spot_img

Artikuj të ngjashëm

Sekreti i Lumturisë

Një tregtar dërgoi të birin për të mësuar sekretin e lumturisë nga burri më i mençur që njihej.

I riu kaloi nëpër shkretëtirë për dyzet ditë derisa arriti një kështjellë të bukur në majë të një mali. Aty jetonte i mençuri që i riu po kërkonte.

Sidoqoftë, në vend që të gjente një njeri të “shenjtë”, djaloshi hyri në një dhomë dhe pa një veprimtari të madhe tregtare; tregtarë që vijnë dhe shkojnë, njerëzit që bisedojnë në qoshe, një orkestër e vogël që luan një melodi të ëmbël dhe një tavolinë të mbushur me ushqimet më të shijshme të kësaj pjese të botës.

Burri i mençur bisedonte me të gjithë dhe i riu duhej të priste dy orë derisa të vinte koha për takimin e tij.

Me durim të konsiderueshëm, i Mençuri dëgjoi me kujdes për arsyen e vizitës së djalit, por i tha atij se në atë moment nuk kishte kohë t’i shpjegonte atij Sekretin e Lumturisë.

Ai sugjeroi që i riu të shëtiste rreth pallatit të tij dhe të kthehej për dy orë.

“Megjithatë, unë dua t’ju kërkoj një nder,” – shtoi ai, duke i drejtuar djaloshit një lugë çaji, në të cilën ai derdhi dy pika vaj. “Ndërkohë që ecni, mbajeni këtë lugë dhe mos e lini vajin të derdhet”.

I riu filloi të ngjiste lart e poshtë shkallët e pallatit, duke i mbajtur gjithmonë sytë drejt lugës. Pas dy orësh ai u kthye për tu ritakuar me burrin e mençur.

Pa hë djalosh,” – e pyeti ai, “a i shikove tapetat Persianë që janë të varur në dhomën time të ngrënies? A e pe kopshtin që Mjeshtri i Kopshtarëve bëri dhjetë vjet për ta krijuar? A i vure re dorëshkrimet e bukura në bibliotekën time?”

I zënë ngushtë, djaloshi rrëfeu se nuk kishte parë asgjë. Shqetësimi i tij i vetëm ishte të mos derdheshin pikat e vajit që i kishte besuar i Mençur.

Epo, kthehu sërish dhe shiko mrekullitë e botës sime“, – i tha burri i mençur. “Nuk mund t’i besosh një njeriu nëse nuk e njeh shtëpinë e tij”.

Tani më i qetë, djaloshi mori lugën dhe filloi të shëtiste përsëri nëpër pallat, këtë herë duke i kushtuar vëmendje të gjitha veprave të artit që vareshin në tavane dhe mure. Ai pa kopshtet, malet rreth pallatit, delikatesën e luleve, shijen me të cilën çdo vepër arti u vendos në vendin e vet.

Duke u kthyer te i Mençuri, ai i tregoi me hollësi gjithçka që kishte parë.

Po ku janë dy pikat e vajit që unë të besova t’i ruash?” – e pyeti i Mençuri.

Duke drejtuar sytë për nga luga, djaloshi kuptoi se e kishte derdhur vajin.

Epo, kjo është këshilla e vetme që duhet të të jap“, – i tha i Mençuri. “Sekreti i lumturisë qëndron në shikimin e të gjitha mrekullive të botës dhe kurrë të mos harrosh dy pikat e vajit në lugë”.

Kjo pjesëz e mrekullueshme është shkëputur nga “Alkimisti” i Paulo Coelho-s

Të fundit