HomeFokusSi të rrisim fëmijë pozitivë
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Si të rrisim fëmijë pozitivë

Njerëzit pozitivë janë ata të cilët rrëmbejnë vëmendjen dhe zemrën e gjithkujt, të cilët karakterizohen nga mendësia pozitive, qasja e tyre inkurajuese dhe motivuese ndaj tjetrit, nga altruizmi, duke u kthyer kështu në një shembull admirimi për këdo që i has këta individë në jetën e vet.

Por si mund ta kultivojmë pozitivizmin që në fëmijëri?

Edukimi me ndjenja pozitive do të sillte përballjen me një botë ndryshe, më empatike, jo egoiste e ku mbizotërojnë marrëdhëniet dominuese. Duke mbjellë më shumë dashuri, paqe dhe të qenit më vlerësues dhe respektues ndaj vetes dhe tjetrit. Kjo, fillimisht duhet nisur nga vetë prindërit pasi ata janë pika e parë e referimit për fëmijët e tyre. Sa më të përmbushur dhe të lumtur janë ata me veten, aq më e lehtë është t’i drejtojnë fëmijët drejt këtij edukimi pozitiv.

Disa elementë që ndikojnë në vetëbesim që në fëmijëri, duke nxitur pozitivitetin në personalitetin e individit janë:

  • Nëse duam që fëmijët ta fitojnë këtë lloj vetëbesimi duhet t’i ndihmojmë ata duke u evidentuar pika e tyre te forta, duke folur me ta rreth aftësive të tyre dhe për sukseset e së tashmes, në ato që realizojnë qofshin dhe minimaliste.
  • Duartrokitjet dhe përgëzimet do ishin një feedback shumë i mirë për ata.
  • Tregojini atyre që çdo njeri është unik, ka personalitetin e tij dhe ka interesa të veçanta. Jo domosdoshmërisht duhet të jëmi të gjithë njësoj. Kërkojini atyre të shkruajnë një letër me atë që i bën ata unikë, apo të flasin rreth një talenti të veçantë të tyre.
  • T’i ndihmojmë të identifikojnë qëllimet e tyre dhe të bëjnë plane për t’i arritur ato.
  • Shmangni nënvlersimin e fëmijës tuaj. Kjo e pengon të përparojë më shumë duke i përcjellë mesazhin që ai nuk është i aftë apo mjaft i mirë në kryerjen e gjërave.
  • Të jemi pozitivë dhe të përpiqemi t’u themi gjëra të sjellshme dhe konstruktive çdo ditë.
  • Mos i kritikoni vazhdimisht; nëse u bëjmë komente negative duke i shprehur pakënaqësi, do të dekurajohen.
  • Shmangni etiketimet sidomos dhe në sy të tjerëve, si: i praptë, dembel, i ngadaltë etj, që do ndikonin shumë në vetëbesimin e fëmijës dhe në të ndjerit i paaftë në krahasim me të tjeret.
  • Jini vigjilent dhe mos injoroni kërkesat e tyre.
  • Kini interes për atë që fëmija po bën; vëmendja e prindërve do të thotë shumë për fëmijën, sepse ndihet i rëndësishëm dhe i përfshirë.
  • Mos e krahasoni me motrat, vëllezërit, apo me fëmijë të tjerë; duke u ndjerë i mos pranuar dhe duke ngjallur ndjenjat e zilisë dhe të konkurrencës.
  • Mos e shantazhoni kur ai nuk bën atë që ju i kërkoni, si pasojë kjo do t’i shkaktonte frikën ndaj të gabuarit, distancimin nga të tjerët, apo dhe të qënit rebelues në çdo gjë.
  • Flisni me ta rreth fenomeneve të ndryshme siç është varfëria, apo për individët me aftësi ndryshe, duke ngjallur tek ta ndjenjën e dhembshurisë, duke mos i përbuzur dhe duke zhvilluar dëshirën për t’u ardhur në ndihmë në forma të ndryshme.
  • Mos u impononi ëndrrat apo dëshirat tuaja të parealizuara, por lërini ata të të zgjedhin lumturinë e tyre duke ofruar mbështetje dhe mirëkuptim në mënyrë të pakushtëzuar edhe pse nuk zgjedhin atë që do t’ju lumturonte ju.
  • Jini ekspresiv ndaj tyre me fjalë dhe gjeste, duke i ndihmuar dhe ata që të nesërmen të dinë të tregojnë dashurinë apo vlerësimin që kanë ndaj të tjerëve.
  • Kultivoni tek ta mirënjohjen dhe falenderimin. Sa më mirënjohës të jetë një individ, aq më njerëzor dhe pozitiv do të ishte për veten dhe të tjerët.

Të fundit