Mindfulness dhe ndikimi që ka te mendja dhe trupi ynë.

Mindfulness është një gjëndje në të cilën kushdo është i përqëndruar dhe ka ndërgjegjësi për atë që bëhet në të tashmen (Brown & Ryan 2003).

Kur jemi të vetëdijshëm, vëzhgojmë me kujdes mendimet dhe ndjenjat tona pa i gjykuar nëse janë mirë apo keq. Kjo do të thotë të jetosh në moment dhe të zgjohesh në përvojën tënde aktuale, në vënd që të banosh në të kaluarën ose të parashikosh të ardhmen.

Mindfulness na lejon të ndërpresim reagimet automatike, reagimet e ngrira apo ato reflektive të kundërsulmit- reagime që sjellin frikë, ankth dhe merak. Duke sjellë vëmëndje në përvojën tonë aktuale në këtë moment, ne mund të rrisim gjasat për të ushtruar kontroll më të ndërgjegjshëm mbi sjelljet dhe qëndrimet tona. Duke vepruar kështu mësojmë të punojmë me synimet tona, vullnetin, disiplinën dhe aftësinë për të qenë të sjellshëm me veten. Këto janë të gjitha burimet që mund të shfrytëzohen dhe kultivohen.

Mindfulness përmban 3 elementë:

Vetëdijen

Vëmëndjen (përqëndrimin)

Kujtesën

-Vetëdija nënkupton kontrollin e vazhdueshëm të ambjentit përreth (të jashtëm) dhe të botës sonë të brendshme.

– Vëmendja është aftësia për tu përqëndruar me vetëdije në atë që bëjmë pikërisht në atë moment. Vetëdija dhe vëmendja janë të lidhura bashkë ndërmjet tyre.

– Kujtesa është përpjekja për të sjellë në vëmendjen tonë vetëdijen në eksperiencën momentale.

Përse është i rëndësishëm mindfulness?

Kërkimet kanë treguar se Mindfulness ka efekt në mëndjen dhe në gjithë sistemin tonë trupor.

Një program 4 javor mbi Mindfulness vuri në funksion dhe aktivizoi vatrat e trurit që lidhen me energjinë pozitive. Njëkohësisht kërkimet treguan se sistemi trupor dhe ai nervor veprojnë ose reagojnë më mirë duke prodhuar antitrupa duke rritur imunitetin pas meditimit.

Praktikat e Mindfulness ndihmojnë në uljen e stresit dhe i japin prioritet shëndetit mendor.

Që të zhvillohet aftësia e Mindfulness dhe të ulet stresi nuk është e domosdoshme që të mësohet meditim. Ka shumë mënyra për të ushtruar Mindfulness pa humbur shumë kohë gjatë ditës, mund të ushtrohet duke ecur, duke ngarë makinën si edhe në zyrë.

E rëndësishme është të fillojmë t’I japim rëndësi dhe të përpiqemi të përqëndrojmë vëmendjen në atë që bëjmë në çdo moment.

Si të ushtrojmë mindfulness?

Për ata që duan të ushtrojnë Mindfulness sistematikisht mund t’i kushtojnë vetvetes 20 minuta nga dita duke u përqendruar në frymëmarrjen e tyre.

-Marrim frymë me hundë dhe nxjerrim frymëmarrjen me gojë, bëjmë frymëmarrje përpara me gjoksin dhe ndjejmë që mbushet me ajër. Njëkohësisht nxjerrim frymëmarrjen ngadalë nga goja, duke vëzhguar gjoksin tonë të rikthehet në pozicionin e mëparshëm. Të njëjtën gjë bëjmë duke marrë frymë me barkun.

– Bëjmë frymëmarrje të ngadalta , përqendrohemi në atë që bëjmë, nëse mendja jonë “largohet” ska gjë, e risjellim mendimin tek frymëmarrja jonë përsëri .

-Vëzhgojmë qetësinë e trupit tonë dhe të muskujve, ndjejmë si ndihet trupi ynë.

 

Rezultati:

Duke ndjekur këtë praktikë sistematikisht ndjehemi më të qetë, më pak në ankth dhe mundemi lehtë të përballojmë vështirësitë e përditshme.

Mindfulness rrit nivelin e cilësisë së jetës sonë.

Kur mbetemi tek e tashmja stresi ulet, marrëdhëniet me njerëzit përreth rregullohen dhe shtohet aftësia për të marrë vendime më të zgjuara.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu