Po kontrolloni vazhdimisht e-mailin tuaj pasi po prisni të merrni një përgjigje aprovuese për të nisur një punë të re? Po kërkoni për sinjale që tregojnë se partneri juaj ju do ende? Apo po pyesni vazhdimisht veten se kur bota do të rikthehet në të ashtuquajturin normalitet? Shumë nga përvojat më ankthioze të jetës udhëhiqen nga pasiguria. Dhe pesha e pandemisë së Covid-19, vetëm sa i ka shtuar akoma më shumë misteret që sprovojnë shëndetin mendor të njerëzve. Psikologët dhe terapistët e kanë studiuar prej shekujsh pasigurinë psikologjike, dhe ata na ofrojnë njëfarë qartësie mbi disa pyetje themelore në lidhje me këtë gjendje dhe se si të përballemi me të. Së pari, disa studiues e përkufizojnë pasigurinë si vetëdijen mbi mungesën e njohurive. Të tjerët e konceptojnë atë si një frikë nga e panjohura, në kuptimin që kjo e fundit ka potencialin të jetë kërcënuese.
Pse ndihem kështu?
Siç na e rikujtoi në mënyrë të vrazhdë edhe COVID, asgjë në këtë botë nuk është e sigurt. E megjithatë, shumica prej nesh e kalojnë pjesën më të madhe të jetës së tyre duke u ballafaquar me iluzionin e sigurisë. Dan Grupe, psikolog në Qendrën për Mendje të Shëndetshme në Universitetin e Uiskonsin-Madison, e shpjegon kështu këtë tendencë: “Truri ynë ka evoluuar për të krijuar rregull dhe parashikueshmëri. Ai gjeneron vazhdimisht modele për të ardhmen, të cilat bazohen në përvojat e kaluara”. Ndërsa pasiguria rritet, Grupe thotë se atij i duhet shumë më tepër energji për të kuptuar botën, gjë që manifestohet si një ndjenjë ankthi. Po ashtu njerëzit janë të prirur të simulojnë më shumë skenarët negativë sesa ata pozitivë, për të qenë më të përgatitur në rast rreziku. Fatkeqësisht, ky simulim mendor shfaqet edhe në trupin tonë, duke rritur nivelet e stresit, rrahjet e zemrës, dhe duke çuar në shqetësimin fizik dhe psikologjik që e dallon ankthin nga gjendjet e tjera. Në botën në të cilën kemi evoluar, reagimi “lufto ose ik” na ka ndihmuar që t’u përgjigjemi kërcënimeve të menjëhershme fizike. Por në mjedisin e sotëm, ky çlirim masiv i adrenalinës më shumë mund të na dëmtojë sesa të na ndihmojë në zgjidhjen e problemeve tona hipotetike.
Çfarë mund të bëj për këtë?
Ashtu si edhe me shumë probleme të tjera, ekzistojnë dy mënyra të zakonshme për t’u përballuar me këtë lloj situate:Ndryshoni natyrën e problemit ose qasjen tuaj mendore ndaj tij. ErickAnderson, psikolog në Qendrën për Kërkimin dhe Vlerësimin e Rezultateve (CORE) në Qendrën Mjekësore të Meinit në SHBA, thotë se në disa raste është e mundur qëtë qetësoheni duke e reduktuar sasinë e pasigurisë. Nëse jeni në ankth për t’u zhvendosur në një vend të ri apo për të filluar një punë të re, kontakti me dikë që jeton apo punon atje, dhe dëgjimi i përvojës së tij mund t’ju japë më shumë informacion për të ardhmen tuaj. Fatkeqësisht, nuk është asnjëherë e mundur të dihet saktësisht se si do të jetë e ardhmja. Prandaj kur flitet për pasigurinë,ndryshimi i qasjes suaj mendore është shpesh i nevojshëm.
