Disa njerëz mendojnë se të kesh rolin e psikologut, duhet të kesh lexuar e përvetësuar mijëra faqe nga literatura psikologjike. Nuk është e thënë të jetë kështu, pasi ka edhe të ashtuquajtur “psikologë popullorë”, njerëz të mençur , të cilët e thonë bukur fjalën e duhur e të lehtësojnë si me “magji”.

 

Disa njerëz mendojnë se të kesh rolin e psikologut, duhet të kesh lexuar e përvetësuar mijëra faqe nga literatura psikologjike. Nuk është e thënë të jetë kështu, pasi ka edhe të ashtuquajtur “psikologë popullorë”, njerëz të mençur , të cilët e thonë bukur fjalën e duhur e të lehtësojnë si me “magji”.

Jetojmë në një kohë kur në të gjitha shtetet, pavarësisht nga niveli i zhvillimit të tyre, sistemit nervor po i kushtohet një vëmendje e veçantë. Kudo ritmet e zhvillimit përballen nga kapacitete intelektuale, e, thënë ndryshe , truri përballon një ngarkesë jashtëzakonisht të madhe. Fatkeqësisht, krahas ritmeve të zhvillimit, stresin e shtojnë vazhdimisht edhe një gamë e tërë ngarkesash negative të epokës në të cilën jetojmë. E gjithë kjo ngarkesë bën që truri ndonjëherë të devijojë nga ritmika e punës normale e të manifestojë shqetësime të ndryshme, zbutja e të cilave bëhet jo vetëm nga puna jonë e përditshme si psikologë, por edhe e çdo njeriu që përpiqet të ndihmojë një të stresuar. Zgjidhja e këtyre problemeve ka të bëjë me të ashtuquajturën ‘mirëqenie mendore” ose “shëndet mendor”.

Sot, krijimi i një sistemi modern të shëndetit mendor kërkon shumë kapitale njerëzore dhe financiare, kërkon punë të madhe si nga strukturat qeveritare, ashtu edhe nga ato shoqërore. Kërkon kosto të larta nëse nuk e vëmë më mirë në punë trurin, për të ndihmuar vetë trurin.

Trajtimi i çrregullimeve në fushën e shëndetit mendor kërkon, pa dyshim, përpjekje e kontribute nga shumë disiplina siç janë: ajo e shëndetësisë, e edukimit, e shkencave sociale, e tregtisë, e drejtësisë, si dhe struktura të tjera që veprojnë në komunitet, madje, siç thamë, edhe tek çdo individ.

Natyrisht, secili nga ne e gjen veten në këto struktura. Që kontributi i secilit të jetë sa më efikas, është e nevojshme që të ketë njohuri për llojin e çrregullimeve në fushën e shëndetit mendor.

Ç’është stresi ? A është sëmundje? A shërohet? A mund të lehtësohemi prej tij? A ka mundësi që ta eliminojmë krejtësisht atë?

Çdo njeri lind ose bëhet sadopak psikolog. Kjo është shumë e rëndësishme, pasi shumë njerëz me dije e përvojë, psikologë “amatorë”, i ndihmojnë jo pak të tjerët. Po të mos ishte kështu, s’do të mjaftonin as njëqindfishi i psikologëve kudo në botë për të ndihmuar njerëzit me probleme…

Njeriu është qenie biosociale, që do të thotë se ndikimi i anës sociale luan rol shumë të madh. Çdo njeri rrethohet nga njerëz të tjerë, të cilët ia lehtësojnë ose ia vështirësojnë atij gjendjen. Çdo njeri ka një shkallë të caktuar pambrojtshmërie ndaj stresit, ndaj duhet ndihmuar për ta kompensuar këtë mangësi.

Çdo ditë të re që lind, njeriu mendon të realizojë diçka lidhur me punët e problemet e tij, qofshin ato të thjeshta apo të komplikuara. Ndodh me cilindo nga ne që shpesh të jemi shumë të preokupuar, nëse nuk i realizojmë dot ato. Për disa nga këto probleme, realizimi i të cilave varet vetëm nga ne, kemi pak siguri se do t’i zgjidhim, për të tjerat kemi dyshime : “na zë meraku”, na prishet qetësia e brendshme, gjumi , oreksi etj. Në këtë moment ndodh që truri u jep “alarmin” organeve dhe njëkohësisht fillon edhe puna e sforcuar e tërë qenies njerëzore. Organet veprojnë në këtë rast si “ushtarët” në alarm, në rrezik, por as “komandanti” (truri) s’është i qetë.

