HomeFokus Tipi ESFJ
spot_img

Artikuj të ngjashëm

 Tipi ESFJ

Ndryshe njihet edhe si OFRUESI

Përkrahni, nxitni dhe forconi njëri-tjetrin. Energjia pozitive që shpërndahet nga një njeri do ndihet nga të gjithë. Deborah Da

Njerëzit me këtë personalitet janë të famshëm- është e kuptueshme sepse janë një lloj personaliteti mjaft i shpeshtë duke përbërë 12 përqind të popullatës. Në gjimnaz, ESFJ-të janë nxitëset e tifozëve dhe qendërmbrojtësit, në qendër të vëmendjes dhe duke udhëhequr ekipet e tyre drejt fitores dhe famës. Më vonë në jetë, ata vazhdojnë të mbështesin miqtë dhe të dashuritë e tyre, organizojnë mbledhje shoqërore dhe bëjnë më të mirën që t’i bëjnë të gjithë të lumtur.

Në zemrat e tyre, ESFJ-të janë krijesa shoqërore dhe lulëzojnë kur qëndrojnë në hap me gjërat që i bëjnë shokët e tyre.

Diskutimi i teorive shkencore dhe debatet politike nuk janë shumë interesante për ESFJ-të. Ata janë më shumë të interesuar për modën dhe pamjen e tyre të jashtme, statusin shoqëror dhe pozitën e njerëzve të tjerë. Çështjet praktike dhe thashethemet janë specialiteti i tyre, sidoqoftë ESFJ-të bëjnë më të mirën që të përdorin fuqitë e tyre për të mirë.

Të respektosh Dijen e Udhëheqësisë

ESFJ-të janë altruistë dhe e marrin seriozisht përgjegjësinë e tyre për të ndihmuar dhe bërë gjënë e duhur. Ndryshe nga kushëritë e tyre Diplomatë, njerëzit me këtë personalitet bazojnë kodin e moralit në tradita dhe ligje të përforcuara, mbështeten te autoriteti dhe rregullat e nuk e bazohen te filozofia dhe misticizmi. Sidoqoftë është e rëndësishme që të mbajnë mend se njerëzit vijnë nga mjedise jetësore dhe perspektiva të ndryshme dhe çfarë atyre mund tu duket e drejtë nuk është gjithmonë e vërteta absolute.

ESFJ-ve u pëlqen shumë të jenë në shërbim të të tjerëve, kënaqen me role që u mundëson të marrin pjesë në një mënyrë të rëndësishme, për aq gjatë sa janë të vlerësuar dhe respektuar. Kjo është sidomos e dukshme në shtëpi ku ESFJ-të bëjnë partnerë dhe prindër besnikë dhe të përkushtuar. Ata respektojnë hierarkinë dhe e bëjnë më të mirën që të fitojnë autoritet, si në shtëpi ashtu edhe në punë, që u mundëson atyre t’i mbajnë gjërat të organizuara dhe të qëndrueshme për të gjithë. Mbështetës dhe të shoqërueshëm, ESFJ-të gjithmonë mund të gjinden në festa- janë ata që gjejnë kohë të flasin dhe të qeshin me të gjithë! Por, përkushtimi i tyre shkon përtej asaj që i bëjnë këto vetëm për shkak të detyrimit. ESFJ-ve vërtetë u pëlqen të dëgjojnë për aktivitetet dhe lidhjet e miqve të tyre, mbajnë mend detajet dhe janë gjithmonë të gatshëm të flasin me ngrohtësi dhe ndjeshmëri. Ata e kuptojnë nëse gjërat nuk po shkojnë mirë ose nëse ka tension në dhomë dhe mundohen të krijojnë harmoni dhe stabilitet në grup.

Pasi që janë shumë kundër konfliktit, ESFJ-të harxhojnë shumë energji për të krijuar rregull shoqëror dhe më shumë preferojnë planet dhe eventet e organizuara sesa aktivitetet spontane. Njerëzit me këtë personalitet mundohen shumë për aktivitetet që kanë organizuar. Është lehtë që tu lëndohen ndjenjat nëse idetë e tyre refuzohen ose nëse thjesht njerëzit nuk janë të interesuar. Përsëri, është e rëndësishme të mbajnë mend se të gjithë njerëzit janë të ndryshëm dhe mosinteresimi i tyre nuk është i lidhur personalisht me ESFJ-të. Sfida më e madhe për ESFJ-të është ndjeshmëria e tyre- njerëzit do të kundërshtojnë dhe kritikojnë, kjo dhemb, mirëpo është pjesë e jetës. Gjëja më e mirë është që ESFJ-të të bëjnë atë që e bëjnë më së miri: të jenë shembull, të kujdesen për gjërat që i kanë nën kontroll dhe të jenë të kënaqur që shumë njerëz i vlerësojnë përpjekjet e tyre.

