HomeArtikujAnkthiKam mësuar të them JO
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Kam mësuar të them JO

Njihja një grua që kishte frikë t’u tregonte njerëzve atë që donte. Ajo nuk dinte të thoshte jo. U ngatërrua në një rrjetë detyrimesh, ankthi dhe gënjeshtrash të bardha. Isha unë.  Gjëja më e keqe ishte se as nuk kuptoja çfarë po bëja. Mendova se dija të thoja “jo”, por nuk mund të kujtoja herën e fundit që e kisha thënë. Ashtu si shumë njerëz, thjesht doja të pranohesha, vlerësohesha, dashurohesha. Dhe mendoja që mënyra e vetme për t’i marrë ato gjëra, ishte t’i vendosja nevojat e të tjerëve, para atyre të vetes sime. Por, kohët e fundit thashë mjaft më. Si eksperiment, nisa të qëndroja fort parimeve të mia, edhe me riskun e armiqësimit me të gjithë, apo që bota të shembej mbi mua. Por kjo nuk ndodhi.

Ja çfarë ndodhi:

 

Nuk kisha më nevojë për justifikime të vogla

Gjashtë muaj më parë, më kërkuan që të shërbeja si vullnetare gjatë një aktiviteti social të gjatë dhe të mërzitshëm. Në vend që të thoja atë që ndjeja (më mirë do të kafshoja dorën time), unë thashë “OK”. Dhe pastaj më zuri ankthi, në përpjekje për të gjetur një rrugë si të dilja nga ky detyrim. Përfundimisht, pas shumë valëve të ankthit, u thashë organizatorëve që kam marrë një të ftohur. Jo vetëm që kisha humbur orë dhe ditë duke u shqetësuar, por me siguri i kisha lënë këto njerëz të gjorë në baltë. Të thuash “jo” është shumë më e lehtë. Nëse dikush më kërkon të bëj diçka për të cilën nuk kam fare interes, unë jam e sjellshme, por e sinqertë. Shprehja, “Më vjen keq, nuk mendoj se është për mua”, më del nga goja më shpejt sesa një justifikim i çalë.

 

Miqtë dhe familja nuk e kishin problem

Ishte e vështirë t’u thoja JO festave. Më keq, unë kam qenë fajtore se kam paragjykuar miq, të cilët kishin vetëbesimin e duhur për të thënë që preferonin të rrinin në shtëpi. Mendoja se ishin të çuditshëm, antisocialë ose thjesht të pasjellshëm – dhe supozoja se të gjithë të tjerët mendonin si unë. Rezulton se isha kryesisht e vetmuar në ato mendime. Kur ndalova së kënaquri të tjerët, askujt nuk i bëhej vonë. Një mike e mirë më kërkoi të shkoja për kafe në ora 5 pasdite. Kisha në plan të shkoja në palestër, dhe më pas të shihja Mad Men për të një miliontën herë. I thashë, “Më fal, kam disa gjëra të tjera që dua të bëj sonte.” Dhe ajo ma ktheu: “S’ka problem. Ndoshta një herë tjetër”. Ishte kaq e thjeshtë…

 

Kam shumë më tepër kohë për veten time

Dikur nuk kisha asnjëherë kohë për gjërat që doja të bëja vërtet. Doja të mësoja spanjisht, të shkruaja më shumë, dhe të udhëtoja. Nuk janë objektiva të mëdhenj dhe jorealistë. E megjithatë, dëshira për të kënaqur njerëzit më shkurtonte kaq shumë nga koha ime.

Kam mësuar të them JO dhe kështu u kam shtuar disa orë ditëve të mia. Nuk i prish më planet e mia për të tjerët. Të thënit JO më ka çliruar.

Të fundit