HomeFokusTrajtimi i çrregullimit nxitës të kundërshtimit
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Trajtimi i çrregullimit nxitës të kundërshtimit

A mund të parandalohet ÇNK?

Ekzistojnë hulumtime që tregojnë se ndërhyrjet e hershme dhe programet e bazuara në shkollë së bashku me terapinë individuale mund të ndihmojnë në parandalimin e ÇNK. Në programet e trajtimit fëmijët e vegjël mësojnë aftësi sociale dhe si ta zgjidhin konfliktet dhe të menaxhojnë zemërimin. Për më tepër, programet e bazuara në shkollë mund të jenë efektive në ndalimin e ngacmimit, reduktimin e sjelljes antisociale dhe përmirësimin e marrëdhënieve mes bashkëmoshatarëve. Këto programe mësojnë prindërit se si të krijojnë një marrëdhënie edukuese dhe të sigurt me fëmijën e tyre dhe si të vendosin kufijtë për sjelljet e papranueshme.

 

Si trajtohet ÇNK?

Nuk ka një trajtim specifik  për fëmijët dhe adoleshentët me ÇNK. Planet më efektive të trajtimit janë përshtatur në bazë të nevojave dhe simptomave të sjelljes të secilit fëmijë. Mënyrat e trajtimit zakonisht bazohen në disa faktorë të ndryshëm që përfshijnë moshën e fëmijës, ashpërsinë e sjelljeve dhe nëse fëmija ka një problematikë bashkëshoqëruese të shëndetit mendor. Qëllimet dhe situata në cilën prindërit ndodhen, gjithashtu janë të rëndësishme kur vendoset për planin e trajtimit. Në shumë raste, trajtimi mund të zgjasë disa muaj ose më shumë dhe kërkon angazhim edhe ndjekje nga prindërit, si dhe nga të tjerët të përfshirë në kujdesin ndaj fëmijës.

 

Llojet e trajtimit

Trajtimi zakonisht bazohet në kombinimin e:

  • Programet e Trajnimit të Menaxhimit të Prindërve dhe Terapia familjare për të mësuar prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes se si të menaxhojnë sjelljen e fëmijës. Prindërit, anëtarët e familjes dhe kujdestarëve të tjerë u mësohen teknika të përforcimit pozitiv dhe mënyra efektive të disiplinimit.
  • Zhvillimi i aftësive njohëse të zgjidhjes së problemeve për të reduktuar sjelljet e papërshtatshme dhe zëvendësimin e tyre me sjellje të përshtatshme në varësi të situatës (fëmijës i mësohen mënyra pozitive sesi të reagojë në situata stresuese). Fëmijët me ÇNK shpesh i interpretojnë dhe përgjigjen negativisht ndaj situatave të jetës së përditshme. Zhvillimi i aftësive njohëse për zgjidhjen e problemeve i mëson ata se si të shohin situatat dhe të përgjigjen/reagojnë në mënyrë të duhur.
  • Programet e Aftësive Sociale dhe Programet e bazuara në shkollë për të mësuar fëmijët dhe adoleshentët se si të lidhen më pozitivisht me moshatarët dhe mënyrat për të përmirësuar performancën e tyre në shkollë. Këto terapi janë më të suksesshme kur ato kryhen në një mjedis natyror, si në shkollë ose në një grup shoqëror.
  • Medikamentet/Ilaçet mund të jenë të nevojshme për të ndihmuar kontrollin e disa prej simptomave më shqetësuese të ÇNK, si dhe simptomave të çregullimeve bashkëshoqëruese, siç janë ADHD, ankthi dhe çrregullimet e humorit. Sidoqoftë, mjekimi nuk mund të përdoret i vetëm si metodë trajtimi për ÇNK.

 

A përmirësohet ÇNK me kalimin e kohës?

Për shumë fëmijë, ÇNK përmirësohet me kalimin e kohës. Studimet e kohëve të fundit tregojnë  që afërsisht 67 përqind e fëmijëve të diagnostikuar me ÇNK që marrin trajtim do të jenë pa simptoma pas tre vjetësh. Sidoqoftë, studimet tregojnë gjithashtu se përafërsisht 30 përqind e fëmijëve që janë diagnostikuar me ÇNK do të vazhdojnë të zhvillojnë çrregullime të sjelljes.

Studime të tjera tregojnë se shfaqja e hershme e simptomave të sjelljes së ÇNK  (parashkollorë ose më herët), rrit mundësinë që fëmija ose adoleshenti të vazhdojë t’i shfaqë simptomat edhe më vonë në jetë. Gjithashtu, rreziku i zhvillimit të çrregullimit të sjelljes është tre herë më i madh për fëmijët që janë diagnostikuar që në parashkollor.

Në të gjitha grupmoshat, afërsisht 10 përqind e fëmijëve dhe adoleshentëve të diagnostikuar me ÇNK përfundimisht do të zhvillojnë një çrregullim personaliteti siç është çrregullimi i personalitetit antisocial. Megjithatë, shumica e fëmijëve dhe adoleshentëve do të përmirësohen me kalimin e kohës, veçanërisht nëse ata marrin trajtim. Prindërit që dyshojnë se fëmija i tyre ka një problem sjelljeje duhet të drejtohen tek profesionisti për të bërë një vlerësim të fëmijës. Për fëmijët që marrin trajtim, perspektiva është shumë e mirë.

 

Të fundit