Koronavirusi e ka zhytur botën në paqartësi, teksa zhvillimet e vazhdueshme rreth pandemisë përcillen me lajme. E tërë kjo është duke lënë pasoja mbi shëndetin mendor të njerëzve, posaçërisht atyre që tashmë kanë probleme me ankth dhe çrregullim obsesivo-kompulsiv (OCD).

Të jesh i shqetësuar me lajmet është gjë e kuptueshme, por për shumë njerëz, një gjë e tillë vetëm sa i përkeqëson telashet ekzistuese mendore.

Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë publikoi këshillat rreth mbrojtjes së shëndetit mendor gjatë përhapjes së koronavirusit, një gjë e tillë u përshëndet nëpër rrjete sociale.

Si e sqaron Nicky Lidbetter nga “Anxiety UK”, frika e të qenit jashtë kontrollit dhe paaftësia për ta toleruar paqartësinë janë karakteristika të zakonshme të shumë çrregullimeve të lidhura me ankthin. Prandaj, është e kuptueshme që shumë individë po përballen me sfida aktualisht.

“Pjesa më e madhe e ankthit është e rrënjosur në shqetësimin rreth së panjohurës dhe ndjesisë se diçka do të ndodhë – e koronavirusi vetëm sa e shumëfishon këtë”, pajtohet Rosie Weatherley, zëdhënëse e organizatës bamirëse për shëndetin mendor, “Mind”.

Prandaj, si të mbrohet shëndeti mendor?

 

Kufizoni lajmet dhe tregoni kujdes se çfarë lexoni

Leximi i lajmeve të vazhdueshme rreth koronavirusit i ka shkaktuar ankth të madh Nickut, babait të dy fëmijëve nga Kenti, që edhe ashtu ka telashe në atë drejtim. “Kur ndiej ankth, mendimet e mia mund të dalin jashtë kontrollit dhe nis të mendoj për skenare katastrofe”, thotë ai. Nicku shqetësohet për prindërit e tij dhe të moshuarit tjerë që i njeh. Mosleximi i lajmeve për një periudhë më të gjatë kohore i ka ndihmuar atij që ta menaxhojë ankthin

 

Shkëputuni prej rrjeteve sociale

Alison (24) nga Manchester ka probleme me ankth dhe e ndjen shtytjen për t’u informuar vazhdimisht dhe për të ndërmarrë hulumtime. Por, në të njëjtën kohë, ajo është e vetëdijshme se mediet sociale mund t’ia përkeqësojnë gjendjen. “Një muaj më parë, përcillja konspiracione të kota dhe vetëm sa më mbërthente ankthi”, tregon ajo. Tani, ajo zgjedh me kujdes burimet e informimit dhe i shmanget lajmeve të lidhura me koronavirusin. Ajo në të njëjtën kohë po mundohet që të shkëputet prej medieve sociale, duke shikuar televizor apo duke lexuar libra në vend të tyre.

 

Lani duart – por jo me tepri

Organizata “OCD Action” ka bërë të ditur se po pranon gjithnjë e më shumë kërkesa për ndihmë nga njerëzit, frika e të cilëve është e fokusuar tek pandemia e koronavirusit. Për njerëzit me OCD dhe disa lloje të ankthit, ta dëgjosh vazhdimisht se duhet larë duart, vetëm sa e përkeqëson gjendjen. Për Lily Baileyn, e cila ka shkruar libër rreth telasheve të saj me OCD, frika nga kontaminimi ka qenë pjesë e theksuar e çrregullimit të saj. Ajo thotë se këshilla për larjen e duarve ua përkeqëson jashtë masës gjendjen njerëzve që vuajnë nga një problem i tillë.

 

Ruani lidhjet me njerëzit

Numri i të vetizoluarve do të rritet gjithnjë e më shumë, kështu që mbase duhet siguruar që të ruani kontaktet me njerëzit, për të cilët mërziteni.

“Ruani lidhjet me njerëzit rreth jush”

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu