spot_img

Artikuj të ngjashëm

A JE FLEKSIBËL AQ SA DUHET?

Gjëja më keqe që mund të të ndodhë është entuziazmi i madh pas leximit të kësaj rubrike apo dhe shkrimeve të ngjashme, të cilat zgjojnë ambicien dhe të nxisin në veprim, e që më pas të dobësohesh dalëngadalë, të të kaplojë plogështia dhe të të çrregullohet perceptimi, duke mos pasur më forcë që t’i shohësh objektivat dhe në fund të gjitha këto t’i marri era. Entuziazmi i tepërt mund të shkaktojë lodhje, rraskapitje dhe dëshpërim, nëse nuk je sa duhet fleksibël, nëse nuk e ke parasysh se jeta është plot me befasi të pakëndshme dhe se gjërat shpesh mund të marrin rrjedhë të kundërt nga çfarë ke planifikuar. Vrazhdësia dhe kokëfortësia janë disa prej shkaqeve të dështimit në realizimin e synimeve, madje ato shpeshherë çojnë edhe në dëshpërim e kapitje. Mos kërko përsosmëri Të gjitha planet pavarësisht se sa janë të ndërlikuara dhe të studiuara mirë në fund kanë mundësi që të dështojnë. Njëra prej arsyeve të mossuksesit në të shumtën e rasteve mund të jetë edhe mospasja në konsideratë e përdorimit të fleksibilitetit, duke mos lënë fare hapësirë për befasi, transformime ose ndryshime të papritura. Kërkimi i përsosmërisë të shkakton shumë probleme, sepse ti nuk ndërmerr asnjë iniciativë pa u siguruar se do të kesh sukses, megjithëse kjo është e pamundur!!! Po qe se ndodh të fillosh ndonjë punë do të jesh i kënaqur vetëm nëse e përsos atë, edhe kjo është prapë diçka e pamundur. Me këtë koncept do të mbetesh gjithmonë skeptik dhe i pavendosur për shumë projekte, do t’i druhesh dështimit, sepse çdo rezultat yti që nuk është i përkryer do ta konsiderosh si një lloj falimentimi, e kjo është si pasojë e kritereve të tua të paarsyeshme. Çdo gjë në këtë botë është relative. Veprat e njerëzve karakterizohen me mangësi dhe të meta. Ai që nuk zotëron fleksibilitetin e duhur për jetën do të ketë frikë nga çdo gjë e re, nuk do të fillojë të bëjë asnjë punë të dobishme dhe sukseset e tij do të mund të numërohen me gishtat e dorës. Ndërsa je duke jetuar në një botë jo të përsosur, me njerëz jo të përsosur dhe në një rreth jo të përkryer mos kërko përsosmëri nga vetja. Përpiqu t’i shohësh nuancat Bota është plot me ngjyra, të cilat ia shtojnë asaj bukurinë dhe hijeshinë. Përpiqu që të shikosh me të gjitha ngjyrat e ylberit dhe mos u kufizo vetëm në dy, të zezë dhe të bardhë. Nuk është çdo send në këtë botë i mirë dhe i keq, i vërtet dhe i rrejshëm, i saktë dhe i gabuar… mirëpo ekzistojnë shumë nivele në mes këtyre dy ekstremeve. Mosrealizimi i plotë i objektivave të tua nuk do të thotë doemos dështim. Mosarritja në kohën e duhur aty ku synon nuk nënkupton se nuk ke mbërritur fare. Paraqitja e pengesave dhe problemeve gjatë realizimit të planit tënd nuk është e barazvlefshme me joefikasitet. Një fjalë e urtë popullore thotë: “Të jesh breshkë në rrugë të saktë është më mirë, se sa të jesh leopard në rrugë të gabuar.” Këtu nuk bëj vetëm thirrje që t’i shihni nuancat në mes të ngjyrës së zezë dhe të bardhë, por t’i shihni të gjitha ngjyrat e bukura të ylberit duke parë alternativat e ndryshme, prurjet kreative dhe zgjidhjet origjinale. Nëse të godet ndonjë problem, bëj diçka ndryshe Tregohet se një herë kur astronautët amerikanë po kalonin orbitën e Tokës gjatë një udhëtimi në kozmos u ndodhi një problem, stilolapsat e tyre nuk shkruanin dot. Amerikanët formuan një qendër speciale të hulumtimit lidhur me këtë problematikë. Pas një kohe ata arritën me sukses të zbulojnë një stilolaps, i cili shkruan në kozmos, nën thellësi të madhe të detit dhe në të gjitha sipërfaqet. Kjo shpikje u kushtoi atyre miliona dollarë dhe normalisht se mburreshin me këtë zbulim. Në anën tjetër astronautët rusë e zgjidhën këtë problematikë në mënyrë shumë të thjeshtë dhe interesante që shkencëtarëve amerikanë fare nuk u kishte shkuar ndër mend. Ata përdorën një laps të thjesht grafik, ndërsa ky zbulim nuk u kushtoi atyre, as mund, as para. Vëreni se zgjidhja e shumë problemeve është shumë më e lehtë se sa ju mund të mendoni. Mos i druaj dështimit Ajo çfarë i pengon shumicën e njerëzve dhe i ndalon të ndërmarrin diçka është frika nga dështimi. Një njeri i tillë sa herë që mediton për të ardhmen që synon ta arrijë, në imagjinatën e tij shfaqen imazhet e dështimit dhe frikës, se mos vendimet e tij janë të gabuara. Kështu ai automatikisht heq dorë nga ndërmarrja e çfarëdo hapi që mund ta çojë atë drejt një dështimi, duke u druajtur pa ndonjë arsye të justifikuar. Është shumë e vërtetë, se suksesi vjen si rrjedhojë e vendimeve të qëlluara, mirëpo kjo shkallë arrihet vetëm si rezultat i një përvoje, e cila shpeshherë është e shoqëruar me vendime të gabuara. A nuk e ke vërejtur se gabimi njerëzit e suksesshëm i ka shpënë tek suksesi, ndërsa dështakët drejt ngurrimit, frikës dhe nganjëherë në bllokim të plotë. Frika nga dështimi nuk do të pengojë vetëm nga nisja e realizimit të projektit tënd, por mund të të shfaqet sa herë që paraqitet para teje ndonjë pengesë, që duhet të ndërmarrësh ndonjë vendim që ta largosh atë për të vazhduar rrugëtimin tënd. Një dijetar thotë: “Do ta gjejmë rrugën ose do të ndërtojmë një të re.” Përgatitu të përballësh shumë pengesa Gabon ai që mendon se jeta është gjithmonë e bukur. Kur dëshpërimi dhe mendimi negativ arrijnë ta pushtojnë mendjen, në jetë do të gjesh vetëm pikëllim dhe mjerim. Dallimi ndërmjet fitimtarit dhe humbësit është se i pari zotëron një projekt për jetën dhe i sheh sukseset, ndërsa dështaku ka vetëm premtime, shpresa dhe sheh vetëm anën e errët të gjërave. Sa herë ke vendosur të ndryshosh jetën tënde, duke filluar me një seriozitet të madh, mirëpo për një kohë shumë të shkurtër ke ngecur dhe je ndalur së vepruari, duke u kthyer në të njëjtën gjendje siç ishe në fillim? Por mos u brengos se nuk je i vetmi. Realisht, në çdo fillim gjërat rrjedhin në këtë mënyrë. Është shumë e natyrshme që uni të përzgjedhë rrugën më të lehtë, sepse kështu është i adaptuar. Vetëm të menduarit nuk mjafton që t’i ndryshosh veset dhe shprehitë e rrënjosura thellë në personalitetin tënd. Ti duhet patjetër të përpiqesh, të këmbëngulësh dhe ta stërvitësh veten derisa t’i largosh ato dhe t’i zëvendësosh me virtyte dhe sjellje të mira. Kjo nuk do të thotë se për të arritur këtë duhet patjetër ta rraskapitesh dhe ta dhunosh veten. Mënyra më e mirë për t’i ndryshuar shprehitë është që gjatë këtij procesi të argëtohesh aq sa ke mundësi. Ai që i fiton një milion euro në vit nuk punon 1000 herë më shumë se ai që fiton një mijë euro në vit, ngase vetëm mundi nuk mjafton, por duhet gjetur puna e duhur, e cila është e shoqëruar me kënaqësi dhe veprim. Suksesi është udhëtim që fillon nga shpresa drejt synimit. Detyra jote është që ta bësh këtë udhëtim të këndshëm që me dëshirën më të madhe do ta përsëritësh prapë. Imagjino veten duke luajtur një sport dhe kënaqesh me ushtrimin e këtij sporti, edhe nëse e humb ti je fituesi, ndërsa kundërshtari yt konsiderohet humbës edhe në qoftë se e ka fituar rezultatin. Llogarit veten për çdo mbrëmje Është shprehi shumë e mirë nëse i rezervon orarit ditor një gjysmë ore para se të shtrihesh në shtrat, që të kontrollosh hartën tënde, të bësh bilancin e arritjeve të ditës dhe të vendosësh detyrat për të nesërmen. Kjo është një shprehi e thjeshtë, por që të ndihmon në administrimin e kohës, orientimin e mundit dhe rrjedhën e aktiviteteve të tua në drejtimin e duhur. Të gjitha këto japin një kontribut të madh për objektivat e tua.

Të fundit