Jeta është gjëja më e shtrenjtë që na është falur dhe si e tillë ajo meriton respektin e duhur nga ne. Nga njëra anë, ajo mbrohet me fanatizëm nga parimet fetare dhe nga ana tjetër është vetë detyra e secilit nga ne për të jetuar, për të plotësuar edhe jetët e atyre që na duan, sepse parimisht ata jetojnë për ne. Mirëpo kjo është një formë egoizmi, sepse të jetosh për dikë tjetër do të thotë ta detyrosh personin tjetër të jetojë për ty, pavarësisht dëshirave apo mendimeve të tij apo të saj.
Dhe në një shoqëri ku teknologjia ka avancuar, ku karakteri i dikujt po vlerësohet nga disa pëlqime apo komplimente në rrjetet sociale, në një shoqëri ku nivelet e stresit dhe problemeve kanë kaluar edhe stratosferën, a ia vlen të jetohet? Po jetojmë në një shoqëri shekspiriane dhe më besoni, nuk ka vend më të mirë për thënien e famshme të Hamletit, sesa tani.
Del në rrugë dhe nga përhumbja në pije apo drogë e dikujt tjetër, rrezikohet jeta jote. Del një politikan ku bën thirrje për protestë dhe e gjithë shoqëria e ndjek si një turmë delesh. Del një lajm serioz dhe vëmendja është zero, kurse po të reklamohet apo më mirë, të ekspozohet trupi i dikujt, të gjithë janë sy e veshë përpara lajmeve të tilla. Mirëpo, a është ky kuptimi i vërtetë i jetës? Kur vëmendja po fitohet me kushtin e vetëm të humbjes së dinjitetit dhe dinjiteti shkon aty-aty me paturpësinë?
Përse të jetohet? Për të kënaqur dëshirën e dikujt që të të shohë të rrënuar? Për të kënaqur dëshirën e personave të dashur për të të pasur në jetën e tyre? Apo për të përballuar krizën e tillë të ekzistencializmit?
Unë jam pro jetesës, por një jetese të denjë, ku secili të shihte veten e vet dhe të përpiqej të ishte një pasqyrim i asaj që të tjerët do të donin të kishin tek vetja. Unë do të doja të jetoja në një shoqëri ku arti vlerësohet për art dhe jo në kundërt, që shturrja e shërbyer si art të konsiderohet art i vërtetë dhe t’i bëjë njerëzit të rrinë gojëhapur.
Ndërkohë duhet të jetoj edhe në këtë shoqëri, sepse është një mëkat nga ana fetare të vetëvritesh dhe është një humbje e madhe, ndoshta e papërballueshme, nëse unë largohem nga jeta e atyre që më duan. Egoizëm i shfrenuar apo jo? Në ekstrem, madje, por ja që ekziston. Ja që njerëzit janë egoistë dhe duhet t’i përshtatemi këtij realiteti.
Dhe mbi të gjitha, nuk është çudi të mendohet vetëvrasja. Ndoshta edhe ti e ke menduar në një moment, ashtu si unë, se si do të ishte kjo botë pa ty. Ndoshta je ndjerë më mirë, por e ke kuptuar se nuk është çudi të mendohet vetëvrasja, siç e citova pak më lart. Çudia më e madhe është t’i japësh fund jetës dhe të tjerët të shprehen “Pika që s’i bie! Pse kështu duhet të bëhet përpara çdo problemi?” sikur ata të kenë jetuar jetën tënde, sikur të kenë ecur në këpucët e tua dhe e marrin të drejtën legjitime të të gjykojnë. Paradoks, apo jo?