HomeArtikujAnkthiPaniku do na lëndojë më shumë se sa virusi
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Paniku do na lëndojë më shumë se sa virusi

Mbi të gjitha, kam frikë për mesazhin që po u përcjellim fëmijëve tanë, kur përballen me një rrezik. Në vend të arsyes, racionalitetit, mendjes së hapur dhe altruizmit, po u themi që të panikosen, të kenë frikë, të jenë dyshues, reagues dhe egoistë. Covid-19 nuk ka ikur dhe nuk do të ikë së shpejti. Ai do të vijë në një qytet, një spital, një mik, madje edhe një pjesëtar familje pranë jush, në një moment. Priteni. Mjaft pritët që të befasoheni më tutje. Fakti është që vetë virusi nuk do të bëjë aq dam kur të vijë. Por vetë sjelljet tona dhe qasja “lufto mbi të gjitha për vete”, mund të rezultojë shkatërrimtare

 

Një postim nga një ekspert i sëmundjeve infektive është bërë viral në Internet, teksa paralajmëron se reagimet e ekzagjeruara të njerëzve për përhapjen e koronavirusit, mund të bëjnë më shumë dëme sesa vetë sëmundja. Abdu Sharkawy, mjek dhe ekspert në Universitetin e Torontos në Kanada, shkroi të premten vonë se sëmundja është me të vërtetë e rrezikshme, por masat e marra në disa raste po rezultojnë edhe më keq. Postimi i tij, i cili është ndarë rreth 310,000 herë, sulmon “spiralen magjepsëse të panikut” që e vëren në të gjithë botën, ndërsa numri i rasteve rritet.

Ja postimi i tij i plotë:

“Unë jam mjek dhe specialist i sëmundjeve infektive. Kam qenë në këtë detyrë për më shumë se 20 vjet, duke ndjekur përditë pacientë të sëmurë. Kam punuar në spitalet e qendrës së qytetit, por edhe në lagjet më të varfëra të Afrikës. HIV-SIDA, Hepatiti, TB, SARS, Fruthi, Shingles, Difteria … ka shumë pak sëmundje, ndaj të cilave nuk jam ekspozuar në profesionin tim. Dhe me përjashtim të SARS-it, shumë pak më ka lënë të ndjehem i brishtë, i tronditur apo tërësisht i frikësuar.

Unë nuk kam frikë nga Covid-19. Jam i shqetësuar për pasojat e një agjenti të ri infektues, që është përhapur në të gjithë botën dhe vazhdon të gjejë shtigje të reja, në terrene të ndryshme. Me të drejtë jam i shqetësuar për mirëqenien e atyre që janë të moshuar, në gjendje të dobët shëndetësore ose pa ndihmë, të cilët vuajnë më së shumti, dhe në mënyrë disproporcionale, në duart e këtij ndëshkimi të ri. Por, unë nuk kam frikë nga Covid-19.

Ajo që më frikëson është humbja e arsyes dhe vala e frikës, që i ka shtyrë masat e shoqërisë në një spirale magjepsëse paniku, duke magazinuar sasi të pazakonte nga çdo gjë, që do të mund të mbushte mjaftueshëm një vendstrehim bombardimesh, në një botë post-apokaliptike. Jam i trembur nga maskat N95 që vidhen në spitale dhe urgjenca, ku në fakt nevojiten më shumë për ofruesit e shërbimeve mjekësore në vijën e parë të frontit, dhe në vend të kësaj jepen në aeroporte, qendra tregtare dhe kafene, duke shkaktuar edhe më shumë frikën dhe dyshimet e të tjerëve.

Mua më tremb fakti që spitalet tona do të tejmbushen me njerëz që mendojnë se “ndoshta nuk e kanë virusin, por sido që të jetë le të kontrollohen një herë, sepse ku i dihet…”, ndërkohë që të tjerë që kanë probleme me zemrën, emfizemë, pneumoni, apo stroke do të paguajnë çmimin e Urgjencave të mbushura plot, ndërkohë që numri i doktorëve dhe infermierëve është i kufizuar.

Unë kam frikë se kufizimet e udhëtimit do të zgjerohen kaq shumë, saqë martesat do të anulohen, ceremonitë e diplomimit do të zbrazen dhe takimet familjare nuk do të materializohen. Edhe ajo festë e madhe që quhet Lojërat Olimpike… edhe ajo mund të anulohet. A mund ta imagjinoni?

Kam frikë se këto frikëra për epideminë do të kufizojnë tregtinë, dëmtojnë partneritetet në shumë sektorë, do të dëmtojnë bizneset dhe do të arrijnë kulmin tek një recesion global.

Por mbi të gjitha, kam frikë për mesazhin që po u përcjellim fëmijëve tanë, kur përballen me një rrezik. Në vend të arsyes, racionalitetit, mendjes së hapur dhe altruizmit, po u themi që të panikosen, të kenë frikë, të jenë dyshues, reagues dhe egoistë.

Covid-19 nuk ka ikur dhe nuk do të ikë së shpejti. Ai do të vijë në një qytet, një spital, një mik, madje edhe një pjesëtar familje pranë jush, në një moment. Priteni. Mjaft pritët që të befasoheni më tutje. Fakti është që vetë virusi nuk do të bëjë aq dëm kur të vijë. Por vetë sjelljet tona dhe qasja “lufto mbi të gjitha për vete”, mund të rezultojë shkatërrimtare.

Ju lutem të gjithëve. Zbuteni frikën përmes arsyes, panikun përmes durimit dhe pasigurinë përmes edukimit. Kemi një shans për të mësuar shumë mbi higjenën shëndetësore dhe për të kufizuar përhapjen e sëmundjeve të shumta të transmetueshme në shoqërinë tonë. Le ta përballojmë këtë sfidë së bashku, në frymën më të mirë të dhembshurisë, durimit dhe mbi të gjitha, një përpjekjeje të pandalshme për të kërkuar të vërtetën, faktet dhe dijen përballë hamendësimit, spekulimit dhe katastrofizimit.

Fakte, jo frikë! Duar të pastra! Zemra të hapura. Fëmijët tanë do të na falënderojnë!

 

Të fundit