HomeFokusPse njerëzit u besojnë gënjeshtrave?
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Pse njerëzit u besojnë gënjeshtrave?

Mediat sot janë mbushur me njerëz që kanë jetuar një gënjeshtër.

Elizabeth Holmes, sipërmarrësja e bioteknologjisë, në vitin 2015 u shpall miliarderja femër më e re dhe më e pasur. Ajo tani përballet me 20 vjet burg për mashtrim. Më pas është Anna Sorokin – e njohur ndryshe si Anna Delvey, e cila pretendoi se ishte një trashëgimtare gjermane e një pasurie të madhe, dhe më pas i grabiti shoqërisë së lartë të Nju Jorkut qindra-mijëra dollarë. Dhe Shimon Hayut, i njohur si Simon Leviev – i ashtuquajturi TInder Swindler. Ajo që i bashkon të gjithë këta njerëz nuk janë vetëm gënjeshtrat që u kanë thënë të tjerëve – por gënjeshtrat që duhet t’i kenë thënë vetes. Secili prej tyre besonte se veprimet e veta ishin disi të justifikueshme dhe – kundër të gjitha gjasave – besonin se nuk do të zbuloheshin kurrë. Herë pas here, ata dukej se mohonin realitetin – dhe tërhiqnin të tjerët në mashtrimet e tyre. Mund të shpresosh se kjo lloj sjelljeje është një fenomen relativisht i rrallë, i kufizuar në disa situata ekstreme. Por vetë-mashtrimi është tepër i zakonshëm dhe mund të ketë evoluar për të sjellë disa përfitime personale. Ne gënjejmë veten për të mbrojtur imazhin tonë për veten, gjë që na lejon të veprojmë në mënyrë imorale, duke ruajtur një ndërgjegje të pastër. Sipas studimeve më të fundit, vetë-mashtrimi mund të ketë evoluar edhe për të na ndihmuar të bindim të tjerët; nëse fillojmë të besojmë gënjeshtrat tona, është shumë më e lehtë t’i bëjmë edhe njerëzit e tjerë t’i besojnë ato.  Ky studim mund të shpjegojë sjelljen e diskutueshme në shumë fusha të jetës – edhe përtej mashtrimeve të viteve të fundit që kanë mbushur titujt e mediave. Duke kuptuar faktorët e ndryshëm që kontribuojnë në vetë-mashtrim, mund të përpiqemi të dallojmë se kur ai mund të ndikojë në vendimet tona dhe të parandalojmë që këto mashtrime të na çojnë në rrugë të gabuar.

 

Ruajtja e Egos

Çdo psikolog do t’ju thotë se studimi i vetë-mashtrimit në mënyrë shkencore është një kokëçarje. Nuk mundesh që thjesht të pyesësh dikë nëse po mashtron veten, pasi kjo ndodh në të nënvetëdijshmen. Si rezultat, eksperimentet janë shpesh shumë të ndërlikuara. Le të fillojmë me studimin e Zoë Chance, një profesoreshë e asociuar e marketingut në Universitetin Yale. Në një eksperiment gjenial të vitit 2011, ajo tregoi se shumë njerëz, në mënyrë të pandërgjegjshme përdorin vetë-mashtrimin për të forcuar egon e tyre. Një grupi pjesëmarrësish iu kërkua të bënte një test IQ, me një listë të përgjigjeve të shtypura në fund të faqes. Siç mund të pritet, ata performuan dukshëm më mirë se një grup që nuk kishte përgjigjet e pyetjeve. Megjithatë, ata dukej se nuk e dinin se sa shumë ishin mbështetur në “fletën me pëgjigje ” – përderisa parashikuan se do të dilnin po aq mirë në një test të dytë, që përmbante njëqind pyetje të tjera, pa ofruar përgjigjet. Në njëfarë mënyre, ata kishin mashtruar veten duke menduar se i kishin ditur zgjidhjet e pyetjeve, pa pasur nevojë për ndihmë. Për të qenë e sigurt për këtë përfundim, Chance përsëriti të gjithë eksperimentin me një grup të ri pjesëmarrësish. Këtë herë, megjithatë, pjesëmarrësve iu dha një shpërblim financiar për parashikimin e saktë të rezultateve të tyre në testin e dytë; besimi i tepërt do të vinte me një penalitet. Nëse pjesëmarrësit ishin të vetëdijshëm për sjelljen e tyre, mund të pritet që ky stimul të reduktonte besimin e tepërt të tyre. Në realitet, nuk ndikoi aspak për të shfryrë fluskën e vetëbesimit të fryrë të pjesëmarrësve; ata ende e mashtronin veten duke menduar se ishin më të zgjuar se sa ishin, edhe kur e dinin se do të humbnin para. Kjo sugjeron që besimet ishin të vërteta dhe të thella – dhe çuditërisht të forta. Nuk është e vështirë të shihet se si mund të zbatohet kjo në jetën reale. Një shkencëtar mund të mendojë se rezultatet e veta janë reale, pavarësisht përdorimit të të dhënave mashtruese; një student mund të besojë se ka fituar vendin e tij në një universitet prestigjioz, pavarësisht se ka bërë me hile në test.

