HomeFokusKarizma
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Karizma

Pse miku juaj u duket simpatik të gjithëve, është ai gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe mendimet e tij vlerësohen shumë? Disa psikologë e quajnë magnetizëm shoqëror këtë aftësi për të tërhequr të tjerët nga vetja: është një dhunti e rrallë por e rëndësishme, sepse të qenit të këndshëm dhe komunikues ju ndihmon të shfrytëzoni mundësitë e dobishme, për të pasur sukses, jo vetëm në jetën personale, por edhe në jetën profesionale.    Sharmi nuk është më një mister

 

Por çfarë na bën magnetikë?

Ilan Dar-Nimrod, një studiues në Departamentin e Psikiatrisë në Universitetin e Rochester (SHBA), ka studiuar gjerësisht për të gjetur një përgjigje për këtë pyetje. Në Shtetet e Bashkuara, konkurenca sociale, veçanërisht midis adoleshentëve, ndihet fort: të jesh humbës, “loser”, është pothuajse një dënim shoqëror.  Atëherë, çfarë na bën magnetikë dhe çfarë na bën të përjashtuar, ka pyetur Dar-Nimrod. Ai e shpjegoi këtë në një studim të botuar në Revistën e Dallimeve Individuale. “Në moshën 13 vjeç,” thotë ai, ” më dhanë një palë syze dielli. Ndihesha cool, i lezetshëm: Mund t’i shikoja të tjerët, por ata nuk mund të më shikonin në sy. Mendova se kjo më jepte diçka misterioze dhe tërheqëse”. Ideja që tërheqim të tjerët nëse jemi misteriozë dhe nëse frymëzojmë respekt ka karakterizuar kulturën perëndimore për shumë dekada, por sot nuk është më ashtu, sipas studiuesit. Për ta demonstruar këtë, ai u dha tre pyetësorë një grupi njerëzish, duke u kërkuar të përcaktonin karakteristikat tipike të njerëzve magnetikë. Rezultati: sipas shumicës së përgjigjeve, është i mirë kush është i shoqërueshëm dhe plot interes dhe kush është në gjendje t’i ndajë ndjenjat e veta me të tjerët.

 

Lindja e karizmës

Nëse e mendojmë mirë, në fakt, gjithnjë e më shumë vlerësohet kush mes miqve dëshmon të jetë komunikues dhe i gatshëm të shkëmbejë një fjalë me të gjithë. Por ka edhe më shumë. Ronald Riggio, profesor i Udhëheqjes dhe Psikologjisë së Organizatave në Kolegjin Claremont McKenna (SHBA), ka identifikuar gjashtë aftësi, që ai beson se janë baza e karizmës. E para është saktësisht aftësia për të shprehur emocione. Më tej, vjen prirja për të interpretuar emocionet e të tjerëve, aftësia për t’i shprehur mirë ato, mënyra se si komunikojmë me gojë atë që mendojmë, interpretimi i situatave shoqërore dhe marrëdhënieve midis njerëzve dhe, në fund, aftësia jonë për të kaluar nga një marrëdhënieve ndërnjerëzore në tjetrën.

 

Të kesh fuqi mbi të tjerët

Emocionet janë pra të rëndësishme, por ato nuk janë gjithçka. Olivia Fox Cabane autore e Sekretit të Karizmës (Sperling & Kupfer) ka identifikuar tre karakteristika të tjera që na bëjnë magnetikë. Një nga këto është pushteti: njerëzit karizmatikë shpesh paraqiten si të pushtetshëm në kuptimin e “aftësisë për të ndikuar në botën përreth, qoftë përmes ndikimit ose autoritetit mbi të tjerët”. Kjo nuk do të thotë që ata e bëjnë atë në një mënyrë pozitive dhe altruiste: “Le të mendojmë për Adolf Hitlerin”, thotë psikologu dhe psikoterapisti Gennaro Romagnoli. “Me sa dimë, ai nuk ishte në gjendje të shprehte emocionet, dhe megjithatë ishte fort karizmatik. Në fund të fundit, shumë udhëheqës në histori nuk kanë qenë njerëz të ekuilibruar, por ata patjetër kanë qenë në gjendje të përfshinin të tjerët dhe t’i udhëzonin të gjëra edhe shumë idiote”. Sigurisht që jo të gjithë e bënë me terror, si Hitleri. Sipas psikologëve, ata që janë këmbëngulës kanë fuqi ndaj të tjerëve: domethënë, ata që dinë të shpallin idetë e tyre dhe të ndiqen nga të tjerët, pa qenë imponues, kërcënues apo mendjemëdhenj.

