Në shumë situata, durimi nuk është vetëm një gjendje shpirtërore e dëshirueshme, por vetëdije për kohën dhe për vlerën e vërtetë të saj…

Durimi: Ndër virtytet njerëzore është një nga më të famshmet dhe më të keqinterpretuarat. Çfarë do të thotë fjala “durim”? Rrënjët e kësaj fjale na çojnë te diçka e dhimbshme: “të durosh, të vuash, të tolerosh”. Është përdorim i zakonshëm thirrja “durim”, për të treguar një situatë në të cilën nuk mund të bëni asgjë, përveçse “të gëlltisni kafshatën e hidhur”.

Por ekziston edhe një mënyrë tjetër e të konsideruarit të fjalës durim, ku duhet ta mendoni si një kushtëzim i pashmangshëm që i përket kohës: jo kohës absolute të fizikës dhe të ekuacioneve, por kohës psikologjike, ose ashtu siç perceptohet, kalimit të çdo dite diellore që ne, nëpërmjet një objekti të quajtur orë e kemi ndarë në shumë pjesë: minuta, orë, ditë dhe që i menaxhojmë në bazë të nevojave tona.

 

Durimi i përket kohës që kalon

Çfarëdolloj gjëje apo ngjarje që mund të imagjinojmë kërkon dhe përfshin pa përjashtim një “pjesë” kohë, e nevojshme për të kryer atë që kemi filluar: një bimë kërkon një pjesë kohe për t’u rritur dhe për të dhënë frytet e saj. Po ashtu, edhe pirja e një kafeje, që është një zakon i përditshëm, kërkon një pjesë kohe. Edhe të shkosh nga një vend në tjetrin, merr një pjesë kohe.

Mund të themi se ne e “investojmë” kohën tonë për të bërë gjëra, që nga ana e tyre përthithin një vëllim kohe pak a shumë të konsiderueshëm. Këto investime kohe nuk janë asnjëherë të garantuara: mund të lulëzojnë, por edhe mund të humbasin. Në ditët e sotme jemi duke e shpërdoruar artin e të duruarit, në çdo fushë të jetës. Duam gjithçka menjëherë dhe kërkojmë ta marrim pa u munduar fare. Kjo jetë frenetike po na bën njerëz të padurueshëm, nervozë, të pakënaqur dhe të paaftë për të pritur.

Kemi humbur aftësinë e të priturit, e të dëshiruarit të diçkaje dhe e të fituarit të saj me kohë dhe sakrificë. Në kohën e shpejtësisë, të lajmeve me një click dhe të zgjedhjeve të menjëhershme, të presësh e të durosh, të mos përfshihesh nga çastet që ikin është shndërruar në një privilegj, të cilin të paktë janë ata që e kanë. E kështu durimi është kthyer në një virtyt gjithnjë e më të rrallë.

 

Falë durimit mund të arrini objektivat

Shumë gjëra kërkojnë shumë kohë për t’u realizuar. Mendoni për një atlet olimpik se sa orë stërvitje i është dashur të bëjë për të arritur rezultatet që ka marrë. Nëse nuk do të ishte i durueshëm, nëse nuk do të ishte ringritur në momentet e dështimit dhe nëse nuk do të kishte vazhduar edhe kur rezultatet nuk ishin të kënaqshme, nuk do të shijonte kurrë fitoren. Kjo sepse durimi ju jep aftësinë e të priturit, të mos humbisni shpresën.

Me pak fjalë, të jeni të durueshëm do të thotë të keni besim. Sa më të padurueshëm të jeni, aq më shumë do të mërziteni në vështirësinë e parë ose do të hiqni dorë nëse nuk e arrini menjëherë atë që dëshironi. Sa herë që gjendeni përballë diçkaje të vështirë, e cila kërkon sforco dhe përkushtim, nuk do të jeni të gatshëm të bëni sakrifica, sepse tashmë jeni mësuar të merrni gjithçka që doni në mënyrë të thjeshtë dhe të menjëhershme.

Të jeni të durueshëm nuk do të thotë që të prisni që gjërat të ecin vetë pa bërë asgjë, duke e shndërruar pritjen në diçka pasive. Do të thotë që t’i jepni vetes kohë për të mësuar, për të provuar dhe për t’i lënë gjërat që të zhvillohen dhe të funksionojnë. Që të rritet, një bimë ka nevojë për ujë, dritë dhe dikë që me durim të kujdeset për të. Vetëm kështu ajo një ditë do të mund të lulëzojë. Kur dëshironi diçka, jepini vetes kohë, jini të durueshëm dhe rrituni. Vetëm në këtë mënyrë do të mund t’ia dilni të fitoni gjithçka që dëshironi.

 

Durimi ju ndihmon të mos gaboni

Kur je shumë impulsiv, është e lehtë të gabosh. Sa vendime që keni marrë në nxitim e sipër, ju kanë rezultuar se kanë qenë vendime të drejta dhe sa të tjera kanë qenë një dështim total? Sigurisht, disa mundësi duhen kapur në ajër, pa bërë shumë pyetje, në mënyrë që të mos ikin, por në shumicën më të madhe të rasteve, sa herë që vendosni me nxitim, rreziku për të gabuar shtohet. Kjo, sepse ne jemi të prirur që të zgjedhim rrugën më të shpejtë dhe më të lehtë, e cila jo gjithmonë është më e mira.

Të mësoni të jeni të durueshëm ju jep mundësinë që të peshoni dhe të reflektoni mirë gjërat para se të merrni një vendim. Në këtë mënyrë do të ulni mundësinë për të dështuar. Veç kësaj, në disa raste durimi mund t’ju ndihmojë të kuptoni se kur duhet të guxoni, pa e djegur mundësinë e një rasti të mirë. Kur arrini të kuptoni se pritja mund t’ju dhurojë shumë, të duroni nuk do të jetë një gjë e vështirë. Sot, për shembull, provoni të zgjidhni një rrugë të gjatë për t’u kthyer në shtëpi. Do t’ju duhet më shumë kohë, por do të shihni diçka të re dhe mund të zbuloni diçka që mund t’jua ndryshojë ditën.

Nëse duhet të hyni në një pallat, ngjitini shkallët më këmbë dhe jo me ashensor. Mund të takoni dikë që nuk e keni menduar. Do të kuptoni se të dini të prisni ju hap ndaj mundësive dhe perspektivave të reja. Shijoni udhëtimin që ju çon në destinacion, sepse ju dhuron përvoja të shumta. Mos dëshironi vetëm të arrini me nxitim në fund.

 

Mësoni ta jetoni durimin me harmoni

Të keni durim do të thotë të dini të prisni dhe të përjetoni momentet e pritjes me harmoni. Ajo që fitojmë pasi e kemi pritur dhe dëshiruar për shumë kohë, na dhuron kënaqësi më të mëdha. Të mësoni se si të jeni të durueshëm, të mos nxitoni, bën të mundur që ta shijoni jetën me më shumë qetësi dhe pa tension. Të dini të prisni ju lejon të jeni më në harmoni, sepse në fund të fundit, të gjitha ditët janë një pritje. Jetojmë mes pritshmërive, duke kërkuar vazhdimisht përgjigje dhe i pretendojmë ato menjëherë. Kjo gjë jo gjithmonë është e mundur, por duke kultivuar durimin jemi në gjendje të mos kemi më frikë nga pritja dhe mësojmë të kemi besim te koha.