OH JO, NUK KA FUTBOLL SOT!!
Një fëmijë i vogël vrapon shpejt për të shkuar tek fusha e futbollit, i ekzaltuar që do luajë me miqtë e tij. Kur arrin atje, shikon që shokët po bëjnë stërvitje, trajneri I thotë që nuk do të luajnë futboll sot, e shtynë për një ditë tjetër. Por ai donte kaq shumë të luante futboll sot …
Ai qëndron atje, i frustruar, duke u ankuar pse nuk mund të luajë futboll dhe nuk vazhdon stërvitjen. Ky djalë i vogël ka vështirësi në të menduarin elastik/fleksibël, pra e ka të vështirë të përshtatet shpejt me ndryshime të papritura dhe të gjejë zgjidhje për to.
Elasticiteti konjitiv përfshin dy aftësi:
Të menduarit elastik dhe përshtatjen me ndryshimin. Fëmijët që janë të aftë të mendojnë për një problem në një mënyrë të re, përfshihen në të menduarin elastik ndërsa fëmijët që “ngecin” në mënyrën e tyre të zgjidhjes së problemeve, kanë tendencën të angazhohen në të menduarin rigid (kornizor). Përshtatja me ndryshimin I referohet aftësisë së fëmijës për të ndryshuar mënyrën e të bërit diçka, për të provuar një mënyrë të re.
Aftësi të dobëta fleksibiliteti mund të afektojnë zhvillimin akademik gjithashtu, sepse këta fëmijë mund të kenë vështirësi në ndjekjen e detyrave të reja dhe zgjidhjes së problemeve. Në rastin e djalit që donte të luante futboll patjetër, mendimi i tij rigid solli që ai të humbiste stërvitjen me shokët e skuadrës. Ndërkohë që shokët e tij e vlerësuan situatën dhe bënë një plan të ri veprimi, ai “ngeci” në një hapësirë negative dhe e kaloi kohën e tij duke u munduar të qetësojë veten nga frustrimi.
Fëmijët “bombardohen” me shumë informacion gjatë gjithë kohës dhe shpesh kjo I bën ata të ndihen të mbingarkuar. Disa prej tyre angazhohen në të menduarin kornizor sepse ndihen më të sigurtë ose akoma nuk kanë zhvilluar aftësitë e të menduarit elastik. Disa teknika që mund t’I praktikoni në shtëpi për të ndihmuar fëmijët të mendojnë në mënyrë elastike:
Gjatë lojës ndryshoni disa rregulla, fëmija juaj mund të refuzojë fillimisht por mundohuni të bëni ndryshime të vogla. Kjo e bën lojën më argëtuese dhe e ndihmon fëmijën të mendojë zgjidhje të reja. Kur fëmijët kuptojnë që rregullat nuk janë të shkruara në gur, ata fillojnë të pranojnë mënyra të reja për të zgjidhur probleme.
E mësoni fëmijën të mendojë me vete problemin dhe tre zgjidhje për të njëjtin problem, më pas I thoni të zgjedhë njërin prej tyre.
Bëni ndryshime të vogla herë pas herë të rutinës ditore, pershembull fëmija mund të bëje dush para darkës ndonjëherë (ndryshe nga rregulli që dushi bëhet pas darkës dhe para gjumit).
Blini një libër me shaka, fëmijët me të menduar rigid e kanë të vështirë të kuptojnë shakatë dhe të bëjnë shaka. Shakatë e ndihmojnë fëmijën të kuptojë se fjalët marrin kuptim tjetër kur thuhen ndryshe.
Kur fëmijët zhvillojnë aftësitë e të menduarit elastik, ata janë më të aftë të zgjidhin probleme, të angazhohen në mënyrë positive me moshatarët dhe të jenë të përqëndruar në shkollë. Duhet kohë për të mësuar aftësi të tilla por “ia vlen barra qeranë”!