Për një kohë të gjatë, miqësia është neglizhuar nga shkencat e marrëdhënieve shoqërore. Kur sociologët dhe grupet shoqërore filluan të analizonin marrëdhëniet, ata u dhanë atyre kuptimin intim dhe dashuror. Për këtë arsye, miqësia është një nga marrëdhëniet më pak të studiuara dhe analizuara. Dalëngadalë ky fakt po ndryshon dhe kërkuesit po interesohen më shumë për shoqërinë.
Disa nga pyetjet që bëhen më shpesh në studime janë: “Cilët karaktere njerëzish bëhen miq?”; “Ndryshon miqësia me moshën?”; “A është miqësia mes djemve e ndryshme nga ajo mes vajzave?” Këto janë pyetje të rëndësishme, të cilat ngadalë zbërthejnë misterin e miqësisë, duke na bërë të kuptojmë se miqësia nuk është thjesht diçka që lind pa shkak, por është një marrëdhënie nga e cila varen shumë rrethana të tjera. Në një studim mbi miqësinë, kërkuesit vendosën t’i japin përgjigje pyetjes se për çfarë shërben miqësia. Shumë nga ne mendojnë se miqtë, të paktën ata të mirët, na bëjnë të kemi më shumë besim dhe na rrisin vetëvlerësimin. Kërkuesit vendosën ta vërtetojnë këtë duke marrë një grup të caktuar individësh dhe duke i vendosur ata përballë një kodre të madhe. Grupi një herë u ekspozua i vetëm dhe herën tjetër pranë çdo personi ishte miku i tij më i mirë. U zbulua se kur iu kërkua të vlerësonin se sa metra mund t’ju duheshin për të arritur në majë të kodrës, personat që ishin vetëm, dhanë një shifër më të madhe, sesa personat që kishin pranë miqtë, të cilët e vlerësonin distancën më të vogël. Në një tjetër variant, të gjithë pjesëmarrësve iu kërkua që të qëndronin të vetëm përpara kodrës. Disave iu kërkua të sillnin në mendje miqtë e tyre më të mirë, disa të tjerëve jo. Kërkuesit vunë re se personat që sollën në mendje miqtë e tyre, menduan se largësia ishte më e shkurtër, ndërsa ata që nuk kishin menduar për miqtë e tyre, e vlerësuan të madhe.
Të pasurit një mik të rëndësishëm, na bën të mendojmë pozitivisht për veten, sepse ajo që ne vlerësojmë tek miqtë tanë, na ndihmon të plotësojmë mangësitë tona.
Në disa studime, pjesëmarrësit dhanë një test me shkrim gjatë të cilit disa menduan për marrëdhëniet e tyre shoqërore të mira, disa për ato marrëdhënie shoqërore që nuk po u shkonin mirë, ndërsa të tjerë menduan për marrëdhëniet normale shoqërore. Pastaj të gjithëve iu tha se rezultatet e tyre në test nuk ishin shumë të mira. Doli se njerëzit që menduan për miqtë e tyre të mirë, ishin më të hapur për të përmirësuar mangësitë, të cilat i kishin bërë të merrnin rezultat jo të mirë.
Një tjetër pyetje që preferojnë studiuesit të bëjnë rreth miqësisë, është se çfarë ndodh me personat të cilët zënë gjithnjë e më shumë miq? Një grup psikologësh mendojnë se një pjesë e përgjigjes mund të jetë fakti se personat me shumë miq, lëvizin shpesh nga qyteti apo shkolla që kur janë fëmijë. Ka mundësi që fëmijët të cilët gjatë fëmijërisë së tyre kanë zënë miq, por e kanë pasur të vështirë t’i mbajnë kontaktet, zënë më shumë miq në qytetin ku shkojnë. Si pasojë ndodh që këta fëmijë të zënë gjithnjë e më shumë miq, duke e harruar kështu numrin e saktë të miqve të tyre.
Një studim analizoi studentët e vitit të parë të një gjimnazi dhe marrëdhëniet e tyre shoqërore. U zbulua se studentët, të cilët kishin lëvizur vazhdimisht gjatë fëmijërisë së tyre, kishin më shumë miq në rrjetet sociale apo në realitet, sesa studentët që kishin qenë gjatë gjithë kohës në të njëjtën shkollë. Interesant ishte fakti se, pas dy muajsh nga fillimi i vitit shkollor, numri i miqve në “Facebook” i atyre që kishin lëvizur shpesh gjatë fëmijërisë, ishte më i madh sesa ai i personave që kishin bërë një jetë të qetë dhe të qëndrueshme. Me anë të këtyre studimeve të thjeshta por domethënëse, shkenca merr përsipër të fillojë një kapitull të ri mbi studimet mbi miqësinë dhe marrëdhëniet shoqërore.