Vetëvlerësimi është mënyra se si ne mendojmë dhe ndihemi me veten. Në psikologji, vetëvlerësimi i referohet respektit, njohurive, bindjeve, ideve, ndjenjave, qëndrimeve dhe pritshmërive që individi ka për veten.
Vetëvlerësimi i lartë dhe i shëndetshem (pra jo mbivlerësim i vetes, i cili konsiderohet patologji) ndikon pozitivisht tek individët, i lejon ata të kalojnë sfidat e jetës me sukses, i motivon për të përmbushur qëllimet e tyre dhe gjithashtu i bën më të shëndetshëm.
Vetëvlerësimi nuk lind vetvetiu, as nuk krijohet brenda ditës, por fitohet me kalimin e kohës gjatë raporteve me njerëzit e tjerë . Vetëvlerësimi fillon te formohet që në fëmijërinë e hershme, prandaj është shumë e rëndësishme që prindërit të jenë të mirëinformuar për mënyrat e duhura të sjelljes dhe komunikimit me fëmijët e tyre, në mënyrë që të rrisin fëmijë të shëndetshem dhe me vetëvlerësim pozitiv për veten, të cilët në të ardhmen ka shumë mundësi të bëhen të rritur të sukseshëm dhe të shëndetshëm .
Si mund të rrisim vetëvlerësimin tek fëmijet ? Ja disa këshilla të domosdoshme për prindërit
1) Theksoni suksesin dhe jo dështimin, drejtoni vëmëndjen në numrin e përgjigjeve të sakta, vlerësoni krijmtarinë dhe qartësinë e të menduarit.
2) Përfshijeni fëmijën tuaj në zgjedhjet familjare, duke e pyetur se çfarë mendon për shembull, për rilyerjen e kuzhinës. Fëmija nuk duhet të ketë domosdoshmërisht fuqi vendimmarrëse, por thjesht duhet të ndihet i përfshirë në jetën familjare.
3) Mund të jetë e dobishme që fëmijën ta regjistroni në një kurs muzike, futbolli…ose në çfarëdo lloj aktiviteti tjetër që i pëlqen dhe që e bën të ndihet mirë. Kjo është e këshillueshme sidomos nëse fëmija ka probleme në shkollë: me një aktivitet jashtëshkollor, do të kompensojë “gabimin” shkollor duke fituar më shumë besim në vete.
4) Vlerësojeni përpjekjen e fëmijës pavarësisht se ka humbur apo fituar. Fëmija nuk duhet të ndihet i turpëruar sepse ka provuar diçka të re, është e rëndësishme ti mësoni fëmijët që jo gjithmonë do të fitojnë, ka raste kur edhe do të humbasin, dhe nuk ka asgjë të keqe këtu.
5) Mos bëni gjithcka për fëmijën tuaj, jini të durueshëm dhe lërini të bëjnë vetë disa gjëra të cilat mund t’i bëjnë, edhe pse ngadalë. Për shembull, mund të jetë më e shpejtë dhe më e lehtë të vishni fëmijën tuaj, por ta lini atë të vishet vetë e ndihmon atë të mësojë aftësi të reja.
6)Bëjini të ditur se askush nuk është i përsosur dhe shpjegojini se askush nuk pret që ai të jetë. Mënyra si reagoni ndaj gabimeve dhe zhgënjimeve të fëmijës tuaj ngjyros mënyrën se si ai do të reagojë.
7)Mos bëni krahasime midis fëmijëve tuaj. Përkundrazi, vlerësoni individualitetin e secilit.
8) Mos bëni komplimente të ekzagjeruara dhe të pabaza , treguhuni më specifik dhe vlerësoni detajet. Për shembull , nëse fëmija ka vizatuar familjen dhe ju tregon vizatimin që ka bërë , ju nuk duhet t’i thoni “Ëooë, je piktori më i mirë në botë, por duhet të thoni dicka më reale të tipit: “Më pëlqen fakti që ke vizatuar dhe qenushin tonë apo më pëlqejnë shumë ngjyrat që ke zgjedhur”.
9) Jepni udhëzime me mirësjellje në vend të urdhrave.
10) Përgëzojini ata për sjelljet e mira, kjo gjë i motivon ata të vazhdojnë të sillen mire.
Një sens pozitiv për veten është një nga dhuratat më të mëdha që mund t’i jepni fëmijës tuaj. Fëmijët me vetëvlerësim të lartë ndjehen të dashur dhe kompetent egjithashtu ka shumë gjasa që ata të jenë të shëndetshëm dhe të suksesshëm në të ardhmen.