Vetëkontrolli është një nga shtyllat e edukimit të fëmijëve. Aftësia për të kontrolluar dëshirat dhe emocionet, si për shembull qëndrimi ulur në parashkollor, mosndërprerja e të tjerëve, të mos shpërthejnë kur nuk ju pëlqen diçka, i përgatit ata për marrëdheniet shoqërore që do të ndërtojnë.

Nga studimet e kryera përgjatë viteve, rezulton se fëmijët që nuk kanë vetkontroll kanë pasoja afatgjata kur rriten, si për shembull shëndet i dobët fizik, rritje rasteve të papunësisë etj.

Megjithatë, ju si prindër mos u shqetësoni.

Sipas hulumtimeve të kryera së fundmi, ekziston një mënyrë e lehtë dhe efektive për ta vendosur fëmijën tuaj në rrugën e duhur.

Një studim i fundit nga Universiteti i Otagos në Zelandën e Re tregoi se prindërit që praktikojnë  lojëra të thjeshta dhe detyra të përditshme në kohëzgjatjen e duhur, i ndihmojnë fëmijët e tyre të mësojnë vetëkontrollin.

Sipas teknikës së tyre, prindërit duhet të luajnë 30 minuta çdo ditë me fëmijët lojëra të strukturuara si puzzle, dëgjim muzike, kërcim, hedhje me litar etj.

Nëpërmjet lojërave, fëmijët mësojnë se duhet të përqendrohen, të presin radhën, të planifikojnë lëvizjen e ardhshme dhe të menaxhojnë zemërimin kur humbin.

Gjashtëdhjetë familje me fëmijë në mes moshave 3 dhe 4 vjeçare morën pjesë në studim. Pas një ndjekjeje 12-mujore, u konstatua se metoda ishte shumë efektive në përmirësimin e sjelljes së fëmijëve. Kishte reduktime në hiperaktivitet, dhe agresivitet, dhe fëmijët mbajtën këto sjellje një vit më vonë, sipas raporteve të prindërve.