Pikat e forta dhe të dobëta

Pikat e forta

Aftësi të mira praktike– ESFJ-të janë menaxhues të shkëlqyeshëm të detyrave të përditshme dhe shërbimeve rutinore, ndihen mirë kur sigurohen që të afërmit e tyre janë mirë.

Të përgjegjshëm– Njerëzit me këtë lloj personaliteti kanë ndjenjë të fortë përgjegjësie dhe përpiqen të përmbushin obligimet e tyre, edhe pse kjo ndonjëherë më shumë është për shkak të pritshmërive shoqërore sesa një ndjenjë të brendshme.

Shumë besnikë – Vlerësojnë shumë qëndrueshmërinë dhe sigurinë dhe janë të etur të ruajnë statusin shoqëror që i bën ata partnerë dhe punëtorë jashtëzakonisht besnikë dhe të besueshëm. ESFJ-të janë pikë mbështetje e çdo grupi të cilit i përkasin- qoftë familjes apo komunitetit, gjithmonë mund të mbështetesh te ta.

Të ndjeshëm dhe të ngrohtë – Duke ndihmuar të sigurojnë stabilitetin, ESFJ-të kërkojnë harmoninë dhe interesohen për ndjenjat e të tjerëve e kujdesen që të mos ofendojnë apo lëndojnë askënd. ESFJ-të janë anëtarë të fortë grupi dhe u pëlqejnë situatat ku të gjithë dalin fitues.

Të mirë në komunikim me të tjerët – Këto cilësi i bëjnë ESFJ-të të shoqërueshëm dhe të pëlqyeshëm. Ata kanë një nevojë të madhe të “përshtaten” dhe nuk kanë problem me biseda të thjeshta ose të ndjekin normat shoqërore në mënyrë që të kenë një rol aktiv në komunitet.

 

Dobësitë

Brengosen për statusin e tyre shoqëror – Këto cilësi janë të lidhura me dobësinë kryesore: shqetësimi për statusin shoqëror ndikon në shumë vendime që marrin duke kufizuar kreativitetin dhe aftësinë për të mbajtur mendjen e hapur.

Të pandryshueshëm – ESFJ-të i japin shumë rëndësi asaj që është e pranueshme në shoqëri dhe mund të jenë shumë të matur, madje edhe kritikë të çdo gjëje të pazakontë ose jashtë rrjedhës së përgjithshme. Njerëzit me këtë personalitet mund t’i ndryshojnë besimet e tyre që t’i paraqesin si të zakonshme.

Hezitojnë të bëjnë gjëra të reja ose të improvizojnë – Ashtu si mund të jenë kritikues të sjelljes jo të zakonshme të të tjerëve, ata nuk do jenë të gatshëm të dalin nga zona e tyre e sigurisë, zakonisht nga frika se do duken të ndryshëm.

Të ndjeshëm ndaj kritikave – Është veçanërisht sfiduese të ndryshojnë këto prirje sepse janë shumë kundër konfliktit. ESFJ-të janë shumë mbrojtës dhe mund të lëndohen nëse dikush, sidomos një person i afërt me ta, i kritikon zakonet e tyre, besimet dhe traditat.

Shpesh shumë nevojtarë – ESFJ-të duhet të dëgjojnë dhe të marrin shumë lavdata. Nëse përpjekjet e tyre do kalojnë pa u vërejtur, ata mund të fillojnë të vardisen në përpjekje që të sigurohen se janë të vlerësuar.

Shumë altruistë – Ana tjetër e kësaj është se ESFJ-të mundohen të tregojnë rëndësinë e tyre duke japur vëmendje të madhe, diçka që mund të lodh ata që nuk e duan këtë. Për më tepër, ESFJ-të shpesh lënë pas dore nevojat e tyre duke vrapuar pas të tjerëve.

