Pandemia aktuale koronavirus (COVID-19) po prezanton një realitet të veçantë dhe të pazakontë. Kjo po arrin të prekë njerëzit si nga aspekti fizik edhe ai psikik
Përballë një konteksti të tillë, shumë njerëz do të shfaqin reagime të stresit, ankthit dhe depresionit si dhe çrregullime tjera psikologjike. Mobilizimi sa më adekuat do të ndikoj në siguri të individit dhe shoqërisë. Zakonisht gjendjet konfuzionale shkaktojnë ndjenjë të pasigurisë e cila pastaj do të ndikoj në integritetin individual dhe kolektiv. E rëndësishme është se, sa do të vetëdijesohemi si individ dhe shoqëri karshi kësaj sfide. Për të arritur në kuptim të situatës dhe reagim adekuat kalohet nëpër disa etapa deri tek pranimi i faktit.
Fillon nga shoku fillestar pastaj kalon në mohim, zemërim, negocim, reflektim dhe deri në pranim të situatës. Është etapa e mohimit që zgjatë më shumë pasi që në këtë etapë qoftë individi apo edhe kolektivi mohojnë realen dhe fillojnë të rezistojnë, varësisht nga këndvështrimi i tyre në bazë të asaj se si perceptohet situata.
Në këtë fazë njerëzit më së paku i përgjigjen rregullave deri sa të arrijnë në etapën reflektimit kur dhe pastaj kuptojnë situatën dhe pranojnë faktet. Prandaj ndaj këtyre situatave do të ketë një përgjigje fiziologjike të organizmit, dhe kjo përgjigje do të varej nga intensiteti i ndodhisë. Varësisht kësaj edhe simptomat do të dalin në pah. Në situata anormale siç është kjo e tashmja, pandemia COVID 19, shumë reagime psiko-emocionale dhe fiziologjike do të ndërlidhen me vet situatën.
Po përmend disa nga gjendjet që zakonisht prezantohen në situata të tilla.
Stresi
Stresi është një përgjigje fiziologjike normale ndaj një situate anormale; përbën pjesën integrale të ekzistencës sonë. Përmes stresit trupi jonë përshtatet me ngjarjet e shumta pozitive ose negative që ne përjetojmë, të tilla si lindja, martesa, humbja e një pune, etj. Stresi vjen, zhvillohet dhe ikën vetvetiu ne momentet kur nuk është patologjik apo përjetohet në varësi të faktit nëse ju po përjetoni situatën stresuese apo jo (për shembull, nëse jeni të stresuar në punë, por nëse ky stres mbaron në mbrëmje ose fundjavave, ju mund të mendoni se stresi është i lidhur me punën tuaj).
Ankthi
Për dallim nga frika, e cila është një përgjigje ndaj një kërcënimi të caktuar dhe real, ankthi është një përgjigje ndaj një kërcënimi të paqartë ose të panjohur dhe jo real. Ankthi manifestohet kur besojmë se mund të ndodhë një ngjarje e rrezikshme ose fatkeqe dhe fillojmë e parashikojmë ndaj asaj përballje duke dhënë përgjigje fiziologjike. Të gjithë mund të përjetojnë ankth në një shkallë dhe intensitet të caktuar. Perceptimi i tij për ngjarjen do të ketë një ndikim të madh në intensitetin e ankthit të përjetuar.
Depresioni
Depresioni prezanton një gjendje kalimtare, dekurajimi dhe trishtimi. Depresioni mund të shfaqet në mënyra të ndryshme, si fizikisht ashtu edhe psikikisht, dhe intensiteti i tij ndryshon nga personi në person. Manifestime të mundshme në lidhje me stresin, ankthin dhe depresionin mund të paraqiten në aspekte të ndryshme dhe përfshijnë organizmin si tërësi duke u shfaqur nga plani somatik (fizik), psikologjik, emocional dhe të sjelljes.
Plani Somatik: dhimbje koke, tensioni i qafës, probleme gastrointestinale, çrregullime të gjumit, apetit të ulur, rënie të energjisë dhe lodhje.
