A ndodh ndonjëherë që ndryshimet e humorit t’ju kapin pa ndonjë shkak të dukshëm? Ndoshta nuk janë aq ekstreme sa luhatjet drastike të humorit në çrregullimin bipolar, por nëse ato shkaktojnë një problem të vazhdueshëm në jetën tuaj, ju mund të vuani nga ciklotimia, kushuriri më i zbutur dhe më i rrallë i bipolaritetit.

Edhe pse sipmtomat nuk janë aq shumë çrregulluese, ciklotimia mund të paralajmërojë probleme më të mëdha të cilat po afrohen. Ndaj është një ide e mirë që t’ia përmendni mjekut tuaj ndryshimet e humorit.

Ciklotimia eshtë një gjëndje kronike, e një shkallë më të ulët e cila shkakton një lloj mini-depresioni dhe mini-hipomanie.

Në mënyrë që të diagnostikohen nga ciklotimia, të rriturit duhet të kenë patur episode të ngjashme për të paktën dy vjet. Ciklotimia është shumë e rrallë te fëmijët dhe adoleshentët dhe për t’u diagnostikuar, ata duhet të kenë patur episode për të paktën një vit.

Për të kuptuar ciklotiminë, na duhet fillimisht të kuptujmë më shumë mbi çrregullimin bipolar.

Si mund të ndikojë te ju çrregullimi bipolar?

Kur ju vuani nga çrregullimi bipolar, atëherë mund të keni si periudha të depresionit ashtu edhe të manisë apo hipomanisë, të cilat zgjasin për ditë, javë apo muaj të tërë. (Episodet e hipomanisë janë më të shkurtër dhe shkaktojnë më pak probleme se mania).

Ju ndoshta i njihni disa prej simptomave të depresionit, që përfshijnë:

– Ulje të interesit për veprimtari që më parë iu falnin kënaqësi.

– Ndryshime në peshë.

– Ngadalësim të mendimit dhe të lëvizjeve.

– Këputje ose mungesë energjie.

– Ndjenja pavlefshmërie ose ndjenja të skajshme faji.

– Vështirësi në përqëndrim.

– Mendime të vazhdueshme rreth vdekjes apo vetëvrasjes.

Mania është e kundërta e depresionit dhe simptomat përfshijnë:

– Vetëvlerësim i tepruar ose ndjenja madhështie.

– Një ulje e nevojës për gjumë.

– Të folur të shpejtë ose të presuar.

– Vrapim të mendimeve.

– Rritje e veprimtarisë fizike.

– Sjellje impulsive dhe të rrezikshme.

Nëse dalloni një formë më të lehtë të këtyre simptomave te vetja juaj, atëherë mund të vuani nga ciklotimia.

Si ndikon ciklotimia te ju?

Kur vuani nga ciklotimia, mund të keni periudha të depresionit dhe periudha të hipomanisë. Megjithatë, keni më pak simptoma dhe episodet nuk janë aq të rënda dhe të zgjatura në kohë për të përmbushur kriteret për çrregullimin bipolar.

Si mund të bëjmë dallimin ndërmjet ciklotimisë dhe uljeve e ngritjeve të humorit, që përjetojmë të gjithë?

Për të bërë dallimin ndërmjet ciklotimisë dhe ulje ngritjeve të zakonshme të humorit të cilat shpesh mund t`i përjetojmë, pyetjet e mëposhtme mund të na ndihmojnë.

1. A ndikojnë ndryshimet e humorit në mënyrën se si ju funksiononi? A po shkaktojnë ndryshimet e humorit problem në punë, në shtëpi apo në fusha të tjera të jetës suaj?

2. A duket sikur këto ndryshime të humorit shfaqen papritur? A duken ndyshimet e humorit të papërshtatshme – të palidhura me situatën në jetën tuaj? A ndodh që të nxiten edhe nga çështje thuajse të parëndësishmë?

3. A janë ndryshimet e humorit jashtë kontrollit tuaj? A ndiheni ju i paaftë për të ndërmarrë hapa, të cilat do ju bënin të ndiheshit më mirë apo të mund të qetësonit veten tuaj?


Çfarë mund të bëni kur vuani nga ciklotimia?

Nëse dyshoni se vuani nga kjo gjëndje, flisni me mjekun tuaj ose më një specialist të shëndetit mendor. Të kërkuarit e ndihmës mund t’iu mundësoj që të shmangni problemet që mund t`ju shkaktojë ciklotimia në jetën tuaj.

Ndërmarrja e këtij hapi është gjithashtu i rëndësishëm sepse ciklotimia rrit rrezikun e çrregullimit bipolar. Ndaj sa më shpejt të merrni trajtim, aq më shpejt do të mund të mësoni se si t’i përballoni ndryshimet e humorit dhe të ruani shëndetin tuaj mendor.

Psikiatrit këshillojnë psikoterapinë përpara marrjes së barnave. Pavarësisht se çrregullimi bipolar kërkon marrjen e barnave stabilizues të humorit, simptomat e ciklotimë nuk janë aq të rënda sa të justifikojnë përdorimin e tyre për shkak se efektet anësore mund të jenë një problem.

Këshilla jonë është të gjeni një terapist të mire – pasi mund të sjellë një ndryshim të vërtetë në jetën tuaj. Në këtë mënyrë do mund të mësoni si të dalloni nxitësit e episodit, si të përballoni më mirë stresin dhe të zhvilloni aftësi të qëndrueshmë për të menaxhuar humorin tuaj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu