Me kalimin e viteve, ndikimi i alkoolin në trupin tuaj ndryshon. Ndërsa disa ndryshime dallohen menjëherë, ndryshimet e tjera janë pak më delikate.
“Efektet e alkoolit në tru varen nga mosha dhe zakonet e përditshme të konsumit”, thotë Dr. Kristen Willeumier. “Me plakjen, ndryshime specifike strukturore dhe funksionale ndodhin në tru, duke përfshirë hollimin e korteksit cerebral, tkurrjen neuronale etj.”, shkruan Well&Good.
Një studim i neuroimazherisë në tetor të vitit 2008, botuar në JAMA Neurology, vëzhgoi 1,839 pjesëmarrës të moshës 33 deri 88 vjeç dhe zbuloi se nivelet më të larta të konsumit të alkoolit shoqëroheshin me vëllim më të vogël të trurit. Rezultate të ngjashme pati dhe një studim i botuar në gusht të vitit 2020, në revistën Nature Scientific Reports.
“Korteksi parafrontal dhe hipokampusi janë të prekshëm nga procesi i plakjes dhe një rënie e vëllimit të trurit në këto rajone mund të kontribuojë ndjeshëm në dëmtimet e kujtesës. Konsumi i alkoolit ka një ndikim të shtuar në trurin e plakur, veçanërisht në këto rajone thelbësore për funksionin njohës.”
Konsumi mesatar dhe i rëndë, pra katër ose më shumë pije në ditë, është i dëmshëm për funksionin e trurit. Etanoli mund të ketë një efekt neurotoksik në tru, duke çuar në dëmtime strukturore dhe funksionale të trurit, citon Anabel.
Pirja e madhe mund të ndikojë në funksionin vaskular për shkak të përgjigjes inflamatore dhe stresit oksidativ, duke rritur rrezikun e hipertensionit, sëmundjes koronare të zemrës, goditjes në tru etj.
Përdorimi i rëndë i alkoolit shoqërohet me një rrezik në rritje edhe të dementias. Një studim i qershorit 2018, botuar në The Lancet Public Health, “zbuloi se në një grup prej 1,109,343 rastesh të dementias, kishte një lidhje të çrregullimeve të konsumit të alkoolit me të gjitha llojet e dementias.
Ndërsa ndikimet afatshkurtra të alkoolit si ulja e përqendrimit, humorit dhe ndryshimet e kujtesës mund të zhbëhen shpejt, kini kujdes pasi ndikimet afatgjata janë shpesh të pakthyeshme.