HomeArtikujAnkthiAnkthi dhe Covid-2019
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Ankthi dhe Covid-2019

Në situatat kur ne përjetojmë stres dhe ankth të shtuar, sistemi ynë imunitar koncentrohet në luftimin e stresit dhe të ankthit, kështu mbetet pak energji për të luftuar virusin. Për nga forma e reagimit në situata të reja, psikologjia ka identifikuar tipin A dhe tipin B të personalitetit. Tipi A është ai tipi që zemërohet lehtë e shpejt, që nuk ka durim dhe është më konfliktuoz. Tipi B nga ana tjetër, është më i relaksuar e i vetkontrolluar, i merr gjërat më qetë dhe rrallë e gjen në konflikte.

Të parët, në situata shqetësuese përjetojnë më shumë stres se të dytët, rrjedhimisht edhe shëndeti i tyre, si fizik ashtu edhe ai mendor është më i dobët.

Në përgjithësi, reagim stresues është çdo reagim i yni ndaj situatave të panjohura, të vështira dhe kërcënuese për mirëqenien tonë fizike, emocionale dhe relacionale. Rrjedhimisht, reagimi ynë ndaj situatës stresuese mund të jetë i dyllojshëm:

Adaptiv: si pasojë e stresit, ne mobilizohemi për të larguar rrezikun dhe tejkaluar situatën e vështirë.

Maladaptiv: kur stresi vazhdon dhe shfaqet edhe pas kalimit të situatës (pa ndonjë shkaktar të jashtëm) dhe bëhet kronik.

Përgjigja e zakonshme e organizmit tonë ndaj situatave stresuese është gjithashtu e dyllojshme:

 

  1. Lufto – nëse rreziku është i ballafaqueshëm, ose
  2. Ik – nëse rreziku është më i madh se kapacitetet tona ballafaquese

 

Ndër të tjera, ky aktivizim diadik bëhet përmes sistemit tonë nervor autonom dhe shoqërohet edhe me tajitje të hormoneve të epinefrinës dhe norepinefrinës, të cilat i shpeshtojnë të rrahurat e zemrës, frymëmarrjen dhe në përgjithësi e rrisin zgjimin tonë fiziologjik.

Më specifikisht, organizmi ynë kalon nëpër tri faza gjatë ballafaqimit me stresorët:

 

Faza 1: Gjendja e alarmit, me që rast niveli i stresit është akoma i ulët dhe personi provon t’i mbledhë resurset ballafaquese;

Faza 2: Rezistenca, në këtë fazë stresi është i lartë dhe personi ballafaqohet aq sa mundet me stresin;

Faza 3: Rraskapitja, nëse personi nuk gjen mënyra për ta mposhtur shkaktarin e stresit, mëson të bëhet më pak i ndjeshëm ndaj stresit.

 

Gjersa individi bëhet më pak i ndjeshëm në aspektin subjektiv ndaj stresit, kjo ndër të tjera se i duhet të merret me gjërat e tjera jetësore, koston e gjendjes stresuese zakonisht e paguan trupi ynë.

Personat me stres të shtuar, zakonisht tregojnë presion më të lartë të gjakut që mund të rezultojë edhe me bllokim të enëve të gjakut dhe anomalive tjera të sistemit kardiovaskularë. Madje, në konceptimet multidisciplinare të shëndetit, flitet edhe për sëmundje psikofiziologjike, të tilla si hipertensioni, dhimbjet e kokës, të shpinës, të lukthit etj.

Ndërlidhja e aspektit mendor dhe atij fizik vërehet edhe në rastet e problemeve më të zakonshme, por edhe atyre më të pazakonta shëndetësore. Për shembull, hulumtimet kanë gjetur se edhe ftohjet dhe gripat e zakonshëm i prekin më shumë personat e stresuar. Madje edhe sindroma të atillë si ai i HIV-it, janë gjetur më të pranishëm tek personat e stresuar skajshëm.

E gjithë kjo ndërlidhje e funksionimit biofiziologjik dhe atij mendor, specifikisht me nivelin e stresit të përjetuar, ka të bëjë me sistemin tonë imunitar, që e kanë të përbashkët si ana jonë fizike ashtu edhe ana jonë mendore. Limfocitet e tipit B dhe T, zakonisht janë ato që i atakojnë qelizat patologjike të tilla si viruset kur ato e atakojnë organizmin tonë.

Në situatat kur ne përjetojmë stres dhe ankth të shtuar, sistemi ynë imunitar koncentrohet në luftimin e stresit dhe të ankthit, kështu mbetet pak energji për të luftuar virusin. Nga e gjithë kjo që u tha më sipër, na del se nga coronavirusi mund të mbrohemi në dy mënyra:

– së pari, përmes ruajtjes dhe mbrojtjes së shëndetit fizik, para së gjithash duke evituar ekspozimin ndaj virusit dhe,

– së dyti, përmes ruajtjes dhe fuqizimit të shëndetit mendor, ngaqë duke fuqizuar shëndetin tone mendor dhe duke shmangur stresin dhe ankthin e tepërt, ne drejtpërsëdrejti e fuqizojmë sistemin tonë imunitar dhe jemi më të suksesshëm në ballafaqim me sëmundjen.