LIDHJET

Lidhjet romantike kanë një rëndësi të veçantë për ESFJ-të pasi që ata e vlerësojnë shumë miratimin shoqëror dhe ndjenjën e përshtatjes. Asnjë lloj tjetër lidhjeje nuk u mundëson atyre nivelin e njëjtë të mbështetjes dhe përkushtimit. Ndjenjat e sigurisë dhe qëndrueshmërisë që vijnë nga një lidhje e fortë romantike janë jashtëzakonisht të ngrohta. ESFJ-të nuk bëjnë takime të rastit- ata duhet të dinë që partnerët e tyre do jenë gjithmonë me ta duke u ofruar mbështetje të patundur. Martesa dhe familja janë qëllimi kryesor.

Me një qëllim të tillë në mendje, ESFJ-të e marrin çdo fazë, prej fillimit të lidhjes deri më vonë, shumë seriozisht. Gjithçka te lidhjet e tyre është e bazuar në nevojat e përbashkëta, prej krijimit të mirëkuptimit në fillim te ndërtimi i respektit të përbashkët dhe mbështetjes të mendimeve dhe qëllimeve të njëri-tjetrit. Të dinë se të tjerët i duan dhe janë të vlerësuar ka një ndikim shumë të madh në disponimin dhe vetëbesimin e tyre. Nëse iu duket se nuk kanë përkrahje, si atëherë kur partnerët e tyre i kritikojnë, ESFJ-të mund të ndihen jashtëzakonisht të lënduar. Njerëzit me këtë lloj personaliteti nuk pëlqejnë konfliktin dhe kritikat, çka e bën sfiduese shprehjen e problemeve që mund të shfaqen. Asgjë nuk është më lënduese ose depresionuese për ta sesa të kuptojnë që partnerët e tyre nuk u respektojnë ëndrrat ose mendimet. ESFJ-të mund të jenë çuditërisht të fortë dhe të palodhshëm krahas vështirësive, por ata duhet të sigurohen që partnerët e tyre i kanë pas.

Fatkeqsisht, ESFJ-ve më pak të pjekur mund t’iu mungoj forca e brendshme dhe zgjuarsia të kërkojnë këtë në rrugë të duhura. Ata mund të jenë shumë nevojtarë, duke vënë në kompromis parimet dhe vlerat e tyre në këmbim të miratimit të partnerëve. Ky është një kurth i tmerrshëm- jo vetëm që nuk është i bukur, por shumë lehtë mund të kalojë në lidhje abuzive emocionale që do ulë vetëbesimin e tyre edhe më shumë. Një grackë tjetër është fiksimi i tyre me statusin dhe miratimin shoqëror- nuk është e pazakontë që rrethi shoqëror dhe të afërmit të luajnë një rol më të madh sesa vlerat e tyre në zgjedhjen e partnerëve.

… Por të mësosh nga gabimet të bën një njeri më të mirë

ESFJ-të janë njerëz të ngrohtë e besnikë që duan të vlerësohen dhe besohen. Ata janë shumë të mirë në çështje praktike si menaxhimi i parave dhe detyrat administrative dhe janë të lumtur të marrin përgjegjësi të tilla që të ndihmojnë njerëzit që duan, një cilësi e mrekullueshme. ESFJ-të vetëm duhet të sigurohen që do gjejnë kohën të ndërtojnë lidhje që i lejon ata të përmbushin nevojat dhe ëndrrat e tyre, me partnerë që vlerësojnë kujdesin dhe zemërgjerësinë e tyre dhe ua kthejnë ato. ESFJ-të janë shpesh të organizuar në mënyrën sesi lidhjet e tyre zhvillohen duke ndjekur rregullat e lidhjes dhe traditat (mos thirr i/e para, takimi I tretë, etj.). Me hyrjen e lidhjes në faza më seksuale, ata do vazhdojnë të mbështeten te traditat dhe rolet gjinore e shoqërore, çfarë është e pranueshme e çka jo.

Sidoqoftë, pasi që ESFJ-të janë kaq të fokusuar në botën fizike dhe janë emocionalë, ata janë shumë të dashur e sensual dhe në përgjithsi partnerë të shkëlqyeshëm seksualë. Njerëzit me këtë lloj personaliteti u pëlqen të gjejnë mënyra sesi ti bëjnë të lumtur partnerët dhe ky lloj intimiteti është një gjë e mirë. Kur dy partnerët ndihen rehat me njëri-tjetrin, ESFJ-të janë më të hapur të eksperimentojnë dhe të provojnë gjëra të reja, për sa kohë që partnerët e tyre e bëjnë të njëjtën gjë.

ESFJ-të kanë kërkesa të veçanta në lidhje dhe personalitete të caktuara dinë ti plotësojnë ato më mirë. Në përgjithsi, partnerët duhet të ndajnë tiparin (S), por do ishte e dobishme të zhvillohej një analizë e vetvetes që partnerët introvertë mund ta ofrojnë, ndoshta me një tipar më shumë të kundërt që ti ndihmojë ESFJ-të të përqendrohen në vendime logjike kur duhet, ose të jenë më mendjehapur ndaj situatave të reja.

MIQËSITË

ESFJ-të janë një personalitet shumë i shoqërueshëm, kërkojnë rrethe të mëdha miqsh dhe janë më shumë se të gatshëm të harxhojnë kohë dhe energji për këto shoqëri. Besnikë dhe të ngrohtë, ESFJ-të janë të njohur për faktin që u qëndrojnë afër miqve pavarësisht të gjithave dhe ofrojnë mbështetje të vazhdueshme emocionale dhe inkurajim.

ESFJ-të janë të ndjeshëm ndaj traditave të shoqërisë, duke parë mbështetjen që japin si një përgjegjësi po aq sa kënaqësi.

Bëjnë çdo gjë që munden të sigurohen që shokët e tyre janë të lumtur, ndihen rehat me njoftimet dhe bisedat e thjeshta andaj janë natyrshëm shumë të famshëm në çdo lloj mjedisi. Kjo është një dinamikë që vërtetë e shijojnë, mirëpo poashtu presin që këto përpjekje dhe mbështetje të jenë reciproke. Nuk ka asgjë më lënduese për njerëzit me këtë personalitet sesa të kuptojnë se një mik i besueshëm është kritik në besimet ose zakonet e tyre, sidomos nëse u thonë këtë një një ballafaqim direkt.

ESFJ-të kanë prirje të besojnë se miqtë e tyre nuk mund të bëjnë gabime, gjithmonë i mbrojnë ata pavarësisht situatës dhe e presin të njëjtën gjë në këmbim. Ata mund të rrisin numrin e shokëve nëse mësojnë të pranojnë edhe perspektivat e tjera e të mos gjykojnë apo të hedhen në përfundime. Është e rëndësishme për ESFJ-të, si për çdo kë tjetër, të shmangin të qënit të izoluar nga pikëpamjet dhe mendimet tjera, të mundohen të kuptojnë më shumë njerëz. Në anën tjetër, ESFJ-të janë shumë të mirë në përdorimin e ndjeshmërisë së tyre që të dinë se çfarë i motivon miqtë e tyre. Përderisa në momente dobësie, ky personalitet mund të përdor këto vrojtime për të manipuluar të tjerët, ata janë shumë më të interesuar të mbajnë lidhje të forta dhe kjo është një vegël e mirë për ta arritur këtë. Si altruistë që janë, ESFJ-të gjithmonë i përdorin veçoritë e tyre për mirë, duke inkurajuar dhe inspiruar të tjerët.

Në përgjithsi, ESFJ-të janë të këndshëm dhe të sinqertë. Energjia e tyre dhe zgjuarsia shoqërore u fiton shumë shokë. Përkrahja dhe dedikimi i tyre i mban këto miqësi të forta dhe të afërta. Me kaq shumë zell për jetë dhe shoqëri nuk ka momente të mërzitshme mes tyre.

Si prindër

ESFJ-të prindër

Si prindër, ESFJ-të kanë një mundësi të shkëlqyr që të shfaqin ngrohtësinë, dashurinë dhe dedikimin e tyre në mënyrë që kanë ndikim të vërtetë dhe pozitiv. Të ndjeshëm sidoqoftë të prerë, ESFJ-të janë në gjendje të caktojnë rregulla dhe ushtrojnë autoritet pa u bërë imponues, duke përdorur dhembshurinë dhe përkrahjen e tyre që të zbusin keqkuptimet e rastit ose mendimet e ndryshme.

Fëmijët janë shpesh kulminacioni i qëllimeve jetësore të ESFJ-ve dhe ata i gëzohen çdo momenti që kjo ofron.