Strategjitë e dëmshme
Një mënyrë e zakonshme përmes së cilës njerëzit përpiqen që t’i ndryshojnë emocionet e tyre rreth një skenari të pasigurt, është duke shpërqendruar veten. Pavarësisht nëse kjo është shikimi i një shfaqjeje televizive, festimi me miqtë apo lundrimi në rrjetet sociale, shpërqendrimi i vetes rrallë ju ndihmon që të përballeni me pasigurinë. Ai thjesht e shtyn pak më vonë ndjenjën e shqetësimit. Xho Daniels, lektor i vjetër i psikologjisë klinike në Universitetin Bath, thotë se disa strategji të zakonshme kanë tendencën që të bëjnë më shumë dëm sesa të ndihmojnë. Njëri prej tyre është kërkimi i sigurisë, duke u bërë pyetje të tjerëve për të fituar në dukje siguri. Tjetra është edhe më shqetësuese, si për shembull fiksimi pas skenarëve të mundshëm, në mënyrë që të ndiheni sikur jeni më shumë nën kontrollin e situatës. “Ne kërkojmë siguri. Por në fakt, ajo që marrim është ekspozimi ndaj një sasie më të madhe informacioni”-thotë Daniels. Hapja e vetes ndaj më shumë skenarëve të mundshëm, na prezanton në fakt me variabla të panevojshëm, çka e bën edhe më të vështirë të dish se çfarë të presësh. Ndërsa mund t’ju duket sikur po përballeni me problemin, shqetësimi dhe kërkimi i sigurisë janë në fakt njësoj si teknikat e tjera të shpërqendrimit.
Ja cilat janë strategjitë e dobishme
Edhe pse mund të duket si kundër-intuitive, Daniels thotë se ballafaqimi i hapur me problemin, është një nga strategjitë më të dobishme kur bëhet fjalë për pasigurinë. Merrni pak kohë për të kuptuar saktësisht se çfarë ju shqetëson, dhe pyesni veten “Cila është frika themelore që e nxit këtë ankth?’. Për shembull, nëse nuk e fitoi dot atë vend pune, a do t’jua heqë vallë kjo vlerat që ju keni si njeri? Pastaj, ndajini mendimet tuaja nga faktet duke kërkuar prova. Daniels rekomandon që t’i lini vetes hapësirë që të eksploroni pasojat e sinqerta, të merrni kontrollin e situatës aty ku është e mundur, dhe të lini gjithçka në rrjedhën e vet aty ku nuk mundeni. Mendimet janë aty dhe kjo është krejtësisht normale. Thjesht konsiderojini këto mendime shqetësuese si një reagim normal ndaj një situate të vështirë, dhe mos harroni se ato janë mendime, dhe jo fakte”,- thotë ajo.
Riformulimi i pasigurisë si mundësi
Një nga ushtrimet më të fuqishme që mund të përmirësojë marrëdhënien tuaj me pasigurinë, është riformulimi i një situate të pasigurt, si një situatë me mundësi emocionuese. Ndërsa padija se çfarë do të ndodhë e bën më të vështirë parashikimin e së ardhmes, kjo është ndonjëherë diçka e mirë. Jeta do të ishte e mërzitshme nëse do të dinim se çfarë do të ndodhte çdo moment.
Mo Braun, një terapist i licencuar për martesat dhe familjet në Atlanta, propozon një praktikë të fuqishme riformulimi që mund ta bëjë pasigurinë emocionuese dhe jo të frikshme. “Unë mendoj se pasiguria ka konceptin se gjërat do të jenë negative. Ajo ngjall frikë. Marrëdhënia me mundësinë është shumë më pozitive. Kështu që unë i inkurajoj njerëzit që ta riformulojnë pasigurinë si mundësi, dhe të priren më shumë tek parashikimi i mundësisë së rezultateve pozitive”- thotë ajo
Braun thekson se pasiguria është një forcë e fuqishme që mund të na lejojë të shfaqim ndryshime në jetën tonë. Çdo gjë e re duhet të jetë e pasigurt përpara se të bëhet e njohur. Pasiguria është e nevojshme për rritjen personale, dhe mund të jetë lehtësisht një mjet që siguron më shumë lumturi.