spot_img

Artikuj të ngjashëm

Rrjetet Sociale

Studime të reja tregojnë se përdorimi i tepërt i rrjeteve sociale mund të jetë tepër ndikues në shëndetin mendor të adoleshentëve. Sa më shumë të përdoren mediat sociale aq më i lartë është risku për depresion.

Sipas një studimi të kryer nga Universiteti i Montrealit koha e shpenzuar përgjatë një viti në rrjetet sociale parashikon shfaqjen e simptomave të depresionit në po atë vit.


Si mund të jetë e lidhur kjo?

Sipas autorëve të studimit, mediat sociale dhe televizioni janë forma të medias që i ekspozojnë shpesh adoleshentët përballë imazheve të personave të cilët ndodhen në situata më të favorshme, si adoleshentë me trup perfekt e me stil luksoz jetese. Këta persona që shpesh promovohen si në rrejtet sociale po ashtu dhe në televizion mund të shkaktojnë ndenja inferioriteti te adoleshentët, duke bërë në disa raste që të ndiqen vazhdimisht nga adoleshentët dhe të kthehen edhe në një model për ta.

Studimi përfshiu rreth 4,000 adoleshentë kanadezë, të cilët u ndoqën nga mosha 12 deri në moshën 14 vjeçare. Çdo vit adoleshentët raportonin informacion rreth kohës së shpenzuar në rrjetet sociale, televizion, video lojra dhe në përdorimin e kompjuterit. Gjithashtu, adoleshentët plotësuan disa pyetësorë lidhur me simptoma të ndryshme të depresionit për gjatë 4 viteve që zgjati studimi.

Përdorimi i rrjeteve sociale dhe televizionit mbi mesataren shoqërohej me simptoma më të rënda të depresionit. Nga studimi i kryer u zbulua se sa më shumë kohë adoleshentët shpenzonin në rrjetet sociale apo përballë televizionit, aq më të rënda ishin simptomat e depresionit. Përdorimi i shumtë i video lojrave dhe kompjuterit nuk shoqërohej me simptoma depresioni.

Sipas autorëve të studimit gjetjet mund të jenë të dobishme në parandalimin e depresionit në adoleshencë. Mirë-koordinimi i kohës së shpenzuar nga adoleshentët në mediat sociale dhe përballë ekranit të televizorit mund të jetë një mënyrë për të ndihmuar të rinjtë të menaxhojnë humorin e ulët dhe të parandalojnë simptomat e depresionit.

Të gjitha këto gjetje kërkojnë që prindërit të jenë vigjilent e të ofrojnë kujdesin e nevojshëm.

Kohëzgjatja e përdorimit të rrjeteve sociale dhe televizionit nga adoleshentët duhet të rregullohet në mënyrë që të ndalohet zhvillimi i episodeve të depresionit dhe të reduktohen simptomat ekzistuese.

Shume njerëz mbajnë si shkaktarin kryesor të rritjes së nivelit të depresionit te të rinjtë përdorimin në masë të televonave smart në përgjithësi. Por rezultati i studimit ka treguar se veçanërisht përdorimi i mediave sociale dhe televizonit janë parashikues të rëndësishëm të depresionit në adoleshencë.

Studime të mëtejshme janë të nevojshme për të konfirmuar se përdorimi i mediave sociale lidhet me nivelin e lartë të depresionit në adoleshencë. Pavarësisht rezultateve, ky studim nuk arriti të faktojë një lidhje shkakësie midis depresionit dhe mediave sociale ose përdorimit të televizorit.

Previous article
Next article

Të fundit