Prej fillimit, ESFJ-të mundohen të sigurohen që fëmijët e tyre ndihen të sigurt dhe të lumtur. Njerëzit me këtë personalitet i gëzohen përkrahjes që mund tu japin foshnjave, të cilat varen plotësisht nga kujdesi i tyre. Duke qenë se familja është kaq e rëndësishme, ky është një fillim shpërblyes i të qenët prind.

Përballimi i vështirëve sjell zhvillim

Me rritjen e fëmijëve të tyre rritet dhe dashuria e kujdesi i ESFJ-ve, por shpesh bëhet mbrojtje e tepruar. Ata jo vetëm që do mbajnë fëmijët të sigurtë fizikisht, por poashtu nga aspekti shoqëror, duke organizuar kampe dhe aktivitete të tjera aq sa fëmijët e tyre nuk do jenë të lirë të bëjnë gabime që çojnë në rritje emocionale dhe pavarësi shoqërore. ESFJ-të e çmojnë harmoninë dhe qëndrueshmërinë dhe shpesh mundohen që të përdorin presione indirekte që tu mësojnë fëmijëve mësime për jetën. Sidoqoftë kur janë të detyruar në ballafaqime direkte për shkak të veprimeve të gabuara të fëmijëve, ESFJ-të presin që tu respektohet fjala. Besimtarë në rolet tradicionale, ESFJ-të prindër e shohin marrëdhënien prindër- fëmijë në terma bardhë e zi, autoriteti i tyre është përfundimtar.

Karakteri është një udhëtim, jo destinacion

Kur fëmijët e tyre kalojnë në adoleshencë dhe largohen nga prindërit, ESFJ-të e marrin këtë ndryshim personalisht. Pasi që ndihen se po i humbasin fëmijët e tyre, ESFJ-të ndonjëherë mundohet ta zgjasin këtë varësi sa më shumë që të jetë e mundur. Është e rëndësishme të mbajnë mend se kur fëmijët e rritur largohen nga shtëpia është për arsye se prindërit janë treguar të suksesshëm në pregatitjen e tyre për fazën tjetër të jetës, një arritje me të cilën ESFJ-të mund të ndihen krenarë. Fëmijët e ESFJ-ve gjithmonë do vlerësojnë ndjeshmërinë dhe ngrohtësinë me të cilat janë rritur dhe me kalimin e kohës kur do bëhen vetë prindër, ata do i gëzohen faktit që fëmijët e tyre do kenë gjyshër që do kujdesen dhe do i duan pa kushte.

KARRIERA

Pasi që cilësitë e ESFJ-ve janë dukshëm të shprehura, të udhëhequra me ndjenjë praktike dhe forcë shoqërore, profesionet që u përshtaten më së shumti zakonisht janë ato ku mund ti shfrytëzojnë këto cilësi. ESFJ-të janë të organizuar mirë, u pëlqen të kenë rregull dhe strukturë në vendin e punës dhe shpesh punojnë më së miri në ambiente me hierarki të të parashikuara dhe detyra të caktuara. Monotonia dhe rutina e punës nuk është sfidë për ESFJ-të sepse ata janë të lumtur kur bëjnë atë që duhet bërë.

Bashkëpunim, jo konflikt

Karrierat si administrator janë të natyrshme për ta duke i lejuar që të organizojnë jo vetëm ambientin por edhe njerëzit në të. Aftësitë e tyre praktike kombinohen mirë me sigurinë, duke bëtë ESFJ-të çuditërisht kontabilistë të mirë- edhe pse ata shpesh preferojnë role më personale, të ndihmojnë njerëzit dhe të komunikojnë me ta direkt në vend se të merren me numrat brenda një dhome të mbyllur. Sidoqoftë karrierat analitike janë shpesh të mërzitshme për ESFJ-të- ata kanë nevojë për komunikim me njerëz dhe reagime emocionale që të jenë vërtetë të kënaqur me punën e tyre. Dëgjues të mirë dhe anëtarë entuziastë të grupit, njerëzit me këtë personalitet janë ofrues të shkëlqyeshëm të kujdesit mjekësor dhe punës shoqërore. Mësimdhënia është një tjetër opcion i mirë pasi që ESFJ-të ndihen rehat me autoritetin, por poashtu janë mbështetës dhe të shoqërueshëm që të mos e lënë këtë autoritet të kaloj në anë të keqe.

