Në një moment gjatë viteve 1650, filozofi dhe matematicieni francez Blaise Pascal shënoi një nga aforizmat më të pazakonta të të gjitha kohërave: “Burimi i të gjithë palumturisë së njeriut është mos aftësia e tij për qëndruar i qetë, vetëm në dhomën e tij.”
Me të vërtetë? Padyshim që të qenit i qetë në dhomë duhet të jetë fillimi i një lloj torture psikologjike veçanërisht të evoluar? Çfarë mund të shkojë më në kundërshti me frymën njerëzore sesa detyrimi për të banuar brenda katër mureve kur, potencialisht, aty jashtë është një planet i tërë për t’u eksploruar?
E megjithatë, ideja e Paskalit sfidon me siguri një nga besimet tona më të dashura: që gjithmonë duhet të shkojmë në vende të reja në mënyrë që të ndiejmë dhe të zbulojmë gjëra të reja dhe të vlefshme. Po sikur, në të vërtetë, të kishte tashmë një thesar brenda nesh? Po sikur të kishim grumbulluar tashmë një numër të mjaftueshëm përvojash frymëzuese, qetësuese dhe interesante për të na zgjatur dhjetë herë jetën?
Po sikur problemi ynë i vërtetë të mos jetë ai që nuk na lejohet të shkojmë askund – por sepse ne nuk dimë ta shfrytëzojmë sa më shumë atë që kemi në dorë tashmë?
Të kufizuarit në shtëpi na ofron një sërë përfitimesh. E para, është një inkurajim për të menduar. Çfarëdo që ne dëshirojmë të besojmë, ca prej nesh realizojnë pjesën më të madhe të të menduarit me origjinalitet dhe me një guxim që mund të rivendosë shpirtrat tanë dhe të na çojë përpara me jetën tonë. Idetë e reja me të cilat mund të ndesheshim nëse do të udhëtonim më me ambicie nëpër mendjen tonë.
Për shembull, një mendim origjinal mund të na tjetërsojë nga ajo që njerëzit përreth nesh e mendojnë si normale. Ose mund të paralajmërojë për të kuptuar që ne kemi ndjekur qasjen e gabuar për një çështje të rëndësishme në jetën tonë, ndoshta për një kohë të gjatë.
Nëse do ta merrnim seriozisht një ide të caktuar, mund të na duhej të braktisim një marrëdhënie, të lëmë një punë, të largojmë një mik, t’i kërkojmë falje dikujt, të rimendojmë prirjen tonë seksuale ose të thyejmë një zakon.
Por një periudhë e të menduarit të qetë në dhomën tonë krijon një rast ku mendja mund të urdhërojë dhe kuptojë veten. Frika, pakënaqësia dhe shpresat bëhen më të lehta për t’u kuptuar; ne rritemi më pak të frikësuar nga përmbajtja e mendjeve tona – dhe më pak të pakënaqur, më të qetë dhe më të qartë për drejtimin tonë. Ne fillojmë, me hapa ngurrues, ta njohim veten pak më mirë.
Një tjetër gjë që mund të bëjmë në dhomat tona është të kthehemi në udhëtimet që kemi marrë tashmë. Kjo nuk është një ide në modë. Shumicën e kohës, na jepet një inkurajim i fuqishëm për të inxhinieruar lloje të reja të përvojave të udhëtimit. Ideja për t’i kushtuar rëndësi rishikimit të një udhëtimi në kujtesë tingëllon pak e çuditshme – ose thjesht e trishtueshme. Kjo është një keqardhje shumë e madhe. Ne jemi përgjegjës jashtëzakonisht të pakujdesshëm të të kaluarave tona. Ne i shtyjmë skenat e rëndësishme që na kanë ndodhur në pjesën e prapme të dollapit të mendjeve tona dhe madje nuk presim t’i shohim ato përsëri.
Por çka nëse do të ndryshonim pak hierarkinë e prestigjit dhe të argumentonim që zhytja e rregullt në kujtimet tona të udhëtimeve mund të jetë një pjesë kritike e asaj që mund të qëndrojë në ne dhe të na ngushëllojë – dhe jo më pak, është ndoshta forma më e lirë dhe më fleksibile e argëtimit. Ne duhet ta mendojmë si diçka pothuajse prestigjioze, të ulemi në shtëpi dhe të reflektojmë për një udhëtim që dikur morëm në një ishull me imagjinatat tona.
Në neglizhencën tonë të kujtimeve tona, ne jemi fëmijë të llastuar, të cilët shtrydhin vetëm një pjesë të kënaqësisë nga përvojat dhe pastaj i hedhin mënjanë për të kërkuar emocione të reja. Një pjesë e asaj se përse ne e ndiejmë kaq shumëshumë nevojë përvoja të reja mund të jetë thjesht sepse jemi aq të dobët në përthithjen e atyre që kemi pasur.
Për të na ndihmuar të përqëndrohemi më shumë në kujtimet tona, nuk kemi nevojë për asgjë teknike. Ne sigurisht nuk kemi nevojë për një aparat fotografik. Tashmë e kemi në mendjet tona një aparat fotografik: gjithmonë është në funksion, kërkon gjithçka që kemi parë ndonjëherë. Përvoja të mëdha janë akoma në kokën tonë, të paprekura dhe të gjalla, vetëm duke pritur që ne t’i bëjmë vetvetes pyetje drejtuese si: ‘ku shkuam pasi zbritëm?’ Ose ‘si ishte mëngjesi i parë?’ nuk janë zhdukur, thjesht sepse ato nuk po shpalosen më përpara syve tanë.
Ne mund të qëndrojmë në kontakt me aq shumë nga ato gjëra të këndshme thjesht përmes artit të evokimit. Ne flasim pafund për realitetin virtual. Megjithatë ne nuk kemi nevojë për vegla. Ne kemi makinat më të mira të realitetit virtual tashmë në kokat tona. Ne mund – tani për tani – të mbyllim sytë dhe të udhëtojmë brenda dhe të endemi përmes pjesëve më të mira dhe më ngushëlluese dhe përmirësuese të jetës në të kaluarat tona.
Ne priremi të udhëtojmë për shkak të një besimi në sfond që, natyrisht, realiteti i një skene duhet të jetë më i bukur sesa një imazh mendor që ne e formojmë në shtëpi. Por ka diçka në lidhje me mënyrën se si funksionojnë mendjet tona që ne do të bënim mirë t’i studionim kur pendohemi për pamundësinë tonë për të shkuar kudo: gjithmonë do të ketë diçka tjetër në lenten midis nesh dhe destinacionit ku dëshirojmë të udhëtojmë, diçka kaq e ndërlikuar dhe shtypëse e cila minon disi qëllimin e lënies së shtëpisë në radhë të parë, domethënë: vetëve tona.
Nga një gabim i pashmangshëm, ne e sjellim veten në çdo destinacion që dëshirojmë të shijojmë. Dhe kjo nënkupton sjelljen e kaq shumë bagazheve mendore që na bën të jemi dita ditës kaq problematikë: gjithë ankthin, keqardhjen, konfuzionin, fajin, nervozizmin dhe dëshpërimin. Asnjë nga këto njollosje të vetvetes nuk është aty kur bëjmë një udhëtim nga shtëpia për disa minuta.
Në imagjinatë, ne mund të shijojmë pamje të çmuara. Por atje, rrëzë tempullit të artë ose lart në malin e mbuluar me pisha, ne arrijmë të zbulojmë se ka kaq shumë nga “ndërhyrjet” tona në hapësirat tona. Ne shkatërrojmë udhëtimet tona nga një zakon fatal për të marrë veten në to.
Ekziston një ironi tragji-komike në punë: mundi i madh për të arritur fizikisht në një vend jo domosdoshmërisht do të na afrojë me atë që kërkojmë. Siç duhet t’i kujtojmë vetes, ne mund të gëzojmë tashmë më të mirat që mund të na ofrojë çdo vend thjesht duke menduar për të.
Le t’i drejtohemi një francezi tjetër me një filozofi themelore të krahasueshme. Në pranverën e vitit 1790, një shkrimtar njëzet e shtatë vjeçar, i quajtur Xavier de Maistre, u mbyll në shtëpi dhe vendosi të studiojë mrekullitë dhe bukurinë e asaj që ishte më afër tij, duke i dhënë si emër asaj që kishte parë “A Journey Round my Room” (Një Udhëtim Rreth Dhomës Time).
De Maistre kyç derën e tij dhe vesh një palë pizhame rozë dhe blu. Pa nevojën e valixheve, ai udhëton për tek ’divani”, mobilja më e madhe në dhomë, të cilën ai e shikon me sy të freskët dhe e vlerëson përsëri. Ai admiron elegancën e këmbëve të tij dhe kujton orët e këndshme që ai ka kaluar shtrirë në jastekët e tij, duke ëndërruar dashurinë dhe suksesin profesional.
Nga divani i tij, de Maistre vëzhgon shtratin e tij. Edhe një herë, nga një pikë e favorshme e një udhëtari, ai mëson të vlerësojë këtë pjesë të ndërlikuar të mobiljeve. Ndihet mirënjohës për netët që ka kaluar në të dhe krenohet që çarçafët e tij janë të kombinueshëm me pizhama e tij.
“Unë këshilloj çdo njeri të përdorë çarçafë të bardhë dhe rozë,” shkruan ai, sepse këto janë ngjyrat që nxisin rehati, qetësi dhe një gjumë të këndshëm.
