Në këto ditë ku qëndrojmë të izoluar në shtëpitë tona, duket që përpos ngarkesës emocionale, prindërit  pyesin dhe ngrenë shqetësimin e tyre lidhur me crregullimin e procesit të të ngrënit tek femijët.

“Djali im vetëm tek patatinat dhe biskotat e ëmbla e ka mendjen’- shkruan një mami.

“Sapo kishim nisur të aftësonim vetushqyerjen me vajzën, tani duket sikur do tja nisim nga e para, shumë e vështirë”- më shkruajtën prindër të tjerë.

Si rrjedhojë e ngarkesave emocionale dhe ndryshimit të rregjimit ditor, automatikisht ndryshojnë dhe proceset jetësore si gjumi, loja, ushqyerja etj. Le te qëndrojmë paksa tek procesi i ushqyerjes.

Goxha interesant është fakti që ky proces është i lidhur drejpërdrejt me gjendjen emocionale.
Fëmijët përgjithësisht priren të kërkojnë ushqime që më përpara izolimit e kanë ditur që hyjnë tek ushqimet “jo të shëndetshme”, shumë djathë, pica, ëmbëlsira, pije me gaz, prap shumë ëmbëlsira, patatina etj.
Prindër, duhet të tregohemi empatikë dhe ti kuptojmë këto dëshira ( të cilat dhe ne i kemi shpeshherë). Me shumë mundësi ndiheni të lodhur pak më shpesh dhe si rrjedhojë e shmangni gatimin e shumtë, kjo con dhe në gatimin e ushqimeve të shpejta, me kalori dhe ndoshta jo të shëndetshme. Është shumë e rëndësishme që të ruajmë normalitetin e këtij procesi, të hamë së bashku, të qëndrojmë të mbledhur së bashku gjatë vakteve,

Nutricistët tregojnë se mos balancimi i ushqimeve jo të shëndetshme këto ditë tek fëmijët, nuk do të thotë që fëmijët nuk do të hanë më shëndetshëm. Nëse në tavolinë ka disa lloje ushqimesh dhe fëmija zgjedh vetëm ato jo të shëndetshme, përpiquni pa ushtruar presion disipline të zgjedhin dicka që ju pëlqen. Sic e thashë dhe pak më sipër, duhet të tregohemi empatikë me fëmijët, njësoj sic do dëshironim që të tjerët të tregoheshin me ne.
Mjekët tregojnë se ky nuk është momenti i duhur për të nisur një dietë rigoroze ushqyerje, ndërsa psikolgët tregojnë se aroma e ushqimit dhe shijimi i ushqimeve të parapëlqyera, redukton gjendjen e stresit.

Pra, qëndron si gjetja e të mesmes së artë. Duhet të japim opsionin e ushqimeve te shëndetshme por na lejohet një “thyerje rregulli” përjashtimor.

Nëse fëmija juaj është i diagnostikuar me një crregullim dhe ju duhet të mbani një dietë më rigoroze atëherë prindërit kanë një detyrë disiplinore. Në të tilla raste është tepër e nevojshme ndarja e detyrave të shtëpisë.

Jepini fëmijëve më shumë mundësi zgjedhje ose një ushqim në disa forma zgjedhjesh. Bëjini pjesë të porcesit të gatimit ose dekorimit të pjatës apo tavolinës. Përpiquni që ndërkohë që fëmija ushqehet, i gjithë përqëndrimi I tij të jetë tek ky process. Jo sytë në televizor apo në ekranin e telefonit. Kështu ndjesia e ngopjes vjen më shëndetshëm dhe ushqimi shijon më shumë.

Prindër, nëse ju keni përjetuar këto ditë frikën ose merakun e mungesës ushqimore në supermarket, është mëse njerëzore. Kjo lloj frike mund të transmetohet dhe tek të vegjëlit tuaj. Nëse po përjetoni ndryshime në rregjimin ushqimor gjatë ditës tek fëmijët tuaj edhe kjo është mëse njerëzore. Prandaj është e rëndësishme të dijmë që ndihma më e madhe që mund ti japim të vegjëlve tanë këto ditë është ti bëjmë të ditur që nuk janë vetëm dhe se së bashku do të përvetësoni cdo proces jetësor.