spot_img

Artikuj të ngjashëm

Vetëdëmtimi

“Dëmtimi i vetes” i referohet një sjelljeje (si vetëplagosja ose mbidoza e ilaçeve apo drogës) që është ndërmarrë për qëllim dëmtimin e trupit të një personi. Njerëzit dëmtojnë veten për arsye të ndryshme – nganjëherë si përgjigje ndaj ndjenjave ose mendimeve të vështira ose të dhimbshme, ndonjëherë sepse ata duan që jeta e tyre të ndryshojë në një farë mënyre. Arsyet për vetëlëndimin dhe ashpërsinë e vetëdëmtimit variojnë, por e rëndësishme është që të gjitha situatat të konsiderohen “serioze”, sepse mund të ketë pasoja serioze për mirëqenien dhe të ardhmen e një personi. Vetëdëmtimi është një shenjë që tregon se individi ka vështirësi të përballojë stresin dhe vështirësitë në jetë.

Dëmtimi i vetes është më pak i dobishëm sesa mënyrat e tjera të përballimit për disa arsye. Kjo mund të shkaktojë dëme të përhershme në trup dhe rrit rrezikun e vetëdëmtimit të mëtejshëm dhe vetëvrasjes.

Shumë të rinj që dëmtojnë veten nuk ia tregojnë askujt. Ata mund të ndihen të vetmuar, por e vërteta është se ofrohet ndihmë. Nëse keni besim te një prind, mësues, këshilltar ose një i rritur tjetër, mund të jetë e dobishme të flisni me ta për këtë gjë. Biseda në këtë mënyrë mund të ofrojë një mundësi që ju të filloni të kuptoni arsyet pse mund të jeni dëmtues të vetes. Gjithashtu, mund t’ju ndihmojë të njihni problemet që po përjetoni. Për shembull, disa të rinj që dëmtojnë veten përjetojnë poshtërime nga moshatarët e tyre, vështirësi në shtëpi, presione në shkollë ose probleme të tjera, të cilat mund të kapërcehen me përkrahjen e të tjerëve. Ndihma është në dispozicion. Mjeku i përgjithshëm mund t’ju ndihmojë drejtpërsëdrejti, ose t’ju referojë te një këshilltar, psikolog ose psikiatër, me të cilin mund të diskutoni mbi këtë gjë dhe problemet e lidhura me të. Ndarja e përvojave të vetëdëmtimit me një profesionist ose person që ju i besoni, është një hap i rëndësishëm drejt zvogëlimit të rrezikut për dëmtim të mëtejshëm të vetes.

Nëse dikush i afërt me ju është në këtë situatë, është e rëndësishme t‘i flisni hapur, edhe pse mund ta keni të vështirë të kuptoni se përse po dëmton qëllimisht veten. Nëse ai ju tregon për vetëdëmtimet, do të thotë që është i hapur të kërkojë ndihmë nga të tjerët. Është e rëndësishme të mos premtoni që ju do ta mbani të fshehtë këtë situatë. Një sekret si ky është një barrë e madhe për ju. Nuk duhet ta përjetoni mbi kurrizin tuaj këtë situatë, ndaj, është mirë të kërkoni ndihmë. Disa hapa që mund të merrni për të ndihmuar një shok:

  • Ju mund të pyesni mikun tuaj nëse do të ndihej rehat po ta diskutonte me një prind, mësues, mjek, ose këshilltar.
  • Gjithashtu mund të jetë e dobishme që ju ta shoqëroni mikun tuaj kur ta diskutojë me një person që i beson.
  • Nëse mendoni se personi që kryen vetëdëmtim është në rrezik të menjëhershëm, mund t’ju duhet t’i besoni një të rrituri të besuar, edhe nëse i riu në fjalë refuzon të pranojë ndihmë.

Të fundit