Shkollat virtuale mund të të paraqesin më shumë rreziqe për shëndetin mendor dhe mirëqenien e fëmijëve dhe prindërve sesa të mësuarit normalisht.
Sipas një studimi të botuar të enjten, 25 mars, nga CDC (Qendrat Amerikane për Kontrollon dhe Parandalimin e Sëmundjeve), mund të nevojitet më shumë mbështetje për t’u marrë me efektet e pandemisë, shkruan CNN.
Prindërit, fëmijët e të cilëve ndoqën shkollën online, ose bënë një kombinim mes të mësuarit në shkolla dhe të mësuarit online, kishin më shumë të ngjarë të raportonin rritje të rrezikut nga 11 në 17 në treguesit e mirëqenies së fëmijëve dhe prindërve.
Studiuesit panë përgjigjet e një sondazhi nga tetori dhe nëntori i vitit 2020, nga 1290 prindër me fëmijë të moshës 5-12 vjeç. Thuajse 25% e prindërve raportuan përkeqësim të shëndetit mendor ose emocional te fëmijët e tyre.
Këta prindër kishin më shumë gjasa të thoshin se fëmijët e tyre ishin më pak aktivë fizikisht dhe kalonin më pak kohë jashtë dhe me miqtë.
“Dallimi është si nata me ditën, veçanërisht për fëmijët e mi. E normalizuam këtë mënyrë të të mësuari, por s’ka asgjë normale në të”, shprehet Stephanie Kokinos, nënë e dy fëmijëve.
Kokinos ka dy vajza, 5 dhe 7 vjeç. Ajo është aktualisht e papunë dhe bashkëshorti i saj punon nga shtëpia.
“As nuk mund ta imagjinoj si do ishte nëse do punoja. Kjo ka qenë vërtet një punë me kohë të plotë, vetëm për t’u siguruar që nevojat e tyre të plotësohen nga pikëpamja akademike, por dhe nga ana emocionale.”
Sipas sondazhit, prindërit e fëmijëve që ndiqnin mësimin online, kishin më shumë gjasa të raportonin humbjen e punës, shqetësime mbi stabilitetin e punës, sfidat e kujdesit për fëmijët etj. Rreth 43% raportuan shqetësime emocionale.