HomeFokusSi e shfrytëzon ditën?
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Si e shfrytëzon ditën?

Jo domosdoshmërisht një i pasur lind dhe vdes i pasur, apo një i varfër lind dhe vdes i varfër. Kemi parë plot raste me persona të famshëm, të cilët kanë triumfuar në jetë. Më i diskutuari në media, ka qenë rasti i autores së librave të Harry Potter. Ishte thjesht pronare e një shtëpie në Britaninë e madhe. Nuk kishte lekë të blinte ushqime, aq sa merrte ndihma nga institucionet e ndihmës sociale. Ajo që dikur vuante për të ngrënë, sot shëtit nëpër botë me jahtet e saj.

Por çfarë e bën dikë të suksesshëm dhe dikë tjetër jo të suksesshëm? Nëse i lëmë disi mënjanë idetë se korrupsioni dhe miqësia e ngushtë të siguron një pozicion më të mirë punë, do të arrinim të gjithë në të njëjtin përfundim: ndryshimin tek vetja jonë e përbëjmë vetë ne. Të gjithëve na janë falur plot 86400 sekonda në ditë, por jo të gjithë arrijnë të korrin sukses në jetë.

Ti mund të jesh në varfëri ekstreme, por dëshira dhe vullneti për të ecur përpara mund të të bëjnë të qëndrosh një ditë në oborrin e famës. Mos e mendo diçka të tillë si të pamundur. Është plotësisht e mundur, nëse ti i përdor me mend 24 orët e ditës tënde.

A e dini se pse shumë njerëz ndërrojnë jetë me shumë ëndrra ende të parealizuara në sirtar? Thuhet se i tremben rrezikut, i tremben sfidave. Kurse unë besoj se, ata thjesht nuk mendojnë se mund ta arrijnë diçka të madhe vetë. Ata nuk besojnë se meritojnë gjithë të mirat e jetës. Por cili është përfitimi prej mungesës së vetëbesimit, kur askush nuk ka përfituar ndonjëherë prej tyre?

Nuk ka rëndësi se nga vjen. Nuk ka rëndësi se sa të varfër e ke familjen tënde. Nëse ti guxon, ke dëshirë dhe vullnet, ti mund t’ia dalësh në jetë. Sekreti? Shfrytëzojë kohën tënde me mend. Mjaft qëndrove nëpër rrjetet sociale me smarfonin tënd në dorë. Mjaft i pasurove kafenetë, duke e humbur kohën tënde kot. Përpiqu që çdo ditë t’i afrohesh një hap më shumë ëndrrave dhe dëshirave të tua. Ajo që ka rëndësi të kuptosh, është se një person me besim të fortë tek vetja, që i ka të qarta synimet se ku do të arrijë, nuk e ndal askush dhe asgjë.

E di çfarë kam vënë re në këto vite jete? Se dështaku zgjedh gjithmonë të justifikohet për dështimet e tij. Ne e dimë se si funksionon vendi ynë, por e dimë edhe se më të mirët nuk lihen pas dore. Ndoshta i shpërfill shteti, por i vlerëson privati, i vlerëson bota. Mjaft u justifikove, mjaft u ankove se shteti nuk të ofron gjë. Ne e dimë se sa e vështirë është të korrësh sukses në Shqipëri, jemi të vetëdijshëm për këtë gjë. Por dimë edhe se ka plot raste që ia kanë dalë. Pse të mos jesh ti rasti i radhës?

E përbashkëta e të gjitha rasteve, është se të gjithë kanë ditur të triumfojnë, pavarësisht dështimeve. Nuk ka rrugë pa pengesa, por në çdo pengesë e çdo rrëzim, nuk duhet të justifikohesh. Merre çdo dështim tëndin si një thirrje që ti duhet të ndryshosh, që ti duhet të përmirësohesh. Puno fort me veten. Lexo, studio, projekto çdo hap që do të hedhësh me shumë kujdes. Mendo edhe për të ardhmen tënde.

Një mënyrë shumë e mirë për të kuptuar nëse je në rrugën e duhur, është të mendosh se sa ke punuar këto ditë me ëndrrat e tua. Sa ke lexuar këto ditë? Sa ke investuar tek vetja jote? Me siguri, mendja jote do të sjellë përpara syve kohën që ke shpenzuar para celularit, para televizorit, ose në tavolinat e lokaleve. Kjo nuk është rruga e duhur që duhet të ndjekësh. Kjo rrugë nuk do të çojë gjëkundi.

Mos e humb kohën tënde kot, por kalite mirë vullnetin dhe shko drejt realizimit të ëndrrave të tua, sepse unë e di që edhe ti, ashtu si unë dhe të gjithë ne, ke plot ëndrra në sirtar. Ti mund të rrëzohesh, të bësh plot armiq gjatë rrugës, por kjo ka pak rëndësi nëse ti arrin drejt fundit që dëshiron të arrish.

Ke 24 orë që të dhurohen në një ditë. Suksesi yt varet vetëm nga mënyra se si i përdor këto 24 orë…

 

 

Të fundit