Sado shakatare, puna e De Maistre buron nga një depërtim i thellë dhe sugjerues: që kënaqësia që marrim nga udhëtimet ndoshta varet më shumë nga mentaliteti me të cilin udhëtojmë sesa nga destinacioni ku udhëtojmë. Sikur vetëm të mund të realizonim një udhëtim me mendimet tona në dhomat tona dhe lagjet e afërta, mund të shohim si këto vende do të bëhen jo më pak interesante sesa tokat e huaja.
Atëherë çfarë është një mentalitet udhëtues? Receptiviteti, depërtimi, vlerësimi dhe mirënjohja mund të jenë karakteristikat kryesore të tij. Dhe, thelbësisht, ky mentalitet nuk ka nevojë të presë për një udhëtim të largët.
Një shëtitje është lloji më i vogël i udhëtimit që mund të ndërmarrim ndonjëherë. Është si një festë tipike, siç bën një pemë bonsai me një pyll. Por edhe nëse është vetëm një shëtitje prej tetë minutash rreth bllokut ose disa momente në një park aty pranë, një shëtitje tashmë është një udhëtim në të cilin janë të pranishme shumë nga tematikat më të mprehta të udhëtimit.
Ne gjatë një shëtitje të tillë mund të shohim një lule. Është jashtëzakonisht e rrallë të kënaqesh se shikon një lule kur njeriu në çdo moment mund të zhvendoset në një kontinent tjetër. Ka kaq shumë gjëra më të mëdha për t’u shqetësuar për ta në vend të këtyre shfaqjeve të vogla të brishta natyrës të skalitura me delikatesë. Sidoqoftë, është e rrallë të tregohemi tërësisht indiferent ndaj luleve kur bota është ngushtuar në mënyrë dramatike dhe ka trishtim global në ajër.
Lulet nuk duken më si një shpërqendrim i vogël nga një fat i fuqishëm, nuk janë më një fyerje e ambicies, por një kënaqësi e mirëfilltë mes një sërë shqetësimesh, një ftesë për t’u arratisur nga kllapia e ankthit, një vend i vogël pushimi për shpresë në një det vështirësish.
Ose gjatë një shëtitje lokale, ne mund të vërejmë një kafshë të vogël: një rosë për shembull. Jeta e saj vazhdon krejtësisht e pavëmendshme ndaj asaj tonës. Ajo është plotësisht e përkushtuar ndaj qëllimeve të veta. Zakonet e species së saj nuk kanë ndryshuar për shekuj. Ne mund ta shikojmë me vëmendje, por ajo nuk ndjen as kuriozitetin më të vogël se kush jemi; nga këndvështrimi i saj, ne jemi zhytur në zbrazëti të pamasë në gjërat e panjohura, të pakuptueshme. Një rosë do të merrte më me kënaqësi një copë bukë me nga një kriminel sa nga një gjykatës i gjykatës së lartë; nga një miliarder si nga një kriminel i falimentuar; individualiteti ynë është pezulluar dhe, në ditë të caktuara, ky mund të jetë një lehtësim i madh.
Në shëtitjet tona rreth bllokut, temat me të cilat do të kishim humbur kontaktin – fëmijëria, një ëndërr e çuditshme që kishim parë kohët e fundit, një mik që nuk e kemi parë me vite, një detyrë e rëndësishme që i kishim thënë gjithmonë vetes se do ta realizonim – noton në mendje.
Në aspektin fizik, nuk do të kalojmë aspak distanca, por po kalojmë akra të territorit mendor. Pak kohë më vonë, jemi përsëri në shtëpi. Askujt nuk i kemi munguar, ose ndoshta as nuk e kanë vënë re që ne kemi qenë jashtë. Megjithatë ne jemi krejtësisht të ndryshe: një version pak më i plotë, më vizionar, i guximshëm dhe imagjinativ i personit që mendonim se ishim para se të iknim me mençuri një një udhëtim modest.
Do të rimarrim lirinë tonë – një ditë. Bota do të jetë e jona për të bredhur në të edhe një herë. Por gjatë periudhave të izolimit, përveç bezdisjeve të dukshme, ne mund të ushqejmë disa nga ato që na janë dhënë kur humbasim liritë tona zanafillore. Nuk mund të jetë rastësi që shumë nga mendimtarët më të mëdhenj në botë kanë kaluar shumë kohë të pazakontë vetëm në dhomat e tyre. Heshtja na jep një mundësi për të vlerësuar një pjesë të madhe të asaj që ne zakonisht shohim pa e vërejtur kurrë sa dhe siç duhet.
Ne jo vetëm që jemi mbyllur brenda; por na është dhënë edhe privilegji që të jemi në gjendje të udhëtojmë nëpër një varg kontinentesh të brendshme të panjohura, ndonjëherë të frikshme, por në thelb të mrekullueshme.