Është një metodë “revolucionare” vëzhgimi, mbështetje dhe të mësuari për fëmijët. Mban emrin e studiueses dhe pedagoges italiane që e konceptoi dhe e vuri në jetë, Maria Montessori.
Bazohet mbi praktika edukimi të mbështetura në krijimtari, origjinalitet, në zgjidhjen e problemeve dhe në aftësimin e shprehive të jetës së përditshme.
Të mësuarit Montessori është i përqendruar tek puna dhe kërkimi individual i secilit fëmijë, më shumë sesa tek puna në grup e të mësuarit e përbashkët, si klasat tipike të shkollave tradicionale.
Disa nga vecoritë mbi të cilat bazohet kjo metodë për të punuar dhe edukuar fëmijët, janë:
- Aplikimi i saj mund të nisë që në moshën 2.5 vjecare.
- Grupet janë të përbëra me fëmijë që kanë diferencë 1-2 vjet me njëri-tjetrin, nuk janë të gjithë moshatarë.
- Klasa është një mjedis që përmban materiale të cilat i përgjigjen nevojave për zhvillim të fëmijëve, jo lodra tipike.
- Klasat janë të rregullta, të pastra dhe inkurajojnë pavarësinë.
- Punohet individualisht me cdo fëmijë, duke i mësuar konceptet përkatëse. Shpjegimi i koncepteve të reja bëhet vetëm kur fëmija është gati, në të kundërt nuk do të kishte rezultat.
- Fëmijët punojnë në bazë të zgjedhjeve dhe të aftësive të veta, jo me një program standard apo duke u krahasuar me të tjerët.
- Materialet e përdorura në klasat Montessori lejojnë vetëkorrigjimin. Vlera e tyre qëndron në mbrojtjen e vetëvlerësimit të fëmijëve nga pesha e gabimeve, të cilat sigurisht janë të pashmangshme përgjatë ecurisë së të mësuarit.
- Në pjesën më të madhe të kohës, fëmijët punojnë individualisht, me qëllim që të nxitet dhe kultivohet pavarësia.
- Fëmijët mësojnë konkretisht nëpërmjet materialeve dhe aktiviteteve praktike; jo vetëm teorikisht nëpërmjet teksteve shkollore.
- Fëmijët inkurajohen të përsërisin mësimet dhe aktivitetet e parapëlqyera sa herë kanë dëshirë, sepse nuk është kriter që të mësojnë një gjë të re cdo ditë, pasi përsëritja, përqendrimi, koha dhe vëzhgimi janë thelbësore në procesin e të mësuarit të fëmijëve sipas kësaj metode.
- Fëmijët orientohen të respektojnë punën e të tjerëve, duke mos i prekur, shpërqendruar apo shqetësuar të tjerët ndërkohë që punojnë.
- Fëmijët më të mëdhenj shpesh ndihmojnë më të vegjëlit për të vendosur materialet dhe mjetet e punës në vend.