Alkooli është një substancë e rrezikshme dhe njëra prej substancave psikoaktive që krijon varësi më së shumti. (Keq) përdorimi i tij afatgjatë dhe kompulsiv çon në shfaqjen e varësisë nga alkooli, përkatësisht në alkoolizëm. Kjo është njëra prej sëmundjeve më të përhapura të ditëve të sotme, e cila nuk bën diskriminim ndërmjet njerëzve dhe e cila mund të prek të gjithë – pa marrë parasysh gjininë, vitet, moshën apo grupin etnik. Alkoolizmi apo çrregullimi i konsumimit të alkoolit mund të definohet, në pika të shkurta, si përdorim jo i shëndoshë dhe obsesiv i alkoolit duke dëmtuar vetveten. Alkoolizmi, si sëmundje, pa dyshim, që reflektohet në nevojën apo dëshirën e pakontrolluar të alkoolistëve për të konsumuar sasi sa më të mëdha të pijeve alkoolike, pa marrë parasysh të gjitha konsekuencat e tij negative shëndetësore. Pikërisht për këtë arsye, për të zgjidhur dhe për të eliminuar plotësisht këtë problem kompleks, është i domosdoshëm trajtimi i alkoolistëve. 

Pavarësisht që bëhet fjalë për një lloj të substancës psikoaktive, konsumimi i alkoolit është aktivitet legal. Për më tepër, konsumimi i moderuar dhe i rrallë i pijeve alkoolike sigurisht nuk do të shkaktojë asnjë efekt të dëmshëm. Por, problemi qëndron aty që një numër i madh i njerëzve, thënë popullorçe, nuk ndalet me “një gotë”. Statistikat e tmerrshme tregojnë që miliona njerëz në tërë botën, konsumojnë pije (“të forta”) alkoolike në nivel ditor, që pashmangshëm shkakton alkoolizmin dhe probleme tjera të shumta. Për fat të keq, madje edhe alkoolizmi tek adoleshentët është bërë një dukuri e zakonshme dhe e shpeshtë.

Alkoolistët (të varurit nga alkooli, personat që luftojnë me alkoolizmin) besojnë dhe ndjejnë që nuk mund të funksionojnë normalisht pa alkool. Gjendjen e përkeqëson edhe fakti që alkoolistët nuk dinë si dhe kur të ndalojnë me konsumimin e pijeve alkoolike. Rezultat i kësaj gjendje është spektri i gjerë i problemeve që mund të ndikojnë në qëllimet personale dhe profesionale, marrëdhëniet shoqërore dhe shëndetin e përgjithshëm të alkoolistëve. Për të mos ardhur deri tek kjo, është i domosdoshëm trajtimi i alkoolistëve përmes metodave më bashkëkohore të trajtimit të sëmundjeve të varësisë.

Faktorët e rrezikut – Cilat gjëra ndikojnë në shfaqjen e alkoolizmit? 

Siç e theksuam, alkoolizmi nuk zgjedh viktimën e tij. Mund të zhvillohet shpejtë dhe me agresivitet, e mund të shfaqet edhe në një periudhë kohore të prolonguar. Gjatë disa dekadave të kaluara janë bërë hulumtime të shumta në temën e shkaqeve dhe faktorëve të rrezikut që ndikojnë në zhvillimin e varësisë nga alkooli. Duhet theksuar që nuk ekziston formulë strikte në bazë të cilës mund të përcaktohen shkaqet e saktë për shkak të cilëve dikush është bërë alkoolist.

Por, është fakt që ekzistojnë “shkrehës” të shumtë që shkaktojnë krijimin e varësisë nga alkooli. Të gjithë këta shkrehës mund t’i klasifikojmë në disa kategori.