Mirëmbajtja e shëndetit të mirë mendor dhe higjienës mentale, mund të themi se përfshinë të gjitha aspektet e jetës sonë, dhe në rrethana të vështira si këto të tanishmet, është më e vështirë për t’u realizuar.

Sidoqoftë, gjithmonë ka shumë që mund të bëhet për ta rritur gjendjen tonë shpirtërore dhe shmangur ballafaqimet e pakëndshme. Kur ballafaqohemi me situata të komplikuara dhe shqetësuese si kjo e tanishmja, me qëllim për të shmangur stresin e skajshëm dhe rritur efektivitetin ballafaques, rekomandohet që sa më shumë të investohemi në zgjidhjet e mundshme të problemit, të kemi sa më shumë skenarë, mendime, opsione për të tejkaluar problemin, e sa më pak të fokusohemi në vet problemin dhe emocionet që na i shkakton ai.

Me fokusim jashtë problemit mund të kuptojmë edhe fokusimin në aktivitetet që mund t’i realizojmë në kushte izolimi. Nga ana tjetër, nëse u kushtojmë shumë vëmendje emocioneve negative dhe vet problemit, ato rriten dhe sadopak na e vështirësojnë ballafaqimin me situatën.

Në këtë drejtim, është e rëndësishme që mos ta perceptojmë vetën si viktima pasive të situatës. Nëse e shohim vetën si fatkeq dhe të pafuqishëm për t’u ballafaquar me ndodhi të këqija, do të jemi më pak të motivuar për t’u mobilizuar karshi me problemin.

Në anën tjetër, nëse mbajmë një pikëpamje optimiste, me fokus në atë se çfarë mund të bëjmë ne në ballafaqim me problemin, patjetër që do të jemi më efikas në ballafaqim e sipër. Madje, edhe një disponim dhe humor i mirë është shumë i dobishëm në rrethana të tilla.

Jo më pak e rëndësishme për mos t’u mposhtur nga stresi, është edhe përkrahja sociale. Hulumtimet kanë zbuluar se kur ne kemi një rreth të mirë social, me njerëz që na duan, na mbështesin dhe na ofrojnë siguri, edhe procedurat mjekësore të tilla si operacionet, injektimet, transfuzionet e gjakut dhe qëndrimi në spital përjetohen më lehtë, dhe përgjithësisht janë më të suksesshme. Shto këtu faktin se shumica e probleme mendore i atakon personat me një pozicionim të varfër social.

Ushtrimet fizike dhe relaksimi tregojnë efekte të ngjashme si antistresantë të mirë, gjithashtu. Dihet mirëfilli se ushtrimet fizike rrisin energjinë, disponimin dhe vetëbesimin gjersa ndikojnë për të zvogëluar emocionet negative dhe ankthin, kështu ato janë një fuqizues i rëndësishëm i sistemit tonë imunitar.

Aktivitetet relaksuese dhe medituese, shpeshherë kanë dalur të kenë efekte të shpejta në përmirësimin e gjendjes mendore, rrjedhimisht edhe efektivitetit të sistemit tone imunitar.

Në një tabor të ngjashëm mund të fusim edhe leximin. Hulumtime të shumta kanë kuptuar se gjersa ne lexojmë me vëmendje të fokusuar dhe pa shpërqendrime libra të mirë, sidomos klasikët e letërsisë, truri dhe mendja jonë i nënshtrohet një procesi shumë të dobishëm të sintetizimit dhe ekuilibrimit të energjive mendore. Biblioterapia është një shpikje e kësaj natyre.

Për fund për nga renditja, por jo për nga rëndësia, mund të përmendim edhe pikëpamjen e përgjithshme mbi botën dhe spiritualitetin si e ndërlidhur ngushtë me shëndetin tonë fizik e mendor. Studimet nga vende dhe kultura të ndryshme kanë nxjerrur se, një pikëpamje e përgjithshme optimiste mbi jetën, me tendencë të fokusimit në pozitiven dhe pikat tona të forta, ndihmon shumë më shumë në ballafaqime me situata të vështira, krahasuar me një qasje pesimiste dhe katastrofalizuese.

Efekti dobiprurës vërehet edhe në përmirësimin e shëndetit mendor dhe mirëqenies emocionale, e bashkë me to edhe të imunitetit organizmik, por gjithashtu përmirësimet janë të dukshme edhe në ballafaqimin praktik me situatën.

Personat spiritual nga ana tjetër, duke i përfshirë ata që zhvillojnë një të kuptuar më universal të ekzistencës dhe besojnë në të përtejshmen, gjithashtu karakterizohen nga një qasje më shpresëdhënëse, koherente dhe optimiste në situata të tilla.

N.T.

 

Të fundit