Të gjitha karrierat më të mira për ESFJ-të kanë një të mirë shtesë- u ofrojnë atyre gjënë më të rëndësishme: ndihen të vlerësuar dhe e dinë se kanë ndihmuar dikë.

Duke qenë aq altruistë sa janë, ESFJ-të ndihen të kënaqur vetëm nëse e dinë se kanë bërë diçka të mirë për një person tjetër. Kjo është shpesh ajo çka i nxit ata në zhvillim e karrierës dhe e bën punën religjioze si dhe këshillimin veçanërisht shpërblyese.
Çfarëdo që zgjedhin të bëjnë, ngushëllimi i ESFJ-ve me situata shoqërore dhe dije e aftësi praktike bashkohen në krijimin e njerëzve që janë jo vetëm produktivë dhe të dobishëm, por njerëz që sinqerisht e shijojnë këtë.

ESFJ-TË NË VENDIN E PUNËS

Kur është fjala te vendi i punës, ESFJ-të kanë prirje të qarta që shfaqen pavarësisht pozicionit të tyre. Njerëzit me këtë personalitet lulëzojnë në rregullin shoqëror e harmoninë dhe përdorin ngrohtësinë dhe zgjuarsinë shoqërore të sigurohen se çdo person e di përgjegjësinë e tyre. ESFJ-të ndihen rehat mandje edhe varen në hierarki dhe rolet e caktuara, qoftë nënpunës, kolegë ose menaxherë ata presin që autoriteti të respektohet.

 

ESFJ-të si nënpunës

Me përgjegjësi të caktuara qartë dhe një ndjenjë qëllimi, ESFJ-të janë të durueshëm, efikas dhe njerëz punëtorë që respektojnë autoritetin e menaxherëve të tyre. Përderisa ESFJ-të mund ta kenë të vështirë me shumë liri dhe improvizim, ata lulëzojnë në vendet e punës ku ka strukturë, siguri dhe udhëzime. Detyrat rutinore nuk janë problem për ta dhe dedikimi dhe besnikëria e tyre e fitojnë respektin e menaxherëve.

 

ESFJ-të si kolegë

Puna në grup është një koncept i lehtë për ESFJ-të. Shpesh kërkojnë miq në punë, njerëzit me këtë personalitet gati gjithmonë janë të gatshëm të ofrojnë ndihmë kur nevojitet. Komunikues të shkëlqyeshëm, gjithmonë e njohin “personin e duhur” që të përfundojnë projektin në kohë. Në anën tjetër, ESFJ-të shpesh duhet të punojnë në grup- nëse mbesin vetëm për disa ditë ata ndihen të lodhur dhe të papërmbushur. ESFJ-të janë krenarë për këto cilësi, mirëpo mund ti bëjnë veçanërisht të ndjeshëm nga kritikat. Kur sygjerimet dhe ndihma e tyre nuk pranohet ata e marrin personalisht. Të ndjeshëm ndaj stresit, refuzime si këto mund të jenë demoralizuese dhe ESFJ-të kanë nevojë të ndihen të vlerësuar herë pas here.

 

ESFJ-të si menaxherë

ESFJ-të e pëlqejnë përgjegjësinë që vjen bashkë me situatat e organizuara shoqërore dhe kënaqësia që ndiejnë në menaxhimin e njerëzve të tjerë përshtatet mirë në pozita menaxheriale. Si udhëheqës të grupit ata gjejnë mënyra që ti përfshijnë të gjithë, duke bashkuar njerëzit dhe përfunduar punën. Në të njëjtën kohë, ESFJ-të kanë një respekt të madh për strukturat tradicionale dhe nëse gjithë përpjekjeve të tyre për të bindur nënpunësit e tyre të punojnë së bashku kalojnë në sfidim të autoritetit, ata mund të stresohen, humbasin temperamentin dhe në përgjithsi reagojnë keq. Njerëzit me këtë personalitet janë të ndjeshëm për pozitën e tyre, e urrejnë konfliktin dhe preferojnë situatat ku të gjithë kanë role të caktuara. Për aq gjatë sa pritjet e tyre janë qartazi të definuara, ESFJ-të janë menaxherë të mirë dhe efektiv.

 

 

Previous article
Next article

Të fundit