Vetëdisiplina është aftësia për të bërë gjënë e duhur, në kohën e duhur, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo. Pa vetëdisiplinën, të gjitha parimet, teknikat dhe këshillat e tjera të suksesit janë të padobishme. Elbert Hubbard ka thënë: “Ka 999 parime të tjera për sukses që kam gjetur gjatë leximit dhe përvojës sime, por pa vetëdisiplinën, asnjëri prej tyre nuk funksionon”. Shumica e njerëzve kërkojnë mënyra të shpejta dhe të lehta, për të marrë në çast gjërat që duan, pa u shqetësuar për pasojat afatgjata të sjelljeve të tyre. Shumica e njerëzve bëjnë atë që u jep kënaqësi për momentin dhe atë që është e lehtë, në vend të asaj që është e domosdoshme për suksesin. Njerëzit e suksesshëm janë njerëz të disiplinuar. Ata kontrollojnë 100 për qind të dëshirave, ndjenjave dhe mendimeve të tyre, të cilat ndikojnë në fjalët dhe veprimet e tyre. Vetëdisiplina është çelësi për suksesin personal. Falë saj, njerëzit e zakonshëm mund të rriten shpejt dhe shumë, në varësi të talentit dhe inteligjencës së tyre. Pa vetëdisiplinë, pavarësisht prejardhjes, arsimit dhe mundësive, shumë rrallë dikush mund të ngrihet mbi mediokritetin. Ashtu sikurse vetëdisiplina është çelësi i suksesit, mungesa e saj është shkaku kryesor i dështimit, mërzisë, pakënaqësive dhe mungesës së arritjeve në jetë. Shoqëria e sotme po lëviz gjithnjë e më shpejt. Në punë kemi më shumë telefonata, e-maile, kemi ndryshime radikale ne mënyrën e të jetuarit dhe të punuarit, shumë njerëz na “harxhojnë” kohën tonë. Tani kemi më shumë stacione televizive, internet, filma, revista, libra, një shumëllojshmëri zgjedhjesh dhe kërkesash. Të gjitha këto së bashku të krijojnë iluzionin se koha fluturon dhe është shumë e pakët për t’i bërë të gjitha.
Koha është e vetmja gjë që nuk mund ta magazinosh apo ruash për përdorim të mëvonshëm, thjesht mund ta menaxhosh në mënyrë efektive. Mund të rishpërndash përdorimin e kohës nga fushat me vlerë të ulët në ato me vlerë të lartë. Koha e keqpërdorur nuk mund të rifitohet. Çdo njeri ka ekzaktësisht të njëjtin numër orësh, çdo ditë. Gjithsecili e di që koha është e kufizuar dhe duhet menaxhuar mirë, por pak janë ata që janë të ndërgjegjshëm për këtë fakt. E keni vënë re që gjërat të cilat janë më të rëndësishme mënjanohen gjithmonë nga ato më pak të rëndësishme? Ju do të mërziteshit shumë nëse dikush do të kishte mundësi të hynte në llogarinë tuaj bankare dhe të vidhte paratë tuaja. Shumicës së njerëzve, u intereson shumë pak kur faktorë të ndryshëm ndërhyjnë në jetën e tyre dhe u vjedhin kohën. Dhjetë “hajdutët” më të njohur të kohës janë:
(1) Mitet,
(2) Objektivat,
(3) Planifikimi & Vendosja e Prioriteteve,
(4) Tirania e “Urgjentes”,
(5) Ndërprerjet,
(6) Zvarritjet,
(7) Mbledhjet,
(8) Delegimi,
(9) Pritjet për përgjigje,
(10) Organizimi personal.
Të njëjtët faktorë që klasifikohen në vjedhësit e kohës, nëse jemi të zotë t’i identifikojmë dhe mbi të gjitha t’i menaxhojmë apo t’u përgjigjemi ashtu si duhet, do të kthehen në “Miq” të mirë administrimit të vlefshëm të kohës sonë.