Nëse fëmija juaj ka vështirësi të mëdha për të shkruar shkronjat, për të shqiptuar fjalët saktë, për të lexuar shkrimin e dorës, problemi mund të jetë ‘disgrafia’ – një aftësi e veçantë e të mësuarit që ndikon në aftësitë motorike fine, veçanërisht në shkrim.
Çfarë është Disgrafia?
Disgrafia është një aftësi e veçantë e të mësuarit që prek shkrimin dhe aftësi motorike fine. Ajo ndërhyn në drejtshkrim, ndarjen e fjalëve dhe aftësinë e përgjithshme për të shkruar mendimet në letër. Kjo e bën procesin e shkrimit të lodhshëm e të ngadaltë, me një produkt që shpesh është i pamundur të lexohet. Duke qënë se shkrimi i shkronjave kërkon shumë përpjekje për një fëmijë me disgrafi, mund të ndodhë shpesh që shkrimi të kthehet në një veprimtari frustruese për të dhe si rrjedhim mund të refuzohet. Shkrimi është një mjet i cili n’a ndihmon që të kujtojmë, organizojmë dhe procesojmë informacionin, por fëmijët të cilët kanë vështirësi me shkrimin kamë më pak pak predispozitë për të realizuar detyrat në krahasim me bashkëmoshatarët e tyre. Ai/ajo mund të dështojë në një provim thjesht sepse nuk mund të përkthejë mendimet dhe përgjigjet në letër. Kur një fëmijë përballet me një humbje të tillë në klasë shpesh, sidomos në vitet e para të shkollimit, nuk duhet shumë kohë që dekurajimi akademik të zhvillojë ndjenjën e inferioritetit që pengon të gjitha përpjekjet për të mësuar. Kjo problematikë ka gjasa që të vazhdojë edhe në të ardhmen nëse disgrafia nuk identifikohet dhe trajtohet.
Simptomat
Në mjediset e shkollës fillore, vlerësohet se rreth 4% e fëmijëve vuajnë nga disgrafia. Nga shkolla e mesme – kur kompleksiteti i detyrave të shkruara fillon të rritet në mënyrë dramatike – vlerësimet mund të arrijnë deri në 20%. Disa nga simptomat janë:
- Vështirësi në formimin/shkrimin e shkronjave ose vendosjen e hapësirës midis fjalëve.
- Shkruan shkronjat në madhësi të ndryshme.
- Veshtirësi dhe dhimbje në mbajtjen e lapsit.
- Vështirësia në ndjekjen e një linjeje gjatë shkrimit ose qëndrimi brenda vijave të fletores.
- Probleme me strukturën e fjalisë ose rregullat e gramatikës kur shkruajnë, por jo kur flasin.
- Vështirësi në organizimin ose artikulimin e mendimeve në letër.
- Shmang aktivitete si shkrimi, vizatimi, ngjyrosja.
- Nuk mund të lexojë shkrimin e tij/saj.
- Vendos shkronjat kapitale (p.sh A) në mes të fjalëve ose harron t’i vendosë kur kërkohet, për shembull në fillim të fjalisë.
- Harron ose keqpërdor pikësimin.
- Dallimi i theksuar ndërmjet kuptimit të një teme kur është e shkruar ose e treguar.
- Shqipton të njëjtën fjalë në mënyra të ndryshme branda të njëjtit paragraf.
- Ka vështirësi me leximin e hartave ose tabelave.
Cilat aftësi ndikohen nga Disgrafia?
Ndikimi i disgrafisë në zhvillimin e fëmijës ndryshon në varësi të simptomave dhe ashpërsisë së tyre. Fushat ku ajo ndikon janë:
- Akademike: Fëmijëve me disgrafi iu duhet shumë më shumë kohë për të shkruar dhe si rrjedhim nuk arrijnë ritmin e shokëve . Marrja e shënimeve është një sfidë. Ata mund të dekurajohen dhe të shmangin detyrat e shkrimit.
- Aftësitë bazike jetësore: Aftësitë motorike të disa fëmijëve janë të dobëta. Ata hasin vështirësi në kryerjen e aktiviteteve të përditshme, të tilla si mbyllja e butonave të këmishave dhe krijimi i një liste të thjeshtë.
- Social-emocionale: Fëmijët me disgrafi mund të ndihen të frustruar ose të shqetësuar për sfidat e tyre akademike dhe të jetës së përditshme. Nëse nuk identifikohen, mësuesit mund t’i etiketojnë ata si “dembelë” ose “të ngathët”. Kjo mund të shtojë stresin e tyre. Vetëbesimi i ulët, zhgënjimi dhe problemet e komunikimit mund të vështirësojnë socializimin me fëmijët e tjerë.
Trajtimi
Disgrafia është një gjëndje e qëndrueshme, e vazhdueshme por kjo nuk do të thotë që nuk mund të mbahet nën kontroll. Trajtimi ndryshon në varësi të fëmijëve dhe varet nga vështirësi të tjera, që fëmija mund të ketë të bashkëshoqëruara.