Shkaqet e krijimit të varësisë nga alkooli

  • Faktorët biologjik. Studimet kanë treguar lidhjen e ngushtë midis krijimit të varësisë nga alkooli dhe faktorët biologjik (gjenetika dhe fiziologjia). Derisa, persona të caktuar mund të kufizojnë sasinë e alkoolit që e konsumojnë, të tjerët kanë një dëshirë të fortë që të vazhdojnë me pirjen e pijeve alkoolike. Truri, sipas pohimeve të shkencëtarëve, përmban kimikate të ndryshme që individin mund ta bëjnë më të varur për të abuzuar me alkoolin. Ekspertët thonë që alkoolizmi mund të jetë i lidhur me madje pesëdhjetenjë gjene të gjenden në regjionet e ndryshme të kromozomeve. Nëse këto gjene barten brez pas brezi, atëherë mund të vijë deri tek shfaqja e alkoolizmit në familje.
  • Faktorët mjedisor. Studime të caktuara flasin në favor të asaj që njerëzit që jetojnë në afërsi të objekteve ku shiten pijet alkoolike kanë qëndrim pozitiv ndaj alkoolit, dhe rrjedhimisht gjasa më të mëdha për konsumimin e tij. Në anën tjetër, prodhuesit e alkoolit në nivel ditor “bombardojnë” publikun me reklama të pijeve alkoolike. Në këtë mënyrë, konsumimi i pijeve alkoolike tregohet si aktivitet i pranueshëm, argëtues dhe relaksues, përmes së cilës sigurisht rritet mundësia e zhvillimit të alkoolizimit.
  • Faktorët shoqëror. Kultura, feja, familja, marrëdhëniet në punë, në martesë apo në familje sigurisht që ndikojnë në sjelljen e individit – duke përfshirë edhe mundësinë e konsumimit të pijeve alkoolike. Fëmijët, që jetojnë me prindërit që abuzojnë me alkoolin, kur të rriten, janë të ekspozuar rrezikut më të madh të krijimit të varësisë nga alkooli. Dëshira për t’u përfshirë në shoqëri, si dhe situatat e ndryshme sociale me stres (mobingu, divorci, të pushuarit nga puna…) janë vetëm disa nga faktorët e shfaqjes së alkoolizmit.
  • Faktorët psikologjik. Çdo person ballafaqohet në jetën e tij me probleme të ndryshme dhe i zgjedh ata në mënyrën e vet. Por, mënyra se si një person i përballon emocionet që këta probleme i shkaktojnë mund të jenë shkrehës për alkoolizmin. Për shembull, nëse personi është nën stres kronik apo vuan nga ankthi, depresioni apo ndonjë problem tjetër psikik, ai është më i ekspozuar ndaj abuzimit me alkoolin. Në këto dhe rrethana të ngjashme, alkooli konsumohet me shpresë që kjo gjendje psikike t[ë eliminohet, apo së paku, të zbuten simptomat e tyre.

Trajtimi i alkoolistëve – Cilat janë shenjat që tregojnë që dikush është i varur nga alkooli?

Ekzistojnë shenja dhe simptoma të shumta paralajmëruese që tregojnë se dikush është alkoolist, përkatësisht që është krijuar varësia nga alkooli. Gjithashtu, ekzistojnë edhe shenja të caktuara të hershme, identifikimi i të cilëve është esencial për trajtimin e alkoolistëve në fazën më të hershme. Këto shenja përfshijnë intoksikimin e shpeshtë dhe të qëndrueshëm (dehjet e shpeshta), apo konsumimi i alkoolit në situata potencialisht të rrezikshme, siç është vozitja.

Në anën tjetër, disa prej shenjave dhe simptomave paralajmëruese të alkoolizmit përfshijnë:

