Shkenca ka arritur të shpjegoj shumë aspekte të gjumit por ëndrrat ngelen një ndër fenomenet më të pashpjeguara.
Nëse ju ndodh shpesh të keni ëndrra stresuese, kjo mund të jetë e lidhur me ankthin dhe stresin që përjetoni në jetën tuaj të përditshme dhe ndikimin e tyre në trupin tuaj. Nëse vazhdimisht e gjeni veten të zgjoheni të djersitur nga stresi që ju shkaktojnë ëndrrat, është koha të rendisni mendimet tuaja dhe të kuptoni më shumë mbi çfarë po e shkakton këtë gjendje.
Stresi: të gjithë e kemi por nuk mund të lejojmë të kontrollojë jetën tonë
Stresi është një tension emocional, fizik dhe mendor që shkaktohet nga situata jashtë kontrollit tonë.
Disa nga gjërat që shkaktojnë më shumë stres janë zhvendosja në një shtëpi të re, ndryshimi i vendit të punës ose shkollës, probleme të marrëdhënieve apo humbja e një njeriu të dashur. Stresi mund të shkaktojë çrregullime të gjumit, përfshij pagjumësinë. Kjo ndikon në cilësinë e të pushuarit dhe rrjedhimisht në cilësinë e jetës.
Stresi në përgjithësi prish cilësinë e gjumit çka shkakton dhe më shumë ëndrra.
Ndaj është shumë e zakonshme të kesh ëndrra stresuese para një eventi të rëndësishëm si një intervistë pune, provimi apo një takimi të rëndësishëm.
Lajmi i mirë është se ju mund ta kontrolloni stresin. Nëse mësoni ta menaxhoni stresin në jetën tuaj, me shumë mundësi do të mund të shmangni dhe stresin që ju japin ëndrrat gjatë natës dhe të përmirësoni gjumin.
Si të relaksoni mendjen dhe trupin para gjumit?
Dilni në “zonën tuaj të komfortit”. Bëni gjëra para gjumit që ju japin qetësi. Për dikë kjo do të thotë të lexoj një libër, të dëgjoj muzikë apo mund të zgjidhni aktivitete te tjera relaksuese për ju.
Mbani shënim mendimet tuaja
Nëse shpesh e gjeni veten të shqetësuar para gjumit, kur gjithë situatat e rënduara të ditës mblidhen në mendimet tuaja, është mirë të uleni në mbrëmje dhe të mbani shënim shqetësimet tuaja. Këtë mund ta bëni para fillimit të filmit tuaj të preferuar në mbrëmje apo para aktiviteteve të tjera që mund të ndiqni.
Mendojeni dhomën tuaj të gjumit si një vend të përshtatshëm vetëm për gjumë, seks dhe aktivitete relaksi
Nëse shpesh e gjeni veten në krevat duke menduar për gjëra që ju shkaktojnë stres, çohuni nga krevati dhe shpenzoni kohë duke bërë diçka tjetër. Kthehuni në dhomën e gjumit pasi të jeni qetësuar. Është e rëndësishme që dhoma e gjumit mos të lidhet në mendjen tuaj me mendime stresuese.
Praktikoni teknika relaksuese
Ka shumë teknika të cilat mund t`ju ndihmojnë të kryeni një gjumë të rehatshëm, si ushtrime të frymëmarrjes dhe ushtrime për relaksimin e muskujve (mund të gjeni dhe disa aplikacione të cilat ju ndihmojnë me këto ushtrime). Këto teknika duhet të aplikohen para gjumit dhe mund të kthehen në zgjidhje për një gjumë të qetë e pa ëndrra.
Kur zgjoheni të panikuar në orën 3 të natës
Të gjithë e kemi kaluar, një makth ose një ëndërr stresuese ju zgjon nga gjumi dhe tashmë që jeni zgjuar, e gjeni veten duke menduar për gjithë gjërat që nuk shkojnë me jetën tuaj.
Nëse kjo ndodh, cfarë mund të bëni për të fjetur përsëri?
Mos e shikoni orën.
Mos numëroni minutat që kalojnë dhe mos llogarisni dhe sa kohë gjumë ju mbetet deri sa të bjerë zilja. Kthejeni telefonin përmbys dhe mos e mbani mendjen aty.
Relaksoni trupin
Përdorni një mënyrë relaksimi të ngjashme me ato para gjumit në mbrëmje.
Çohuni nga krevati
Nëse nuk mund të flini pas një ëndrre të keqe, atëherë duhet të çoheni nga krevati për të shmangur frustrimin. Mos shpenzoni kohë në krevat me shpresën se shpejt do të flini ose të mendoheni se si mund të interpretohet ëndrra juaj. Pasi jeni çuar nga krevati, bëni diçka që është pak interesante për ju dhe ju mërzit shpejt, kur ndjeni se po lodheni është koha për t`u kthyer në krevat.
Edhe pse ende nuk dimë t`i japim plotësisht shpjegim ëndrrave tonë, ne mund të kontrollojmë stresin që përjetojmë. Nëse arrimë ta bëjmë këtë, do të jemi të aftë t`i japim fund gjumit të çrregulluar nga makthe dhe ëndrra të këqija.