 

Ngrohtësia dhe vëmendja

Çelësi i dytë për magnetizmin është prania. “A ju ka ndodhur ndonjëherë, në bisedë me dikë,” shkruan Cabane, “të keni ndjenjën se mendjen e keni vetëm përgjysmë aty dhe gjysma tjetër endet gjetkë?” Në raste të tilla, ne i mbajmë të tjerët larg, sepse tregohemi të painteresuar. Fatkeqësisht, ndodh shpesh: një studim mbi 2,250 njerëz i kryer nga Daniel Gilbert, psikolog në Harvard (SHBA), ka treguar që për rreth gjysmën e kohës që ju kushtojmë marrëdhënieve, mendja jonë endet diku tjetër. “Me një prani të plotë, madje vetëm pesë minuta bisedë mund të jenë të mjaftueshme për të bërë përshtypje të bashkëbiseduesit, dhe për të vendosur një kontakt emocional”, vazhdon Cabane.  Ata që janë me ju në atë moment do të mendojnë se kanë marrë vëmendjen tuaj të plotë, dhe ky është hapi i parë drejt të qenit të këndshëm. Të shikosh bashkëbiseduesin në sy është në fakt një shenjë e disponueshmërisë dhe vëmendjes. “Karizma ju bën të ndjeheni si personi më i veçantë në botë”, shton Leil Loundes, autori i Si të lidheni menjëherë me këdo, i cili sugjeron që gjithmonë të projektoni dritën më parë mbi të tjerët dhe pasttaj mbi veten: “Karizmatikët janë altruistë dhe ne gravitojmë rreth tyre, dhe në dritën e veçantë që buron prej tyre”.

Shpesh njerëzit që tërheqin të tjerët janë gjithashtu bujarë, të gatshëm për të lënë një shenjë pozitive në botë. Në fakt, “ngrohtësia” është rregulli i tretë i Cabanes, një cilësi që vjen jo vetëm nga zemra, por edhe nga truri. “Kultivimi i interesave, njohja e sa më shumë gjërave të jetë e mundur, të mësuarit të dëgjoni, të dini se si të bëni një bisedë stimuluese janë sekretet për ta bërë veten intrigues dhe të dëshiruar”, shton Marco Pacori, psikoterapist dhe ekspert i gjuhës së trupit. Ekspertiza për atë që ne mund të bëjmë shkon paralelisht me altruizmin: sipas një studimi të kryer nga Susan Fiske, Amy Cuddy dhe Peter Glick nga universitetet e Princeton, Northuestern dhe Laurence (SHBA), ata që perceptohen si të ngrohtë dhe kompetentë prodhojnë emocione jashtëzakonisht pozitive ndërsa ata që shfaqen vetëm të ngrohtë, por që nuk kanë aftësi të veçanta, vlerësohen, por kanë më pak shanse të bëhen shoqërisht magnetikë. Megjithatë, magnetizmi nuk është i lindur.  Shumë studime tregojnë se praktika ndihmon për t’u bërë komunikues më të mirë. “Ajo që i shtyn njerëzit e këndshëm dhe të suksesshëm është pasioni që ata vendosin në atë që bëjnë dhe si e komunikojnë,” shpjegon Riggio. Edhe mënyra se si shfaqeni ndaj ë tjerëve ka rëndësi. Të ecurit me kokën lart dhe shpinën drejt, për shembull, na bën më të sigurt dhe më interesantë: në një studim të vitit 2008, studiuesit e Institutit të Teknologjisë në Masaçusets (USA) Media Lab treguan që ata mund të parashikojnë rezultatin e negociatave tregtare me një saktësi 87 përqind, duke analizuar gjuhën e trupit të pjesëmarrësve.

 

Spontaniteti fiton gjithmonë

“Në harkun e evolucionit njerëzor, shpikja e gjuhës është relativisht e vonë,” thotë Cabane. “Prandaj, komunikimi jo verbal është i gdhendur thellë në tru”. Gjëja e rëndësishme është që lëvizjet janë origjinale: “Aftësia për të komunikuar është e jashtëzakonshme tek njerëzit karizmatikë që shprehen në mënyrë harmonike, gjestet dhe fjalët e tyre përputhen në mënyrë të përkryer me emocionet dhe mesazhin që përcjellin”, thotë Romagnoli. Pra, nëse nuk jemi shumë të interesuar për tjetrin, mund të bëjmë të gjitha përpjekjet që duam por herët a vonë disa mendime që përpiqemi t’i fshehim, do të dalin në sipërfaqe. Rregulli i vetëm është gjithmonë i njëjtë: të jesh spontan.

Të fundit