spot_img

Artikuj të ngjashëm

Vetëbesimi

Sipas Branden (1987), vetëbesimi është edhe vetërespekt. Ai mund të kuptohet si pasojë e gjykimit subjektiv, që çdo person i bën aftësisë së tij për të përballuar sfidat e jetës, për të kuptuar dhe zgjidhur problemet, dhe për të arritur lumturinë. Për më tepër, vetëbesimi gjithashtu është menduar si një rezultat i rëndësishëm, në lidhje të ngushtë psikologjike me mirëqenien (Branden, 1987).

Termi vetëbesim, është përdorur për t’iu referuar ndonjë variable të personalitetit, që përfaqëson mënyrën se si njerëzit, në përgjithësi, ndjehen për veten e tyre. Studiuesit e quajnë këtë formë vetërespekt, ose tipar vetëbesimi, pasi ai është relativisht i qëndrueshëm në kohë dhe situata. Disa studiues janë marrë me një qasje njohëse dhe të supozojmë se globalisht vetëbesimi është një vendim që njerëzit e bëjnë në lidhje me vlerën e tyre, si një person (Coopersmith, 1965).

Vetëbesimi përfshin besimet për shembull, “Unë jam kompetent”, “Unë jam i denjë”, dhe emocionet si triumfi, dëshpërimi, krenaria dhe turpi (Hewitt, 2009).

Vetëbesimi i lartë, është karakterizuar nga një simpati e përgjithshme, ose e dashurisë për veten; vetëbesimi i ulët karakterizohet nga ndjenja e butë pozitive, ose ambivalente ndaj vetes. Në raste ekstreme, njerëzit me vetëbesim të ulët e urrejnë veten, por ky lloj i vetë-urrejtjes, ndodhë në popullatat klinike e jo në popullsi normale (Baumeister, Tice & Hutton, 1989).

Vetëbesimi si nocion përkufizohet nga autorë të ndryshëm si, De Anxhelis, 2008 Field, 2006, me formulime të ndryshme, mirëpo në esencë shprehen pothuajse të ngjashëm. Psikolog të shumtë si, Kupersmith, 1967, Rosenberg, 1965, mendojnë se vetëbesimi mund të kuptohet si ndjenjë e mirëbesimit (konfidencës) dhe vetëkënaqësisë.

Moris Rozenberg (Morris Rosenberg, 1965) e definon vetëbesimin si një qëndrim, qoftë pozitiv apo negativ, të cilin e kemi për veten tonë. Vetëbesimi, sipas tij, është produkt i ndikimeve të kulturës, shoqërisë, familjes dhe marrëdhënieve ndërpersonale.

Vetëbesimi mund të rritet me durim dhe me punë të madhe. Njerëzit mund të mësohen për t’i çmuar më shumë anët e veta të mira dhe për t’i ndryshuar mendimet e negative për vetveten. (Krantzler J. N. & Kane M. W., 2004).

Padyshim se vetëbesimi te fëmijët paraqet faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e mëtejshëm të tyre. Ajo që pengon fëmijën në formimin e ndjenjës së vetëbesimit është ndjenja e pasigurisë. Fëmijëve duhet t’u bëhet me dije se avantazhe dhe disavantazhe në jetë ka përjetuar çdonjëri prej nesh, duke filluar nga koha e fëmijërisë, për të vazhduar akoma edhe sot e kësaj dite, kur kalojmë në stade të pjekurisë. Ndërkohë, përparësitë apo mangësitë, sukseset dhe dështimet u atribuohen sjelljeve apo veprimeve të njeriut në momente të caktuara, e jo vetë individit apo personalitetit të tij.

Studiuesit (Harter, 1993; Kupersmith 1963, Rosenberg, 1965) të cilët janë marrë me problematikën e vetëbesimit, rekomandojnë se vetëbesimi fillon të shfaqet që në fëmijëri. Ndaj fëmijëve duhet patur një tretman të atillë që nuk duhet bërë shumë ndalesa, sepse më vonë mund të pasojnë shumë probleme emocionale, nga ku, për pasojë, mund të paraqitet zvogëlim iniciativës së kënaqësisë. Ata, më vonë, si pasojë e mungesës së vetëbesimit, mund të ndjejnë frikë për të shprehur vetveten.

Vetëbesimi i madh ndihmon fëmijët dhe të rinjtë për të ndërmarrë “rreziqe” pozitive, për të komunikuar me shokët, për ta përballur stresin, për t’i caktuar qëllimet dhe për t’i marrë vendimet e nevojshme. (Krantzler J. N. & Kane M. W., 2004).

Alfred Adler (1870-1937), një mjek i njohur, studioi vetëbesimin dhe arriti në konkluzionin se vetëbesimi duhet të zhvillohet gjatë viteve të hershme, duke përdorur mënyrat e përforcimit pozitiv dhe të lëvdatave, ngaqë në fillim të jetës shoqërore të fëmijës, duke u rritur nën ndjenjën e inferioritetit, ata përballen me vetëbesim të ulët. Kur shpërblimet dhe lëvdatat për arritje të merituar, pavarësisht madhësisë që ua japim fëmijëve, ndikojmë pozitivisht në ngritjen e vetëbesimit.

Ashtu edhe si te të rriturit, në bazë të disa hulumtimeve, fëmijët e shohin veten më të aftë në disa sfera, e në disa të tjera më të dobët. Vetëbesimi duhet të reflektojë tek ata ndjenjat e tyre për aftësitë vetjake, mundësi kjo e cila do t’i zhvillojë ata në shumë sfera të jetës: arsimore, sociale, fizike dhe të ngjashme.

Të fundit