuk duan të bëjnë atë që u kërkohet. Në vend që të përpiqen të motivojnë nxënësit, këta mësues ndëshkojnë nxënësit që nuk tregojnë motivimin e duhur për të bërë punën që u është caktuar.

Siç e diskutuam më parë, kjo mund të bëjë që nxënësit e vështirë për t’ u motivuar të bëhen akoma më problematikë në klasë dhe të zhvillojnë një qëndrim negativ ndaj shkollës. Ajo që sugjerojmë është që mësuesit te përpiqen të motivojnë nxënësit. Kjo ka më shumë gjasa të bëjë që nxënësit të bëjnë detyrat e tyre, të kenë më pak probleme ne sjellje, të kenë mendim pozitiv për veten dhe qëndrim më pozitiv ndaj të mësuarit.

Principi 1 Premakut na ndihmon për të zbuluar se si mund të motivojë nxënës specifikë. Sipas këtij principi ato sjellje të cilat indivdi i bën shpesh dhe pa asnjë imponim mund të përdoren për të përforcuar sjelljet me probabilitet të ulët. Për shembull, prindërit mund t’u thonë fëmijëve të përfundojnë detyrat e shtëpisë (sjellje me probabilitet të ulët) para se të mund të shohin TV_ (sjellje me probabilitet të lartë).

Pra, detyra e mësuesit është të zbulojë se cilin aktivitet apo cilat aktivitete janë të preferueshme për nxënësit. Kjo zakonisht arrihet nëpërmjet vëzhgimit dhe duke pyetur nxënësit. Pasi identifikohen aktivitetet që preferon nxënësi, përcaktohen ato që janë praktike për t’u përdorur dhe njëkohësisht mësuesi kontrollon përfshirjen e nxënësve në to. Me fjalë të tjera, si në shembullin e mësipërm të TV, nxënësi lejohet të kryejnë aktivitetin e dëshiruar p.sh. të shohin TV pasi ai/ ajo ka përfunduar sjelljen me probabilitet të ulët, p.sh. ka bërë detyrat, në një nivel të përcaktuar të pranueshëm.

Nëse nxënësi mund të kryej një aktivitet sa herë të dojë, atëherë aktiviteti nuk mund të përdoret për të motivuar nxënësin.

Pra, mësuesi duhet të ketë kontroll (ta lejojë ose të mos e lejojë) nxënësin të kryejë një aktivitet, nëse ky aktivitet do përdoret si motivues apo përforcues. Për ta përsëritur, nxënësi duhet të lejohet të marrë pjesë, të kryejë një aktivitet që ai e preferon shumë (sjellja me probabilitet të lartë) p.sh të luajë futboll, vetëm pasi ai/ajo të ketë kryer sjelljen me frekuencë të ulët (p.sh. të përfundojë detyrat) në mënyrë të kënaqshme.

Nganjëherë nuk është praktike apo e dëshirueshme ta lejosh nxënësin të përfshihet në një aktivitet shumë të preferuar për të (p.sh., përdorimi i kompjuterit) pas çdo rasti kur nxënësi kryen një sjellje që i kërkohet (sjellja me probabilitet të ulët) Për shembull, le tu themi që aktiviteti i preferuar për nxënësin është përdorimi i kompjuterit.

Në vend që të lejoni nxënësin të përdorë kompjuterin pas çdo here që ai/ajo kryen një sjellje me probabilitet të ulët (p.sh përfundimi i detyrave) jepini nxënësit pikë të cilat e lejojnë atë të përdorë kompjuterin për x minuta. Por kompjuteri mund të përdoret x minuta vetëm në periudha të caktuara të ditës.

Një metodë tjetër është të vëzhgosh reagimet e nxënësve ndaj lavdërimit, përkëdheljes në shpinë, dhënies së çertifikatave apo shënimeve pozitive për prindërit, dhe pasojave të tjera. Nëse nxënësi buzëqesh dhe duket se punon më tepër, kjo është provë që mund të jetë e mundur të përdorësh atë pasojë për të motivuar nxënësin të merret me sjelljen që kemi si qëllim (p.sh.: të ngrejë dorën për t’u aktivizuar në mësim, të bëjë detyrat e klasës etj).

