HomeProgrami i edukimitNdërtimi i familjesFëmijët dhe punët e shtëpisë
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Fëmijët dhe punët e shtëpisë

Me mbylljen e shkollave në vend dhe udhëzimet për të qëndruar brenda shtëpisë në këtë periudhë karantinimi, shumë prindër po përballen me sfidën për të mbyllur fëmijët e tyre “brenda katër mureve”. Përveç një sërë aktivitetesh të tjera që ekspertët këshillojnë të përfshihen në rutinën e fëmijëve gjatë kësaj periudhe, një aktivitet që patjetër duhet të bëhet pjesë e kësaj rutine (për ata që nuk e kanë tashmë) është përfshirja e fëmijëve në punët e shtëpisë.

Ndonjëherë prindërit pyesin veten nëse realisht duhet t’i përfshijnë fëmijët e tyre në punët e shtëpisë. Shumë prindër dëshirojnë që fëmija e tyre ta shijojë sa më shumë të jetë e mundur periudhën e bukur te fëmijërisë duke i dhënë gjithë kohën e botës për të luajtur dhe për të qënë i lirë nga përgjegjësitë. Të tjerë, e shikojnë fëmijën si jo të aftë për të ndihmuar dhe preferojnë t’i bëjne vetë punët e shtëpisë sepse kjo është mënyra më efiçente. Ndërkohë, ka edhe nga ata që i mbingarkojnë fëmijët me punë shtëpie. Por, cila nga këto alternativa është vërtet shembull i një prindërimi të shëndetshëm?

Sipas ekspertëve, angazhimi i fëmijës tuaj në punët e shtëpisë kontribon në zhvillimin e një rutine dhe strukture të shëndetshme, duke e lejuar atë të zhvillojë kompetenca jetësore çka rrit vetëbesimin e tij dhe ushqen një sens përkatësie dhe vlere ndaj familjes. Këto aftësi mund të sjellin rritje të suksesit të tyre në shkollë, punë dhe jetë.

Disa nga benefitet e përfshirjes së fëmijës në punë të përshtatshme për moshën e tij janë:

  • Mëson si të menaxhojë kohën e tij.
  • Mëson të marrë përsipër përgjegjësi që në një moshë të hershme.
  • Mëson të balancojë lojën dhe punën.
  • Punët e shtëpisë janë një mundësi që fëmija të arrijë sukses (veçanërisht për ata fëmijë të cilët kanë vështirësi me arritjet në fusha të tjera).
  • Ushqehet autonomia e fëmijës duke vendosur kështu themelet që ai të arrijë të jetë i pavarur.
  • Stimulohet etika e punës.
  • Duke e përfshirë fëmijën në punët e shtëpisë i krijoni mundësi vetes për t’u lidhur më shumë me të.

Megjithatë, përfshirja e fëmijëve në këto punë mund të jetë një sfidë për disa prindër sepse fëmijët mund t’i refuzojnë ato dhe të preferojnë të merren me aktivitetet që ata kanë qejf.

Më poshtë po japim disa këshilla se si të filloni të përfshini punët në rutinën e fëmijës tuaj:

  • Vendosni pritshmëri të qarta dhe të arsyeshme. Fëmija duhet ta ketë shumë të qartë se çfarë i kërkohet të bëjë. Për shembull, “të lutem pasi të mbarosh mëngjesin pastroje tavolinën dhe vendosi enët e palara në lavaman”.
  • Vendos një rutinë. Për shembull, “përpara se të ulemi për të ngrënë darken, duhet të rregullosh dhomën tënde”.
  • Trego konsistencë. Ndryshimi i rregullave dhe pritshmërive mund të krijojë konfuzion dhe frustrim te fëmija.
  • Për fëmijët më të vegjël, fokusohuni te punët e vogla dhe të realizueshme nga fëmija. Sigurohuni që t’i bëni punët një aktivitet që t’i sjellë edhe kënaqësi fëmijës, për shembull duke vendosur muzikë në sfond.
  • Ndërtoni një kalendar ku të përcaktoni punët që duhet të kryejë fëmija juaj gjatë javës dhe shpërblejeni atë në përfundimin me sukses të javës si një mënyrë për ta përfocuar.
  • Ji model për t’u ndjekur nga fëmija jot. Fëmijët mësojnë duke vëzhguar, prandaj nëse fëmija shikon se pjesëtarët e tjerë të familjes e mbajnë ambientin e pastër ata do priren të bëjnë të njëjtën gjë.
  • Gjithmonë lavdëroje fëmijën për punët e përfunduara me sukses. Për shembull, “Bravo, e ke pastruar shumë mirë dhomën tënde!”

Por, cilat janë punët e përshtatshme për fëmijët në përputhje me moshën e tyre?

Shikoni disa sugjerime në vijim.

Mosha 3-5 vjeç:

  • Vendos rrobat e tij të palara në koshin e rrobave.
  • Mbledh lodrat e tij, me pak ndihmë, pasi ka mbaruar së luajturi.
  • Zgjedh rrobat e tij dhe vishet vetë me pak ndihmë.
  • Hedh një mbeturinë në kosh.
  • Mund të ndihmojë në rregullimin e shtratit të tij.
  • Ndihmon në shtrimin e tavolinës.
  • Vendos rrobat e tij në vend.
  • Rregullon nëpër vendet e caktuara gjërat e tij sipas udhëzimeve që i jepen.

 

Mosha 6-8 vjeç:

  • Mund të ndihmojë në marrjen e pluhurave.
  • Të lajë tavolinën pas drekës.
  • Të palosë rrobat e lara dhe ti vendosë nëpër vende.
  • Të ndihmojë në rregullimin e enëve të kuzhinës nëpër vende.
  • Të shoqërojë prindërit në bërjen e pazareve për shtëpinë.
  • Ndihmon me ujitjen e luleve.

 

Mosha 8-10 vjeç

  • Të ndihmojë në përgatitjen e ushqimit.
  • Mund të lajë dyshemenë e shtëpisë.
  • Shtron dhe ngre shtratin dhe rregullon dhomën e tij.
  • Ndihmon në hedhjen e mbeturinave.
  • Përgatit çantën dhe rrobat e tij për shkollë.
  • Menaxhon lekët e tij nën mbikqyrjen e prindërve.

 

Por mos harroni, tregohuni të arsyeshëm dhe mos e teproni! Në fund të ditës, një dhomë e rrëmujshme nuk është fundi i botës.

 

Të fundit