 

Sinqeritet moral

Përdorimi i vetë-mashtrimit për të rritur imazhin për veten është vërejtur tani në shumë kontekste të tjera. Për shembull, Uri Gneezy, një profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, ka treguar së fundmi se mund të na ndihmojë të justifikojmë konfliktet e mundshme të interesit në punën tonë. Në një studim të vitit 2020, Gneezy u kërkoi pjesëmarrësve të merrnin rolet e këshilltarëve ose klientëve të investimeve. Këshilltarëve iu dhanë dy mundësi të ndryshme për t’u marrë në konsideratë – secila prej tyre vinte me risqe të ndryshme dhe përfitime të ndryshme. Atyre iu tha gjithashtu se do të merrnin një komision nëse klienti do të zgjidhte një nga dy investimet. Në një grup testimi, këshilltarëve iu tha për këtë shpërblim të mundshëm që në fillim të eksperimentit, përpara se të fillonin të shqyrtonin opsionet e ndryshme. Ndërsa ata në dukje po zgjidhnin zgjedhjen më të mirë për klientin, ishin të prirur të shkonin me zgjedhjen që ishte e favorshme për veten e tyre. Në pjesën tjetër të grupeve të testuara, këshilltarëve iu tregua për këtë shpërblim të mundshëm, vetëm pasi u ishte dhënë pak kohë për të peshuar të mirat dhe të këqijat e secilës zgjedhje. Kësaj radhe pak prej tyre zgjodhën të linin shpërblimin të ndikonte në vendimin që merrnin; ata mbetën të ndershëm ndaj qëllimit të tyre për t’i dhënë këshillat më të mira klientit. Për Gneezy, fakti që njohja e përfitimeve personale ndikoi vetëm në vendimin e pjesëmarrësve në skenarin e parë, sugjeron që vetë-mashtrimi i tyre ishte i pavetëdijshëm; ndryshoi mënyrën se si ata po llogaritnin përfitimet dhe risqet, pa qenë të vetëdijshëm për paragjykimet, në mënyrë që të mund të mendonin se po vepronin sërish në interes të klientëve. Në skenarin e dytë, do të kërkohej një ndryshim i plotë të mendjes, gjë që do të ishte më e vështirë të justifikonin me veten e tyre. “Ata thjesht nuk mund ta bindnin veten se do të vepronin në mënyrë etike,” thotë ai. Në këtë mënyrë, vetë-mashtrimi është një mënyrë për të mbrojtur ndjenjën tonë të moralit, thotë Gneezy. “Kjo do të thotë që ne mund të vazhdojmë ta shohim veten si njerëz të mirë,” thotë ai – edhe kur veprimet tona sugjerojnë ndryshe. Kjo formë e vetë-mashtrimit mund të jetë më e dukshme për këshilltarët financiarë, por Gneezy mendon se mund të jetë gjithashtu e rëndësishme për kujdesin shëndetësor privat. Pavarësisht se do kishte qëllime të mira, një mjek në mënyrë të pandërgjegjshme mund ta mashtronte veten duke menduar se trajtimi më i shtrenjtë do ishte më i miri për pacientin – pa e dalluar as vetë-mashtrimin e vet, thotë ai.