Ose, mund të eksperimentoni vazhdimisht duke i dhënë nxënësit mundësinë të zgjedhë aktivitetin ose sendin. Aktivitetet apo sendet që nxënësi zgjedh vazhdimisht janë ato që duhen përdorur për të motivuar nxënësin.
Për të bërë që përforcuesi i përzgjedhur (p.sh lavdërimin apo dicka që hahet) të veprojë në mënyrë efektive, ndonjëherë është e dobishme të pakësosh (jo të eliminosh) përdorimin e tij për sjellje të tjera.

Gjithashtu, përpiqu të përdorësh lavdërimin, ose sasi të vogla sendeve të ngrënshme (jepni sasi të vogla që të ndihmoni përforcuesin të mos bëhet joefektiv nga ngopja e nxënësit me ushqimin), sa herë që nxënësi kryen sjelljen që ne synojmë të edukojmë te ai.

Më vonë do të diskutojmë çfarë mund të bëhet tjetër për të rritur efektivitetin e një programi motivues. Megjithatë, para se të bëjmë këtë, le të shohim shkurtimisht mënyrat për të përfshirë prindërit në mbështetjen e ndryshimit të sjelljes së nxënësit.

Ndonjëherë, për disa nxënës është e vështirë të identifikosh motivues të fort edhe pasi janë provuar metodat e përmendura më sipër. Në këto raste, merni parasysh të përfshini edhe familjen në programin motivues duke përdorur një sistem me kartë raportimi ditor. Sistemi me kartë raportimi ditor është thjesht një marrëveshje mes mësuesit dhe shtëpisë.

Mësuesi bën një vlerësim ose një shenjë në kartë ose në listë (p.sh. përdor shënime të tilla: ’ndoqi udhëzimet’, :përfundoi detyrat e dhëna”, ”sillet mire me shokët”, e kështu me radhë) që dërgohet në shtëpi. Prindërit japin shperblimin për përmirësime në sjellje. Për shembull, nxënësve të fillores mund t’u jepen letra me ngjitës dhe nxënsëve të shkollës 9-Vjeçare një shenjë në kartën e tyre sapo kalon një periudhë gjatë së cilës ata nuk kanë kryer sjellje problematike apo sjellje të tjera të parashikuara.

Numri i paracaktuar i letrave, apo shenjave, mund të shkëmbehet në shtëpi me privilegje të paracaktuara, si p.sh., fëmija lejohet të marrë një shok në shtëpi për të fjetur një natë, të shohë më shumë TV, të shkojë për të notuar, ose të ketë një vakt ushqimi të veçantë. Një tjetër shembull do të ishte që nxënësi i ciklit 9 vjeçar të shënojë inicialet e mësuesit çdo ditë që ai përfundon me sukses punën në shkollë. Ne shtëpi, privilegjet (p sh.: përdorimi i telefonit, ndjekja e TV, vizita të miqve) mund të sigurohet në bazë të raportit ,të shenjave ”të pranueshme”.

Avantazhi i një sistemi të tillë është që në shtëpi shpesh kontrollohen përforcues që shkolla nuk ka akses ose nuk mund të kontrollojë; për shembull, marrja e një shoku në shtëpi për të kaluar natën, të shkosh për peshkim, privilegjet e telefonit, kështu me radhë.

Ky bashkëpunim mund të rezultojë në një sistem më të fuqishëm motivues. Gjithashtu, është me avantazh kur shtëpia dhe shkolla punojnë sëbashku për të njëjtin qëllim

Një disavantazh i mundshëm është që jo çdo shtëpi është e gatshme të bashkëpunojë në mënyrë të qëndrueshme.

Për më teper , edhe kur prindërve / kujdestarëve u shpjegohet rëndësia e përdorimit të përforcuesve vetëm pasi sjellja është e përmirësuar, disa prindër / kujdestar mund ta ndëshkojnë rëndë nxënësin në rastet kur sjellja e tyre nuk përrnirësohet.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu