Të dyshosh apo të dëgjosh që fëmija juaj ka ADHD, ose e njohur ndryshe edhe si ADD, mund shkaktojnë shumë ndjesi. Ti fillon të mendosh për simptomat, vlerësimin dhe si mund të ndihmosh. Në fakt, 11% e fëmijëve të moshës 4-17 vjeç (6.4 milionë fëmijë) në Amerikë janë diagnostikuar me çrregullimin e deficitit të vëmendjes dhe hiperaktivitetit, sipas një studimi nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). Sipas ekspertëve, ndihma më e mirë që mund t’i jepni fëmijës është të mësoni sa më shumë për ADHD-në.
Çfarë është ADHD?
Një mënyrë e mirë për të kuptuar ADHD-në është të kuptosh çfarë nuk është ADHD-ja. Ajo nuk vjen si rezultat i të qenët prind i keq ose se fëmija është dembel apo i pabindur. ADHD është një gjendje biologjike që e bën të vështirë për fëmijën të qëndrojë në një vend dhe të përqendrohet. Ka disa zona të ndryshme të trurit që kontrollojnë aftësinë e fëmijës për t‘u përqendruar dhe për të ndaluar. Këto zona mund të jenë më pak aktive dhe zhvillohen më ngadalë tek fëmijët me ADHD. Kjo ndodh më shumë në lobin frontal dhe mund të ndikojë në balancën e disa kimikateve të trurit. Gjithashtu, mund të shpjegojë pse fëmija juaj ka probleme të socializohet me bashkëmoshatarët. ADHD nuk ikën me kalimin e viteve. Simptomat mund të ndryshojnë gjatë viteve, por ADHD është një gjendje që zgjat tërë jetën. Por, kjo nuk do të thotë që fëmija juaj nuk mund të jetë i lumtur dhe i suksesshëm. Ka shumë strategji efektive dhe opsione të trajtimit të ADHD. Fëmijët (dhe familjarët) janë të gjithë të ndryshëm, prandaj jo të gjithë opsionet mund të funksionojnë. Duhen prova dhe gabime për të parë çfarë i përshtatet fëmijës dhe familjes suaj. Gjetja e strategjisë së duhur dhe përmirësimi ndikon pozitivisht tek të gjithë.
Tre llojet e ADHD-së
Për një pjesë të njerëzve u vjen në mend ADHD sapo përmendet hiperaktiv ose jashtë kontrollit. Nëse fëmija juaj nuk i ka këto simptomat, përcaktimi i diagnozës së ADHD është e vështirë. Fëmijët të cilët nuk janë hiperaktivë shpesh nuk diagnostikohen herët.
Ekzistojnë 3 lloje ADHD dhe 1 prej tyre nuk përfshin simptomat si sjelljet impulsive dhe hiperaktive.
- Prezantimi Hiperaktiv-Impulsiv: Fëmijët që vuajnë nga ky tip kanë simptomat e hiperaktivitetit dhe e ndiejnë të nevojshme të lëvizin vazhdimisht. Ata gjithashtu luftojnë me kontrollin e impulsit.
- Prezantimi kryesisht i pavëmendshëm: Fëmijët të cilët kanë këtë tip të ADHD-së kanë vështirësi të kushtojnë vëmendje. U tërhiqet shpejt vëmendja, por nuk kanë problem me impulsivitetin apo hiperaktivitetin. Shpesh i referohen si çrregullimi i vëmendjes.
- Prezantimi i kombinuar: Ky është lloji më i përhapur dhe ka të gjithë simptomat e përshkruara më lart.
Sa e përhapur është ADHD-ja?
Ka një shkallë të vlerësimit sa fëmijë janë të prekur nga ky çrregullim: nga 5% sipas DSM-5 te 11% sipas DSN-5, sipas një studimi të kryer në vitin 2011, ku janë pyetur prindërit nëse fëmijët e tyre ishin diagnostifikuar më ADHD. Djemtë kanë më shumë gjasa të diagnostifikohen me ADHD se sa vajzat.
Çfarë e shkakton ADHD-në?
Hulumtuesit nuk e kanë gjetur saktësisht çfarë e shkakton ADHD-në. Por kanë identifikuar faktorët, duke treguar se është një gjendje e bazuar në tru. Informimi se ka arsye mjekësore përse fëmija juaj flet në mënyrë konstante ose ëndërron me sy hapur të ndihmon për t’i parë gjërat në një perspektivë tjetër.
Shkaqet e ADHD-së përfshijnë:
- Gjenet dhe trashëgimia: Studimet kanë treguar se ADHD është gjenetike. Nëse fëmija juaj është diagnostikuar, ka shumë mundësi që edhe ju ta keni, ndonëse nuk jeni diagnostikuar. 35% e fëmijëve me ADHD kanë një nga prindërit ose një nga pjesëtarët e familjes me të njëjtin çrregullim.
- Dallime në tru: Disa zona të trurit mund të zhvillohen më ngadalë ose mund të jenë më pak aktive tek fëmijët me këtë çrregullim.
- Faktorët mjedisor: Sipas Institutit Nacional të Shëndetit Mendor, ekspozimi i foshnjave ndaj alkoolit dhe tymit të cigares mund të rrisë mundësinë e shfaqjes së ADHD-së.
Cilat janë simptomat e ADHD-së?
Simptomat e ADHD-së ndahen në tri kategori: hutim, impulsiv dhe shpërqendrim. Duhet të kalojë të paktën 6 muaj që fëmija juaj të diagnostikohet me çrregullim të deficitit të vëmendjes të hiperaktivitetit.
Shenjat e pavëmendjes
- Harrojnë gjërat, duket sikur ëndërrojnë dhe janë konfuz.
- E kanë të vështirë të përqendrohen dhe kalojnë nga një temë në tjetrën.
- Mërziten me një aktivitet nëse nuk është në pritshmërinë e tyre.
- E kanë të vështirë të organizohen dhe të përfundojnë detyrat.
- E kanë të vështirë të mësojnë gjëra të reja dhe të ndjekin udhëzime.
- Janë të zgjuar por nuk kuptojnë çfarë prisni prej tyre ose atë që kolegët e tyre i perceptojnë me lehtësi.
Shenjat e impulsivitetit
- Janë të paduruar dhe kanë problem të presin në radhë;
- Ndërpresin të tjerët dhe thonë gjëra të pamenduara;
- Reagojnë në mënyrë të ekzagjeruar ndaj ndjenjave dhe situatave emocionuese;
- Nuk kuptojnë pasojat e veprimeve të tyre.
Shenjat e hiperaktivitetit
- Flasin vazhdimisht;
- Lëvizin shumë edhe nëse janë të ulur;
- Lëvizin nga një vend në tjetrin shpejt dhe shpesh;
- Janë nervoz dhe luajnë me gjithçka;
- Kanë vështirësi të rrinë ulur gjatë vakteve apo aktiviteteve të qeta.
Kur shfaqen simptomat?
Në përgjithësi prindërit nuk i kuptojnë simptomat e ADHD-së deri në momentin që fëmijët fillojnë shkollën. Simptomat kryesore, si shpërqendrimi dhe pavëmendja, diagnostikohen gjatë shkollës së mesme, raporton Universiteti i Mjekësisë “John Hopkins”. Fëmijët parashkollorë kanë më tepër gjasa të diagnostikohen me kontroll të dobët të impulsivitetit dhe hiperaktiv në shkallë të rënduar. Akademia Amerikane e Pediatrisë nuk rekomandon diagnostikimin me ADHD nëse fëmija nuk i ka mbushur 4 vjeç. Kjo pasi në këtë moshë është e vështirë të përcaktojmë se çfarë është sjellje tipike e moshës dhe çfarë e çrregullimit.
Simptomat mund të ndryshojnë gjatë viteve
Simptomat e ADHD-së mund të ndryshojnë pasi kalojnë disa vite. Për shembull, disa simptoma si ajo e hiperaktivitetit mund të zbuten me rritjen e moshës, por vështirësitë me organizimin dhe menaxhimin e kohës mund të bëhen më të dukshme me fillimin e shkollës, sidomos në 9-vjeçare ose në shkollë të mesme.