Po ashtu, gjatë ditës kushdo mund të përballet me situata të paparashikuara, si, p.sh., : sëmuret një familjar, duhet gjetur doktori…, fëmija ka sot një provim, si do të dalë…, djali u nis dje për jashtë shtetit e nuk na telefonoi, sot jepen rezultatet e konkursit…kam fituar apo jo…si do të më presin atje ku do të shkoj, çfarë do të më thonë, çfarë do të mendojnë…, a do të jem i pëlqyer etj. etj. Një mori pyetjesh pa fund me :”Pse?” e me “Po sikur?”…e me përgjigje nga më negativet deri në joreale.

Me ngjarje të tilla ose të tjera si këto, të cilat janë aq të shumta e të llojllojshme, që na prishin qetësinë e brendshme, që na sikletosin jo pak, përballet çdo njeri. Pikërisht ky siklet i brendshëm quhet “STRES”. Sa më shumë probleme, aq më shumë edhe strese! Siç e shihni, stresi është pjesë përbërëse e jetës, ai na shoqëron e na ndjek që nga fëmijëria deri në vdekje. Ai nuk mund të zhduket kurrë! Jo vetëm kaq, por deri në një farë mase stresi është edhe i nevojshëm, pasi na mobilizon që të përgatitemi mirë për një konkurs apo provim, të gjejmë mjekim për familjarin e sëmurë etj., duke marrë masa për çdo problem që duam ta zgjidhim.

Mirëpo , mund të ndodhë që një ngjarje të jetë shumë traumatizuese, jashtë përvojës së përditshme, ose disa ngjarje të tjera megjithëse s’kanë këto përmasa, por që na gjejnë si të dobët e nuk mund t’i përballojmë lehtë… Në këto situata fillojmë të humbasim “toruan” ose kontrollin, pasi stresi i kalon kufijtë e të qenit normal. Ky nuk është lloji i stresit që na mobilizon, por një stres që na pengon t’i zgjidhim problemet . Ky lloj i stresit quhet “stresi patologjik”, në të cilin duhet të ndërhyjmë për ta lehtësuar. Besoj se i keni dëgjuar edhe fjalët mbistres, distres etj.

Kur lind ky stres, individi manifeston një sërë çregullimesh në fushën afektive, në atë somatike, e si pasojë e tyre edhe në fushën motore. Ky lloj stresi të bën të vuash, e individi ka nevojë për ndihmë, që ta kapërcejë sa më parë këtë gjendje. Këtu duhet njeriu i afërt, njeriu i ditur, specialist, psikologu e, ndoshta, edhe psikiatri, sepse ky lloj stresi “patologjik” ka përshkallëzimet e veta nga faza më e lehtë deri në manifestimet më serioze, që futen në kuadrin e sindromës së stresit posttraumatik, me tiparet e veta karakteristike. Të tilla sindrome duhet të mbikëqyren nga specialistët studiues, por e gjykojmë të dobishme që t’i informojmë të gjithë njerëzit për dukuritë e stresit të thjeshtë patologjik, si dhe mënyrën se si t’u vijmë në ndihmë atyre që vuajnë nga ky lloj stresi. Çdo njeri i ka ca njerëz që e rrethojnë, të cilët duan që ta ndihmojnë, por, ndoshta, nuk dinë se si. Shpesh pyesim: stres normal, apo jo?

Simptomat më kryesore, që jep stresi i tepruar, janë aspektet e mëposhtme:

Emocionale :

  • Frikë
  • Ankth
  • Humor depresiv.

Somatike :

  • Takikardi
  • Tension muskulor
  • Dhimbje koke, qafe ose në fund të kurrizit
  • Tharje goje
  • Dhimbje ose fryerje barku
  • Lodhje e shpejtë
  • Ndjenja të ftohti ose të nxehti
  • Frenim motor, harresë
  • Djegie stomaku.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu