HomeFokusMarrëdhëniet e atashimit prind-fëmijë
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Marrëdhëniet e atashimit prind-fëmijë

Që në zanafillë të studimeve të tyre, shumë teoricienë që janë marrë me zhvillimin e fëmijës. I është kushtuar një vëmendje të posaçme llojit të lidhjes që formohet mes fëmijës dhe përkujdesësit të tij/saj parësor që në të shumtën e rasteve është nëna.  Megjithatë vetëm Xhon Bolbi (John Bowlby 1969) ndërtoi një sistem të tërë teorik mbështetur te kjo lidhje.

Atashimi është një lidhje e fortë emocionale që krijohet mes përkujdesësit parësor dhe foshnjës dhe që plotëson nevojat e këtij të fundit për siguri, në mënyrë të qëndrueshme dhe të parashikueshme ( Bowlby, 1969; Ainsworth, 1979).

Lidhja atashuese fillon që pa lindur ende foshnja, kur nëna i transmeton atij ngrohtësi dhe ndjesi  pranueshmërie ose mesazhe stresuese përmes hormoneve të stresit që mendohet se ndikojnë  trurin në zhvillim të tij në sajë të ndryshimeve në nivelin e neurotransmetuesve, të cilët  ndikojnë  funksionimin e aksit hipotalamus-hipofizë-veshka (Cozolino, 2006). Që në shtatzëni shkëndija spontane nervore shkaktojnë lëvizje të pjesëve të formuara të embrionit në mënyrë refleksive. Këto lëvizje aktivizojnë dhe rrisin zhvillimin nervor derisa kthehen në lëvizje komplekse, të qëllimshme dhe të vullnetshme (Cozolino, 2006). Sa më i sigurtë mjedisi,  aq më të lehtë dhe si rrjedhojë edhe të shpeshtë do të jenë për foshnjën hapat drejt eksplorimit që kënaq kuriozitetin dhe nevojat e tij.Në këtë proces kaq të hershëm përveç pranisë së vazhdueshme fizike, nëna apo një figurë tjetër zëvendësuese lipset që kujdesin ta shfaqë duke mbështetur nismat eksploruese të fëmijës dhe duke i shoqëruar ato sikurse edhe sjelljet e saj të tjera kundrejt fëmijës me fjalë që transmetojnë siguri dhe qetësi. Është e ditur se zëri i nënës përbën ftesën e parë në mjedisin njerëzor. Paçka se fjalët e veçanta janë të pakuptimta për foshnjën, toni dhe prozodia e zërit të nënës bëhen shpejt të njohura për të (Cozolino, 2006).

Rol shumë të rëndësishëm kanë edhe sjelljet joverbale. Të tilla janë: prekja në mënyrë që foshnja të familjarizohet me aromën e trupit të nënës dhe të ndjejë ngrohtësinë e saj. Foshnjat mësojnë shpejt të dallojnë aromën e gjirit të nënës (Cozolino, 2006). Edhe kontakti i vazhdueshëm me sy dhe buzëqeshja e herëpashershme vlen për të treguar se ajo është e gatshme për kërkesat dhe nevojat e tij. Të porsalindurit munden në fakt të njohin fytyrat familjare pak orë pas lindjes së tyre (Cozolino, 2006).

Të gjitha sa u përshkruan më lart janë të një rëndësie të çmuar, sepse prej ecurisë së tyre varet jo vetëm mirëqenia e fëmijës në atë periudhë, por trajtohen edhe marrëdhëniet e mëvonshme të fëmijës. Pra, sipas teorisë së atashimit, themelet e marrëdhënieve që çdonjëri prej nesh ndërton me të tjerët vendosen atëherë kur ne as që jemi të ndërgjegjshëm për këtë. Ka sigurisht një mënyrë sesi brendësohen këto përvoja. Në këtë moment zhvillimi vepron kujtesa emocionale dhe senso-motore e foshnjave në veprimtarinë e së cilës marrin pjesë amigdala, talamusi, truri i vogël dhe strukturat prefrontale (paraballore) të mesme dhe të orbitës (të syrit) (Cozolino, 2006).  Këto kujtime të hershme përbëjnë bazën ku ndodh zhvillimi i mëvonshëm psikologjik.

Nëna sipas Çarls Bollas (1987) është një objekt transformues, pra një person që përmes veprimeve të saj ndryshon sensin e foshnjës për veten, përpara se ai të formojë një përfaqësim mendor për nënën (Atkinson, L dhe Zucker, K.J, 1997). Është e kuptueshme se kur foshnja nuk merr gjithë çka u përmend më lart, apo i merr ato në mënyrë të papërshtatshme lindin trauma që e shoqërojnë fëmijën edhe përgjatë jetës së tij si i rritur, shpeshherë pa pasur mundësi as të zbulojë burimin e vërtetë të saj. Kujtesa implicite ofron ripërjetimin e ndjesive, por jo ngjarjet në vetvete siҫ ndodh me llojet e tjera të kujtesës. Truri jo vetëm që analizon ngjarjet e shkuara, por edhe ndërton dhe ndryshon në mënyrë dinamike parashikimet për të ardhmen bazuar në përvojat e së shkuarës (Schultz, 2000, Cozolino, 2006). Prandaj sjelljet e tij personi nuk i sheh si reagim ndaj një situate specifike, por si pjesë të vetes, si pjesë e “së keqes” ose paaftësisë së tij për të qenë më i aftë në zgjidhjen e problemeve (Cozolino, 2006). Mund të thuhet se procesi i lartpërmendur i vendimmarrjes për sjellje të caktuara është i rrënjosur në të pandërgjegjshmen e secilit si rezultat i marrëdhënies së përsëritur me qindra herë në një moshë aq të hershme sa personi nuk e sjell dot  në mendje. Ka një dakordësi për faktin se modeli i atashimit tek një fëmijë merret gjatë pesë viteve të para, pavarësisht se procesi vetë vazhdon gjatë gjithë jetës.

Sipas koncepteve atashuese është ndërveprimi me përkujdesësin dhe rrjetin e personave të tjerë ai që sjell brendësimin e një modeli, në të cilin fëmija vendos veten në qendër të botës që ai mund të perceptojë, duke u shfaqur kështu si një figurë narcistike. Foshnjat nën gjashtëmuajshe nuk kanë aftësi konjitive për t’i kushtuar vëmendje objektit në mendje (Knox, 2003), kështu që ato nuk shquajnë dot dallimin mes vetes dhe të tjerëve.  Në fakt fëmijët e shohin veten si pjesë të përkujdesësit të tyre deri rreth tetëmbëdhjetë muajsh (publikim i universitetit të Rohemptonit, 2002).  Sidoqoftë, analiza perceptuale e fëmijëve fillon të formohet që pas muajit të gjashtë të jetës, paçka se mungon ende aftësia për formimin e konceptit (Knox, 2003).

Një çështje për t’u parë mbetet prania e më shumë se një figure atashuese në jetën e fëmijës. Kjo duket si një çështje e koklavitur, sepse kalimi nga një përkujdesës tek një tjetër dhe më pas rikthimi tek përkujdesësi i parë nuk është aspak i thjeshtë. Nëse asnjëra prej figurave nuk ka atashim të shëndetshëm, kombinimi i llojeve të atashimit të përkujdesësve sjell te fëmija një lloj të caktuar atashimi që gjithsesi mund të jetë, përveçse i shëndetshëm. Në këtë këndvështrim është për t’u vlerësuar edhe harmonia e figurave atashuese me njëra-tjetrën, sikundër edhe pozicioni që përpiqen të mbajnë përkundrejt fëmijës. Duhet vërejtur nëse janë plotësues të njëri-tjetrit, përpiqen të jenë që të dy dominantë apo kryejnë sjellje që nuk shfaqin interesim emocional për fëmijën. Fëmija vetë përjeton një sërë vështirësish zhvillimore, sociale dhe emocionale, që përfshijnë paqëndrueshmërinë kronike të lidhur me humbjen dhe ndjenjat e braktisjes.

 

Llojet e atashimit

Në varësi të dhënies ose jo të sigurisë dhe mënyrës sesi është dhënë, mund të dallojmë përmes sjelljeve tre tipe atashimi:

 

Atashimi i sigurtë

Foshnjat e klasifikuara me marrëdhënie atashimi të sigurtë shfaqin konfidencë në marrëdhëniet e atashimit. Kur nëna kthehet ata përpiqen t’i afrohen asaj pozitivisht dhe duken të interesuar të çliruar dhe të gëzuar. Nëse janë të shqetësuar duan që t’i marrësh në krahë dhe menjëherë qetësohen nga prania dhe vëmendja që prindi i kushton. Te bebet me atashimit të sigurtë sikurse pritet ka më shumë sjellje eksploruese të ambientit sesa atashim-kërkuese. Kur ishin me nënën e tyre ato ishin eksplorues aktivë dhe shfaqin fare pak sjellje atashuese. Shumica e tyre mërziteshin me episodet e ndarjes dhe eksploronin më pak. Të gjithë i përgjigjeshin fort rikthimit të nënës dhe shumica kërkonin kontakt të ngushtë trupor me të. Në studimet vëzhguese në shtëpitë e tyre, u pa që nënat e këtyre foshnjave ishin të përgjegjshme, emocionalisht në dispozicion të fëmijës dhe të dashura. Bebet me atashim të sigurtë ia dilnin mbanë me stresin e ndarjeve të shkurtra, sepse kishin besim në përgjegjshmërinë e prindërve të tyre. Këto foshnje ishin në gjendje të shprehnin ndjenjat e tyre lirshëm, përfshirë afektet pozitive dhe negative pa nevojën e mbrojtjes kundrejt ndjenjave negative. Ata tregonin besim në aftësinë e prindërve për t’i pranuar të gjitha llojet e ndjenjave të tyre dhe për t’i ndihmuar ata të rregullonin shqetësimin e tyre. Atashimi i sigurtë ka një ndikim pozitiv në zhvillimin e mëvonshëm.

 

Atashimi ambivalent

Foshnjat e klasifikuara ne ketë grup shfaqin një lloj sjelljeje të huaj që transmeton një nevojë të fortë për atashim, por gjithashtu dhe një mungese konfidence në vlefshmërinë e tij. Për pasojë reagojnë intensivisht ndaj ndarjes. Einsuorth (Ainsworth) i përshkruan: “Këta fëmijë ishin ankthiozë edhe në intervalet e para të ndarjes me nënën”. Të gjithë u mërzitën kur u ndanë. Në momentin e ribashkimit ata donin kontakt trupor të ngushte me nënat e tyre, por gjithashtu i rezistonin këtij kontakti fizik dhe ndërveprimi me të. Për shkak se nënat e tyre janë jo të ndjeshme ndaj sinjaleve të bebeve, këta humbasin konfidencën në atë se sa do t’u përgjigjet nëna nevojave të tyre. Kjo mënyrë e atashimit parashikon ç’rregullime të mëvonshme në aftësinë e fëmijës për sjellje autonome. Për shkak se fëmija nuk është i sigurtë nëse prindi do t’i përgjigjet apo jo sinjalit të tij, fëmija tenton të fokusohet në sjelljen dhe humorin e prindit, duke përjashtuar interesat e tjera. Studimet longitudinale e kanë lidhur këtë kategori të atashimit të bebeve me sjelljen e frenuar, mungesën e këmbënguljes, tërheqjen sociale, marrëdhëniet e varfra me bashkëmoshatarët në moshën parashkollore të fëmijëve.

 

Atashimi shmangës

Përshkohet nga strategji distancuese mes  fëmijës dhe nënës. Konsiston në sjellje përkujdesëse të pakta joverbale dhe emocione të pakta pozitive. Fëmijët me këtë lloj atashimi mësojnë se duhet t’ia dalin mbanë vetë dhe në dukje nuk shqetësohen nëse nëna është e pranishme ose jo. Zakonisht në rastet kur ajo largohet dhe më pas rikthehet, siç ndodh tek “situata e të panjohurit” e Einsuorth (Ainsworth), fëmija nuk tregon interes për të.  Sidoqoftë, vetë Einsuorth (Ainsworth, 1969), konstatoi se në varësi të lëvizjeve të nënës, ata kanë rrahje të shpeshtuara të zemrës. Fëmijët pak vite më pas zgjedhin të mos shprehen me figurën atashuese për çfarë i shqetëson në shkollë apo për problemet me shokët e tyre, për mosmarrëveshjet me vëllain a motrën apo për çfarë u bën përshtypje në sjelljet e të rriturve etj. Të rriturit me këtë lloj atashimi ndjejnë një mungesë të përhershme rehatie nga afërsia fizike me të tjerët.  Ata përpiqen të marrin llojin e marrëdhënies që përmbush nevojat e tyre pa krijuar afërsi të skajshme dhe sidomos pa marrë përgjegjësi mbi vete.  Këta persona kanë si shok më të mirë veten.  Intimitetet ia besojnë thjesht vetes. Meqenëse shmangin në mënyrë të qëndrueshme afërsinë me të tjerët ndërtojnë gradualisht strategji të tilla që të mund të mendojnë sa më pak për atë që i shqetëson, shpresojnë shqetësimin  e vërtetë. Bolbi (Bowlby) e ka emërtuar këtë vetëbesim i shtrënguar/i detyruar. Personat me atashim shmangës, siç u përmend, ndërtojnë edhe marrëdhënie shmangëse. Marrëdhëniet intime nuk bëjnë përjashtim.  Ata nuk pëlqejnë të merren me problemet, dëshirat, nevojat, mendimet e partnerit nëse ndonjëri prej këtyre aktivizon atë sistem atashimi që ata nuk duan ta sjellin në vëmendje. Madje për ta shmangur këtë me çdo kusht mund të bëhen edhe të vrazhdë në komunikim, duke tallur apo denigruar figurën e partnerit. Atashimi shmangës jep qëndrueshmëri brenda shmangies së vet, por nuk duhet ngatërruar kurrsesi me kuptimin klasik për atashimin e shëndetshëm.

 

Sa i përket atashimit me nënën, mendoj që duhet të kemi një ide e qartë për statusin e nënës në familjen e saj. Duke qenë ne banorë të një vendi me një kulturë me rrënjë patriarkale dhe njëkohësisht me ndikime të gjata historike nga kultura të huaja, jo rrallë të kundërta me njëra-tjetrën, nën ngurtësinë e një diktature dhe së fundi nën peshën e një tranzicioni të gjatë e të ashpër, statusi i femrave varion nga një zonë në tjetrën, nga një klasë shoqërore në tjetrën, nga familjet më të mëdha në ato më të vogla e kështu me radhë.

 

Mbi të gjitha, interesante është të vërehet sesi ndryshimet ne dinamikën kulturore ndikojnë në ndryshimin e dinamikave në marrëdhënien atashuese përkujdesës-fëmijë. Kultura ka një ndikim të drejtpërdrejtë mbi formimin e marrëdhënieve (Goodwin dhe Kunowska, 2004). Po ashtu ndryshimet e mëdha shoqërore mendohet të kenë ndikim së paku në llojin atashues të të rriturve, të cilët më pas i transmetojnë këto te marrëdhënia atashuese me fëmijën. Pra modelet e brendshme funksionuese, apo në termat e psikanalizës brendësimi i objektit ndikohet nga më shumë se prindërimi, i një forme të caktuar.

 

Duhet sqaruar se pavarësisht paragrafit të mësipërm, qëllimi i këtij punimi nuk është të gjejë ndikimet e atashimit dhe kulturës shqiptare te njëri-tjetri, por duket e vlefshme që në trajtimin teorik të përmenden ato elemente që ndikojnë pika të caktuara të marrëdhënies dhe që mund të përbëjnë fushë interesi për t’u lexuar apo studiuar.

Të fundit