  • Pirjen e sasive të mëdha të alkoolit në një periudhë të gjatë kohore;
  • Përpjekjet e pasuksesshme që të reduktohet apo të ndalet konsumimi i alkoolit;
  • Ekzistimi i dëshirës së madhe për alkool;
  • Konsumimi i alkoolit ka për pasojë mospërmbushjen e obligimeve në punë apo në shtëpi;
  • Vazhdimi i konsumimit të alkoolit, përkundër efekteve të dëmshme dhe problemeve që shkaktohen për shkak të dehjes;
  • Heqja dorë apo zvogëlimi i pjesëmarrjes në aktivitete të caktuara shoqërore apo pushimi i marrjes me hobi, për shkak të konsumimit të alkoolit;
  • Zhvillimi i tolerancës ndaj alkoolit. Në këtë rast alkoolistit i duhet të konsumojë më tepër alkool për të përjetuar efektin e njëjtë, gjegjësisht sasia e njëjtë e kësaj substance psikoaktive nuk plotëson më “kërkesat” dhe “apetitet” e të varurit për të pirë;
  • Konsumimi i alkoolit shpesh bëhet në fshehtësi, duke u fshehur nga njerëzit tjerë;
  • Ndryshimet ekstreme të disponimit, ankthi dhe irritimi;
  • Humbja afatshkurtër e kujtesës.

Përveç shenjave psikologjike, ekzistojnë edhe shenjat fizike të alkoolizmit. Këto janë, përveç tjerash, humbja e kilogramëve, higjiena e keqe, lëkura e thatë për shkak të efekteve dehidruese të alkoolit, që shkaktojnë shfaqjen e rrudhave dhe plakjen e hershme. Simptomat fizike të alkoolizmit përfshijnë edhe plasaritjen e kapilarëve, koordinimi i dobët apo i shkëputur i lëvizjeve, të folurit e ngadalësuar, çorientimi. Alkoolisti në shumicën e rasteve njihet për nga aroma e alkoolit. Nëse për shkak të konsumimit të alkoolit vjen deri tek dëmtimi i mëlçisë, atëherë zverdhja e të bardhave të syrit dhe lëkurës është njëra prej simptomave të alkoolizmit.

Pasojat e abuzimit me alkoolin – Si sillet një alkoolist? 

Efektet e alkoolizmit kanë efekte me të vërtetë shkatërruese në gjithë organizmin. Alkooli është substancë psikoaktive, që do të thotë që mjafton vetëm në herë të konsumohet për të ndikuar në tru, përkatësisht në sistemin nervor qendror. Pasojat psikologjike të konsumimit të alkoolit përfshijnë oscilimet në disponim, teket, gjykimi i dobët, reagimet e ngadalësuara mentale, problemet me kujtesën, madje edhe mendimet vetëvrasëse.

Derisa, në anën tjetër, përdorimi kronik dhe i tepruar i alkoolit mund të çojë edhe deri tek problemet serioze psikologjike, siç janë pagjumësia, depresioni, psikozat apo çrregullimet bipolare. Nëse flasim për sjelljet e një alkoolisti, të gjitha pasojat e alkoolizmit mund t’i ndajmë në pasoja afatgjate dhe afatshkurta. Efektet afatshkurtër të alkoolizmit janë të folurit e pakuptueshme, përgjumja, diarreja, vjellja, vështirësitë në frymëmarrje, stomaku i trazuar, “vrima në kujtesë” dhe të ngjashme. Derisa në disa prej efekteve afatgjate të alkoolizmit përfshihen helmimi me alkool, rrahjet jo të rregullta të zemrës, ulcerat, dëmtimet nervore, mungesa e vitaminës B1, gastriti dhe mundësia e goditjes në tru.

Varësia nga alkooli ka edhe efektet negative në jetën dhe shëndetin e alkoolistit. Në të vërtetë, alkoolizmi mund të shkaktojë probleme të shumta kardiovaskulare (tension të lartë të gjakut, kardiomiopati, sulm në zemër, aritmi). Varësia nga alkooli reflekton negativisht edhe në mëlçi, dhe mund të shkaktojë cirozë dhe fibrozë të mëlçisë. Gjithashtu, njëra prej pasojave të alkoolizmit është edhe pankreatiti. Studimet kanë treguar që abuzimi afatgjatë dhe kronik me alkoolin është i lidhur edhe me rrezikun e shfaqjes së kancerit. Abuzimi me alkool çon në dobësim të sistemit imunitar. Duhet theksuar që, tek meshkujt, alkoolizmi shkakton mosfunksionim të ereksionit, derisa tek femrat mund të shkaktojë ndaljen e menstruacioneve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu