Në një moment të caktuar, a nuk kemi thënë të gjithë nga një gënjeshtër të vogël për të mos lënduar njeriun e zemrës, për të ekzagjeruar ndjenjat tona mbi diçka, për të minimizuar disa të vërteta të shëmtuara mbi veten tonë, për të shpëtuar nga ndëshkimi, apo për të pasur një lloj avantazhi mbi të tjerët?

Në sondazhet e ndryshme që janë zhvilluar mbi gënjeshtrën, gati të gjithë raportojnë se kanë gënjyer në një moment të caktuar të jetës së tyre. Por nëse të gjithë mashtrojnë në një moment, atëherë pse të mos i quajmë gënjeshtarë të gjithë njerëzit?

Sa gënjeshtra duhet të thotë dikush në ditë, që të etiketohet një gënjeshtar i madh? Unë dyshoj se kjo ndodh me shumicën prej nesh, dhe nga ne pritet të themi një numër të vogël gënjeshtrash. Ne e shohim si tipike ose normale, që njerëzit të gënjejnë si pjesë e një strategjie negociatash.

Ne presim që njerëzit të thonë një ‘gënjeshtër të bardhë’, për të shmangur një ftesë sociale të padëshiruar, sesa të thonë të vërtetën, që aktiviteti ku u kërkohet të marrin pjesë, u duket në të vërtetë i mërzitshëm.

Por sa gënjeshtra janë tepër për një njeri? Studiuesit kanë konstatuar se gati të gjithëve na pëlqen ta shohim veten si të ndershëm, dhe ne në mënyrë aktive e minimizojmë pandershmërinë tonë.

Ne kemi ndoshta të gjithë një vlerësues të brendshëm të ndershmërisë, si për vërtetësinë tonë, ashtu edhe atë të të tjerëve.

Dhe kur shohim që të tjerët tregohen pak të ndershëm këtu, apo përfshihen në një sjellje jo shumë korrekte atje, kjo nuk ka duket dhe aq e çuditshme. Por në disa raste, njerëzit e kalojnë cakun. Ne shohim që gënjeshtrat e tyre shkojnë shumë përtej sferës së normalitetit.

Në raste të tilla, ne nisim t’u atashojmë atyre etiketimin “gënjeshtar”. Nëse gënjeshtrat e tyre janë tronditëse ose të dëmshme, ne madje mund t’i quajmë ata si gënjeshtarë të mëdhenj, gënjeshtarë të zakonshëm, gënjeshtarë nga halli ose gënjeshtarë patologjikë.

Gjatë 25 viteve të fundit, një numër studimesh kanë zbuluar se njerëzit tregojnë mesatarisht një numër shumë të vogël gënjeshtrash në ditë. Por kur këto të dhëna analizohen më nga afër, ne zbulojmë se shumë njerëz nuk gënjejnë aspak, ndërsa disa thonë çdo ditë gënjeshtra tronditëse. Pra del se shumica prej nesh, janë njerëz mjaft të ndershëm. Por ekziston një grusht i vogël njerëzish, që prodhon shumicën e gënjeshtrave që qarkullojnë në botën tonë.

Unë jam shumë kurioz për këta “gënjeshtarë të mëdhenj”. Ata përfitojnë nga pjesëtarët kryesisht të sinqertë të shoqërisë, duke e përdorur gënjeshtrën dhe mashtrimin për përfitime personale. Gënjeshtarët e mëdhenj në politikë, e gënjejnë popullatën që të mbështetesë politika të diskutueshme.

Gënjeshtarët e mëdhenj në fushën e biznesit, mashtrojnë investitorët naivë ose klientët e zakonshëm, duke u marrë paratë e tyre të fituara me aq mund. Gënjeshtarët e mëdhenj në vendin e punës, e përdorin gënjeshtrën për të pasur avantazhe ndaj të tjerëve, teksa fshehin të metat e tyre.

Ndërsa gënjeshtarët e mëdhenj në një marrëdhënie intime, e përdorin pandershmërinë e tyre për të përfituar nga dhembshuria, devotshmëria dhe burimet financiare të partnerëve. Gënjeshtarët e mëdhenj, janë operatorë toksikë, që me tradhtinë e tyre e njollosin botën tonë kryesisht të ndershme.

Sapo të biem dakord se sa gënjeshtra janë shumë, ne mund të nisim të studiojmë dhe t’i kuptojmë këta gënjeshtarë të mëdhenj. Në studimin tim të fundit, unë kam investiguar tiparet psikologjike të njerëzve që priren të gënjejnë shumë. Një tipar i zakonshëm, është se gënjeshtarët e mëdhenj priren ta shohin gënjeshtrën si diçka të pranueshme.

Ata e shohin mashtrimin si një gjë jo shumë imorale. Gjithashtu, ata nuk mendojnë se gënjeshtra është shumë e dëmshme për të tjerët. Gënjeshtarët e mëdhenj, kanë prirjen të jenë më pak të përgjegjshëm dhe të besueshëm. Është interesant fakti, se një nga tiparet që parashikojnë më së shumti se kush është një gënjeshtar i madh është vetëvlerësimi.

Njerëzit që gënjejnë shumë, priren të kenë një vetëvlerësim shumë më të ulët se sa njerëzit e ndershëm. Është e paqartë nëse gënjeshtrat që thonë, nxiten nga vetëvlerësimi i tyre i ulët, apo ato janë rezultat i kësaj të fundit. Por prirja e njerëzve për të thënë shumë gënjeshtra, nxitet ndërkohë edhe nga mjedisi dhe rrethanat personale.

Fëmijët që i shohin prindërit e tyre të gënjejnë shumë, priren të bëjnë të njëjtën gjë. Po ashtu, kur njerëzit vendosen në situata në të cilat sundojnë figurat autoritare dhe ndëshkuese, kanë shumë më tepër të ngjarë që të gënjejnë, pikërisht për të shmangur ndëshkimin e ashpër.

Një numër i madh gënjeshtrash,mund të shoqërohet edhe me disa çrregullime psikiatrike, por në pjesën më të madhe të rasteve, gënjeshtarët e mëdhenj janë njerëz që nuk janë diagnostikuar zyrtarisht me ndonjë sëmundje të veçantë mendore. Duket sikur këta janë njerëz shumë normalë, por që thjesht kanë një strategji të ndryshme nga të tjerët për të ecur në jetë.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu