Nëse jeni përgjegjës për fëmijën tuaj, a do të thotë kjo se ju jeni përgjegjës për sjelljen, notat, martesën e tyre ndërsa rriten?
Prindërimi është gjithmonë në zhvillim, por ndonëse flitet shumë për mënyrat e shëndetshme të rritjes së fëmijëve, prindërit e gjeneratave të reja vazhdojnë të bien në “kurth” me format e gabuara që ndjekin, ndonëse janë më shumë të mirëinformuar, ndonëse nuk duan të bëjnë gabimet që prindërit e tyre kanë bërë me ta. Ky fakt përfshin arsye të ndryshme: trendet e kohërave me kërkesat për sukses, mirëqënia ekonomike, karakteristikat psikologjike të prindërve etj.
Prindër “tepër mbrojtës”, “me axhenda” dhe “përmbushës të dëshirave”janë prindërimet që dominojnë kohët moderne që po jetojmë, stile që paraqiten tërësisht të kundërta nga ato të mëparshmet tradicionale (autoritative) i ka dëmtuar fëmijët duke gjeneruar gjithmonë e më shumë fëmijë delikat, të brishtë, të paaftë për tu përballur me sfidat e jetës, adoleshentë arrogantë, materialistë, indiferentë, me vetëvlerësim të ulët, mendjemëdhenj por me besim të zbrazët, të cilët duke mos përjetuar rreziqe inskenojnë e modelojnë ato që shohin në YouTube, Insta, TikTok, duke mos arritur të përjetojnë diçka kuptimplote.
Frika për sigurinë e fëmijës, deri diku e justifikuar për kohërat që jetojmë, kur teprohet pengon fëmijët të jenë të pavarur duke i bërë prindërit të rrezikojnë gjithnjë e më pak në lirinë e fëmijës: mos dil, kujdes se makinat, kujdes mos rrëshqasësh, kujdes nga droga, nga kriminelët…
Kujdesi i tepruar për të ruajtur fëmijën e për të evituar çdo vuajtje të mundshme po gjeneron situata deri diku komike: kaskë për të mos hyrë uji në sy gjatë larjes, mbrojtëse gjunjësh, rripa sigurie pafund, GPS për monitorim të vazhdueshëm e të mos flasim për ushqimet… kaq shumë kujdes nuk u lë kohë të shohin se po dështojnë në përgatitjen e fëmijëve për një botë që nuk do të jetë pa rrezik por dhe i pengon fëmijët të krijojnë eksperiencat e tyre: duke i hyrë uji në sy fëmija kupton që herë tjetër t’i mbylli syçkat, duke u vrarë tek gjuri mëson të jetë më i kujdesshëm etj.
Studimet mbi këtë problem tregojnë se nëse një fëmijë nuk luan jashtë dhe nuk lejohet kurrë të përjetojë një çarje të lëkurës apo një kockë të thyer, ata shpesh kanë fobira si të rritur.
Fëmijët duhet të rrëzohen disa herë për të mësuar se është normale; adoleshentët kanë nevojë të përjetojnë vuajtjen e ndarjes nga dashuria e parë për të vlerësuar pjekurinë emocionale që kërkojnë marrëdhëniet e qëndrueshme.
Dhimbja, vuajtja, në fakt, janë të nevojshme për pjekurinë e zhvillimin e shëndetshëm psikofizik. Fëmijëria vërtet duhet të lidhet me sigurinë dhe vetëvlerësimin, por ndërsa një fëmijë rritet, rreziku, gabimet, dështimet janë domosdoshmëria për të formuar identitetin dhe besimin në aftësitë tij.
Duke i lënë jashtë eksperiencave (rrezikut) sot kemi të rinj arrogantë, të fryrë por të brishtë brenda tyre.
Gjithashtu, fëmijët e prindërve që nuk pranojnë rrezikun kanë rezultate më të ulëta testimi dhe kanë pak më pak gjasa të ndjekin kolegjin krahasuar me fëmijët e prindërve me qëndrime më tolerante ndaj rrezikut, duke u reflektuar në aftësinë njohëse të fëmijëve.
Fëmijët zhvillojnë lobin frontal të trurit të tyre kur ndërmarrin rreziqe, që do të thotë se ata përballen me pasojat, të mësojnë rrezikun sipas kushteve të tyre.
Sipas një studimi nga University College London, sjellja e rrezikut shfaqet gjatë adoleshencës dhe pengimi për t’i lënë të rrezikojnë mund të shpjegojë pse kaq shumë të rinj të moshës 22 dhe 35 vjeç jetojnë ende në shtëpi ose nuk kanë filluar karrierën e tyre ose nuk kanë patur e nuk kanë një marrëdhënie serioze në terma afatgjatë.
Adoleshentët janë të prirur të marrin më shumë rreziqe se çdo grupmoshë tjetër. Truri i tyre i programon për ta bërë këtë. Është pjesë e rritjes. Ata duhet të testojnë kufijtë, vlerat dhe të gjejnë identitetin e tyre gjatë këtyre viteve.
Fëmijët duhet të mësojnë nëpërmjet përvojës, pasojat e sjelljeve të caktuara.
Ndërmarrja normale e rrezikut në moshën katërmbëdhjetë ose pesëmbëdhjetë vjeç i përgatit ata për vendime të tilla si: rreziqet e largimit nga shtëpia, fillimit të një karriere ose martesës. Mjerisht, mesazhi “siguria në radhë të parë” që shumë prej prindërve u japin fëmijëve është: “mos merrni kurrë rrezik” dhe rezultati është ky që shohim.
Duke hequr rrezikun e vështirësive (detyrat t’i bën mami, lëre se e plotëson mami formularin, i themi babit ta zgjidhi problemin me atë çunin) pengon përjetimin social,emocional e intelektual të fëmijës duke i bërë të paaftë për problematika të ndryshme. Sot, disa fëmijë janë bërë paranojakë ndaj dhe një dështimi të vogël fare.
Disa ekspozime ndaj rreziqeve dhe përvojave sfiduese lejojnë që mekanizmat e përballimit të fëmijëve të maturohen. Këto janë aftësi elastike të jetës që do të përballojnë pakënaqësinë, fatkeqësitë, dështimet dhe thyerjet e zemrës në të ardhmen.
Megjithatë, fëmijëve të mbimbrojtur e të llastuar nuk u jepen këto mundësi. Ata vendosen në një flluskë xhami larg botës reale dhe mbrohen nga realitetet lënduese, nga realite që mund t’ju mundësojnë pjekurinë e tyre për t’i bërë më të fortë për botën e rrezikshme që i pret.