Plani psikologjik dhe emocional: Shqetësime dhe ndjenjë të pasigurisë në lidhje me virusin, Ndjeheni të mbingarkuar nga ngjarjet, pafuqi; bluarje mendimesh-dialog të brendshëm me vetën që nuk përkon me pasqyrimin e realitetit; pamje negative e gjërave të përditshme ose ngjarjeve; prani të ndjenjave të dekurajimit, pasigurisë, trishtimit, zemërimit,
Plani – sjellja: Vështirësi përqendrimi, irritabilitet, agresivitet, izolim, tërheqje, vështirësi në marrjen e vendimeve, tendencë konsumimi të shtuar të alkoolit, drogave dhe ilaçeve. Të gjitha këto manifestime të stresit, ankthit dhe depresionit janë normale në kontekstin e një pandemie. Shumica e njerëzve posedojnë burime të mjaftueshme dhe aftësinë për t’u përshtatur me këtë lloj situate. Së pari, mbështeten në përvojat e tyre të zakonshme për t’u përshtatur pastaj ndaj situatave të vështira. Dmth, krijohet përvoja e ballafaqimit.
Ja disa mënyra si të minimizoni ndikimin e këtyre reagimeve në jetën tuaj të përditshme.
Informohuni
▪ Mungesa e informacionit ose informacioni jo adekuat mund të rrisë këto reagime
▪ Mësoni nga burime të besueshme informacioni
▪ Kujdes nga lajmet e bujshme dhe burime të panjohura ose të dyshimta
▪ Është e rëndësishme të informoheni siç duhet, kufizoni kohën që keni shpenzuar për të kërkuar informacione rreth COVID-19 dhe pasojave të tij, pasi ekspozimi i tepërt mund të ndihmojë në rritjen e reagimeve tuaja ndaj stresit, ankthit ose depresionit.
Kujdesuni për vetën tuaj
▪ Qëndroni vigjilent ndaj ndjenjave, emocioneve dhe reagimeve tuaja, dhe mos lejoni që stresi të grumbullohet , shprehini brengat me njerëzit tuaj ose t’i shprehni ato përmes shkrimit, aktivitetit fizik, etj
▪ Praktikoni një aktivitet fizik që ju lejon të lehtësoni stresin tuaj dhe të eliminoni tensionet
Miratimi i mënyrave të jetesës së shëndetshme si ushqimi i mirë dhe gjumi adekuat
▪ Kufizoni faktorët që ju shkaktojnë stres
▪ Jepini vetes kënaqësi të vogla (për shembull, të dëgjoni muzikë, të bëni një banjë të nxehtë, të lexoni, etj)
▪ Qëndroni në kontakt me njerëzit që ju bëjnë mirë
▪ Mos harroni strategjitë që keni përdorur në të kaluarën ndaj sfidave të ngjashme
▪ Ndërtoni pikat tuaja të forta, bazohu në to
▪ Vendosni kufijtë tuaj (për shembull, refuzoni një detyrë që nuk dëshironi të bëni dhe kjo nuk është thelbësore)
▪ Mësoni të delegoni dhe pranoni ndihmë nga të tjerët (për shembull, shpërndajeni punën për të gjithë anëtarët e familjes)
Kur bëhet e nevojshme të kërkoni ndihmë?
Në përgjithësi, është e mundur të kaloni këto reagime te pakëndshme. Sidoqoftë, pas disa kohësh (javë ose muaj), nëse gjendja persiston dhe vazhdon e përkeqësohet dhe ndikon ne funksionimin tuaj të përditshëm . Atëherë ju mund të kërkoni ndihmë. Shenjat e mëposhtme mund të jenë një tregues se gjendja juaj po përkeqësohet. Prania e disa prej këtyre shenjave mund të tregojë se burimet tuaja të brendshme nuk ju lejojnë më të menaxhoni shqetësimet tuaja të përditshme
Plani Somatik: Ndjenja e mbytjes; palpitacione; marramendje; të vjella; pagjumësi; humbje peshe; mungesë energjie dhe lodhje e theksuar, rraskapitje
Plani psikologjik dhe emocional: Ankthi dhe frika; panik kur dëgjoni për virusin; mendime negative invazive; humbje e kënaqësisë dhe mungesa e interesit për aktivitetet që keni pasur më parë
Plani – sjellja: Vështirësi në marrjen e detyrave të përditshme; shmangia e personave tjerë jashtë shtëpisë për shkak të frikës së ngjitjes; monitorim i vazhdueshëm i simptomave në lidhje me virusin: shpërthime të shpeshta të të qarave; agjitim të theksuar psiko-motor; agresivitet; mungesa e fokusit; abuzimi i alkoolit, drogave dhe ilaçeve
Nëse jeni duke përjetuar stres, ankth ose depresion, dhe po shihni se simptomat janë evidente dhe ju nuk po mundeni të tejkaloni situatën tuaj, mos hezitoni kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor.
Dr. B. B.