 

Duke bindur veten, duke bindur të tjerët

Ndoshta pasoja më befasuese e vetë-mashtrimit ka të bëjë me bisedat tona me të tjerët. Sipas kësaj teorie, vetë-mashtrimi na lejon të jemi më të sigurt në atë që themi, gjë që na bën më bindës. Nëse po përpiqeni të shisni një produkt të dyshimtë, për shembull, do të jeni bindës nëse vërtet besoni se është një pazar me cilësi të lartë – edhe nëse ka prova që sugjerojnë të kundërtën. Kjo hipotezë u propozua fillimisht disa dekada më parë, dhe një punim i fundit nga Peter Schwardmann, asistent profesor i ekonomisë së sjelljes në Universitetin Carnegie Mellon, SHBA, ofron disa prova të forta për këtë ide. Ashtu si studimi i Chance, eksperimentet e para të Schwardmann filluan me një test IQ. Pjesëmarrësve nuk iu dhanë rezultatet, por pas përfundimit të testit, ata duhej të vlerësonin privatisht se sa mirë mendonin se kishin dalë. Më pas ata bënë një test bindjeje: duhej të dilnin përpara një jurie kinse punëdhënësish dhe të bindin panelin për aftësitë e tyre intelektuale – me një shpërblim të mundshëm prej 15 euro nëse gjyqtarët besonin se ata ishin ndër më të zgjuarit në grup. Disa njerëzve iu tha për detyrën e bindjes përpara se të vlerësonin besimin në performancën e tyre, ndërsa të tjerëve iu tha më pas. Në përputhje me hipotezën, Schwardmann zbuloi se kjo ndryshoi vlerësimet për aftësitë e tyre: njohuria paraprake që ata kishin për të bindur të tjerët rezultoi në një mbibesim më të madh në aftësitë e tyre, krahasuar me ata të cilëve nuk u ishte thënë ende. Nevoja për të bindur të tjerët i kishte shtyrë të mendonin se ishin më të zgjuar, nga sa ishin në të vërtetë. Ai e përshkruan këtë si një lloj “refleksi”. Më e rëndësishmja, eksperimentet e Schwardmann-it treguan se vetë-mashtrimi dha rezultat; vetëbesimi i tepërt i pabazuar me të vërtetë rriti aftësinë e njerëzve për të bindur punëdhënësit.

 

Të marrësh anë

Schwardmann tani ka vëzhguar një proces të ngjashëm në turnetë e debateve. Në këto ngjarje, pjesëmarrësve u jepet një temë dhe më pas u caktohet rastësisht një këndvështrim që duhet argumentuar – përpara se t’u jepen 15 minuta për të përgatitur argumentet e tyre. Gjatë debatit, ata më pas gjykohen se sa mirë e paraqesin kauzën e tyre. Schwardmann testoi bindjet personale të pjesëmarrësve rreth temave përpara se t’u caktohej pozicioni i tyre, pasi të kishin filluar të formulonin argumentet e tyre dhe pas vetë debatit. Në përputhje me idenë se vetë-mashtrimi ka evoluar për të na ndihmuar të bindim të tjerët, ai zbuloi se mendimet personale të njerëzve ndryshuan ndjeshëm pasi u ishte thënë se në cilën anë të debatit do të duhej të debatonin. “Besimet e tyre private u zhvendosën drejt anës që u ishte dhënë, vetëm 15 minuta më herët – për t’i bashkërenduar me objektivat e tyre të bindjes,” thotë Schwardmann. Pas debatit, pjesëmarrësve iu dha mundësia të ndajnë shuma të vogla parash për bamirësi – të përzgjedhura nga një listë e gjatë organizatash të mundshme. Schwardmann zbuloi se ata ishin shumë më të gatshëm të zgjidhnin organizata që përputheshin me pozicionin e argumentit të tyre – edhe pse fillimisht ky argument ishte zgjedhur rastësisht. Shumë nga opinionet tona mund të jenë formuar në këtë mënyrë. Në politikë, mund të ndodhë që një aktivisti, të cilit i kërkohet të prezantojë një temë të caktuar, të bindë veten se është mënyra e vetme për ta parë këtë temë – jo sepse i ka vlerësuar me kujdes faktet, por thjesht sepse i kanë kërkuar ta argumentojë atë temë. Në të vërtetë, Schwardmann dyshon se ky proces mund të qëndrojë pas pjesës më të madhe të polarizimit politik që shohim sot.

 

Iluzione madhështie

Në të gjitha këto mënyra, truri ynë mund të na mashtrojë për të besuar gjëra që nuk janë të vërteta. Vetë-mashtrimi na lejon të fryjmë mendimin tonë për aftësitë që kemi, në mënyrë që të besojmë se jemi më të zgjuar se të gjithë rreth nesh. Kjo do të thotë që ne i shpërfillim pasojat e veprimeve tona mbi njerëzit e tjerë, në mënyrë që të besojmë se në përgjithësi po veprojmë në një mënyrë morale. Dhe duke mashtruar veten për vërtetësinë e besimeve tona, ne tregojmë bindje më të madhe në mendimet që kemi – gjë që, nga ana tjetër, mund të na ndihmojë të bindim të tjerët. Ne nuk mund ta dimë kurrë se çfarë po kalonte me të vërtetë në mendjet e Holmes, Sorokin apo Hayut dhe mashtruesve të tjerë – por është e lehtë të spekulohet se si disa nga këta mekanizma mund të kenë qenë në veprim. Së paku, këta mashtrues duket se kanë pasur opinione anomalisht të larta për aftësitë e tyre dhe të drejtën për të marrë atë që duan – dhe ata me kënaqësi kanë hequr dorë nga implikimet e mundshme etike të asaj që po bënin. Holmes, në veçanti, duket se ka besuar në produktin e vet dhe është përpjekur të justifikojë përdorimin e të dhënave mashtruese. Megjithë të gjitha provat për të kundërtën, ajo ende deklaroi në gjyq se “kompanitë e mëdha të pajisjeve mjekësore si Siemens mund të riprodhonin lehtësisht atë që ne kishim bërë”. Hayut, ndërkohë, ende pretendon se është “zotëria më i madh”, që nuk kishte bërë asgjë të keqe. Schwardmann pajtohet se mund të jetë e mundur që disa mashtrues të jetojnë në gënjeshtra tepër të përpunuara. Ai thekson se disa madje shfaqin një lloj zemërimi të sinqertë kur merren në pyetje, i cili mund të jetë i vështirë për t’u falsifikuar. “Ndoshta kjo është një shenjë se ata vërtet e pranojnë gënjeshtrën e tyre,” thotë ai. Me sa duket, dëshira për status social duket se rrit prirjen e njerëzve për vetë-mashtrim. Kur njerëzit ndihen të kërcënuar nga të tjerët, për shembull, ata kanë më shumë gjasa të fryjnë perceptimet për aftësitë e veta. Mund të ndodhë që sa më të mëdha të jenë veprimet, aq më të mëdha janë gënjeshtrat që jemi në gjendje t’i themi vetes. Shumicën e kohës, vetë-mashtrimi ynë mund të jetë i mirë – duke na lejuar të ndihemi pak më të sigurt në vetvete. Por ia vlen gjithmonë të jemi të vetëdijshëm për këto tendenca – veçanërisht nëse jemi duke marrë vendime që mund të na ndryshojnë jetën. Ju nuk do dëshironit të mashtronit veten në lidhje me rreziqet e shkurtimeve në punën tuaj aktuale, ose gjasat e suksesit nga një lëvizje karriere aventureske, për shembull. Një mënyrë e mirë për të shuar të gjitha llojet e paragjykimeve është të “konsideroni të kundërtën” e përfundimeve tuaja. Teknika është po aq e drejtpërdrejtë sa tingëllon: ju përpiqeni të gjeni të gjitha arsyet që besimi juaj mund të jetë i gabuar, sikur të jeni duke marrë në pyetje veten tuaj. Studime të shumta kanë treguar se kjo na bën të mendojmë në mënyrë më analitike për një situatë. Në testet laboratorike, ky arsyetim sistematik rezulton të jetë shumë më efektiv sesa thjesht t’u thuash njerëzve të “mendojnë racionalisht”. Kjo është e mundur vetëm nëse mund të pranoni të metat tuaja, natyrisht. Hapi i parë është pranimi i problemit. Ndoshta ju mendoni se nuk keni nevojë për këtë këshillë; vetë-mashtrimi godet vetëm të tjerët, ndërsa ju jeni krejtësisht të sinqertë me veten tuaj. Nëse po, ky mund të jetë mashtrimi juaj më i madh nga të gjithë.

Të fundit