spot_img

Artikuj të ngjashëm

Psikanaliza

Gjithmonë kur flitet për lëndën e psikologjisë, është e pamundur të mos na vijë ndërmend emri më i shquar, psikologu austriak, Sigmund Frojd. Pa dashur ta ekzagjeroj, duket sikur këta emra janë analogë me njëri-tjetrin. Secili studiues apo individ i rëndomtë që lexon literaturën e tij të gjerë, është e vështirë të mos përfitojë nga analizat e tij shumëvjeçare në këtë fushë.

Frojdi, një “lakmitar për dije” dhe një punëtor i pandalshëm, më shumë se çdo gjë tjetër i bënte përshtypje bota psikike e njeriut dhe gjithnjë tentonte të depërtonte sa më thellë në “esencën e saj”. Të kuptosh mendjen njerëzore është aq e vështirë, pasi që njeriu është qenie e komplekse. Megjithatë, mendja sadoqë mund të duket e shprishur, ajo mund të kontrollohet nga rregulla strikte. Sëmundjet nervore ishin bërë “specialitet” i tij dhe për t’u gjetur atyre zgjidhje, ai punoi deri në fund të jetës.

Objektivi i tij ishin pacientë të shumtë me simptoma të panjohura nga mjekësia, të cilët po liheshin anash nga “mjekët profesionistë”, duke u nënçmuar skajshmërisht. Dikush duhej t’u dilte në ndihmë këtyre njerëzve të cilët edhe pse nuk kishin sëmundje organike, ju duhej trajtim i njëjtë profesional.

I ashtuquajturi “mjeku i nervave” po vinte dalëngadalë, por me hapa të sigurtë drejt themelimit të “shkencës së re” për herë të parë në pranverën e vitit 1886 me qendër ne Vienë. Frojdi e quajti këtë prurje me termin “psikanalizë”, ndonëse vet Frojdi, meritat për ardhjen në jetë të “psikanalizës” ia dedikon mikut të vet më të ngushtë, Xhozef Breuer. Ishte Breuer ai që po merrej me pacienten e tij “Ana O” dhe gjenialiteti i Frojdit vendimtar për “shkencën e re”. Ata patën sukses të shkëlqyeshëm me rastin e “Ana O”-së, dhe vendosën që vrojtimet që kishin nxjerrë nga kjo vajzë e re dhe inteligjente, e cila vuante nga histeria, t’i shkruanin në një libër.

Fillimi i “psikanalizës” ishte i vështirë, dhe idetë e dy psikologëve të famshëm, po shiheshin si radikale. Frojdi e sheh artin si një ndër faktorët më të rëndësishëm mbrojtës ndaj neurozave. Njerëz të caktuar, që shkojnë keq me realitetin, fantazitë e veta i përdorin për krijime artistike dhe mbrohen nga sëmundjet nervore. Nuk duhet të kemi frikë nga “psikanaliza” se mos shkakton dëme, vetëm për faktin se ajo duhet të gjejë rrënjët e sëmundjes, pra shkaqet fillestare, nëpërmjet metodës së komunikimit me pacientin. Trajtimi psikoanalitik do t’i ndihmonte pacientët që “impulset e shtypura” prej kohësh, të zhytura thellë në pavetëdije, t’i hetonte dhe t’i nxirrte në sipërfaqe në mënyrë që të zhdukeshin nga forca shëruese e arsyes. Frojdi vë në pah se neurotikët shpenzojnë burime të energjisë mendore në “shtypjen e impulseve”, në vend që këtë energji ta shfrytëzojnë në aktivitetin jetësor.

Zbulimi tjetër interesant që hedh në dritë “psikoanaliza” ishte se pothuajse të gjithë pacientët kishin fshehur rrënjët e sëmundjes së tyre. Vitet e para të jetës së individit janë vendimtare në zhvillimin e personalitetit të tij. Ne asnjëherë nuk duhet të anashkalojmë fjalët e fëmijëve sikur të ishin gjepura të kota. Edhe fëmijët ashtu sikurse të rritur përjetojnë konflikte në mendjen e tyre të pastër. Një tjetër fakt që përmend Frojdi është se mendja jonë përbëhet nga e “pavetëdijshmja” dhe për të cilën ne vetë nuk jemi të vetëdijshëm.

Psikoanaliza bëri atë që mjekët kishin ngritur duart. Ajo mundësoi që personave te prekur nga histeria, t’ua lehtësonte simptomat dukshëm, në shumicën e rasteve tërësisht, me metodën e të sjellit materialet e shtypura traumatike në vetëdijen e pacientit. Njerëzit bien në kriza ankthi si pasojë e “laramanive të ideve të ndryshme” që u vijnë ndërmend, që këtë Frojdi e quan “pazotësi për të ndarë mendjen”. Frika nga ngjarje të caktuara ngulitet në trurin e njeriut, dhe e dërgon atë në simptoma të papërshkrueshme dhe të panjohura nga ana e mjekësisë. Në rast se pacienti është bashkëveprues me psikoanalistin, duke mos fshehur asgjë, qoftë edhe detajin më të vogël, atëherë shërimi i plotë mund të arrihet. Ankthi është i lidhur me atë që Frojdi e quan “kujtimet-ekran” që nga fëmijëria. Ai vet ishte gjithnjë modest për kontributin e dhënë në “psikanalizë”, edhe pse në realitet merita kryesore i përket atij, falë bashkëdyzimit të ideve me ato të Breuer-it. Puna e vazhdueshme në “psikoanalizë” me dekada dhe evidentimi i zbulimeve në librat e tij e bëjnë Frojdin të pakrahasueshëm.

Tanimë pacientët histerikë kishin gjetur “portën” e duhur për t’u trokitur, për të zgjedhur problemet e tyre dhe për Frojdin këta nuk ishin vetëm pacientë të thjeshtë, por edhe ndihmues të shkëlqyer në punën e tij, për nxjerrjen e konkluzioneve të caktuara.

Të fundit