HomeFokusGrindjet në çift
spot_img

Artikuj të ngjashëm

Grindjet në çift

Grindjet me partnerin mund t’ju stresojnë dhe demoralizojnë. Por nuk ka pse të ndodhë kështu, dhe mbi të gjitha asnjë grindje nuk duhet të dobësojë një marrëdhënie që ka në bazat e saj dashurinë dhe respektin reciprok. Ekzistojnë disa mënyra grindjesh, të cilat bëjnë të mundur që çiftet të shfryjnë ankesat e tyre, por e ruajnë marrëdhënien dhe ndjenjat e tyre të paprekura. Natyrisht që pjesa më e madhe e vështirësisë në një grindje qëndron te komunikimi. Ndonjëherë, problem nuk është ajo që themi, por mënyra se si e themi, e cila e bën partnerin të ndihet i braktisur, i pakuptuar, i inatosur.

Të mësoni se si të grindeni me partnerin është një art, dhe duhet ta bëni në mënyrë të shëndetshme dhe inteligjence – që nuk do të thotë se duhet të jeni keqdashës në fjalët që thoni. Ka shumë çifte të lumtura që grinden shpesh, dhe çifte të tjera që nuk debatojnë fare: nuk është grindja në vetvete që përcakton harmoninë e një marrëdhënieje, por nëse do të duhet që të grindeni me partnerin, debati duhet të jetë produktiv. Problemet e një lidhjeje fillojnë kur të dy palët keqkuptohen. Secili nga partnerët ndjen se tjetri nuk e kupton ky fakt i bën të ndihen të vegjël, të pasigurt, të padashur. Për pasojë, tendenca është që të reagojnë me inat, agresivitet ose edhe heshtje.

Ciladoqoftë mënyra e reagimit, kjo gjë e shton debatin. Por ka disa mënyra se si të diskutoni pa arritur në ekstrem. Ndiqni këshillat e mëposhtme…

 

FILLONI NGA VETJA

Gjëja më e mirë që duhet të bëni për të sheshuar një problem në çift, është që të pranoni përgjegjësinë tuaj për problemin mbi të cilin po debatoni. Të pranoni gabimet dhe të merrni përsipër përgjegjësinë tuaj, mbi të gjitha, është hapi thelbësor që ju çon drejt zgjidhjes së konfliktit. Një pyetje që mund t’i bëni vetes është: “Çfarë po bëj tani për të përkeqësuar situatën time në çift?” Në vend që të analizoni difektet e partnerit, mundohuni të reflektoni se në çfarë mënyre sjellja juaj ndikon për të përkeqësuar problemin. Në fakt, në disa situata, mund të vendosim të ndryshojmë të vetmen gjë që mund të ndryshohet: veten tonë.

 

MOS E DËNONI NJËRI-TJETRIN

Të gjithë jemi të aftë që nga inati të bëjmë apo t’u themi gjëra të pakëndshme njerëzve që duam, në veçanti kur jemi duke debatuar dhe kur ndihemi të përfshirë nga ndjenjat negative. Por në shumicën e rasteve, arsyet që ndezin debatet në çift nuk lindin nga ndjenjat negative. Shpesh njerëzit janë të armatosur me qëllime të mira, por ndodh si në aforizmën e Oscar Wilde: “Ndodh që me qëllimet e mira në shumicën e rasteve të merren efektet më të këqija”.

 

JINI EMPATIKË

Duke filluar të bëni pikërisht këtë mënyrë të të menduari, do të jetë më e lehtë ta shihni partnerin tuaj jo me si një “kriminel” dhe të filloni të mendoni se çfarëdolloj gjëje të ketë thënë apo bërë, sjellja e tij nuk kishte qëllime negative. Për shembull, mund të ndodhë që për një arsye të ndryshme (lodhje, parehati, papunësi) të jetë e shpërqendruar dhe të djegë drekën. Nuk duhet të mendoni se është i pavëmendshëm se nuk i intereson apo nuk e ka mendjen te dreka, por se kanë qenë pikërisht arsyet e ndryshme që kanë ndikuar në shpërqendrimin e tij.

 

HIQNI DORË EDHE PSE NUK ËSHTË E DREJTË

Shkaku më i shpeshtë i grindjeve është bindja se keni të drejtë dhe që këndvështrimi juaj është ai i duhuri. Mund të ndiheni të frustruar nëse partneri është në kundërshtim me mendimin tuaj ose të inatosur që ai mund të mendojë ndryshe nga ju. Nga njëra anë, është normale t’ju pëlqejë që partneri t’ju japë të drejtë, por nga ana tjetër, mundohuni të hapni mendjen për të kuptuar që edhe partneri juaj e konsideron të vlefshëm këndvështrimin e tij.

 

 

MËSONI TË DËGJONI

Konfliktet më të zjarrta ndodhin sepse nuk jemi të aftë të dëgjojmë mendimin e tjetrit. Shumë shpesh, gjatë një debati të ndezur, jeni të bindur se po e dëgjoni partnerin, ndërkohë ajo që ndodh është se po “dëgjoni veten”, pra po mendoni se çfarë do të thoni ose mënyrën se si të kundërshtoni argumentet e tij. Konflikti do të zbehet nëse e dëgjoni sinqerisht atë. Para se të shprehni mendimin tuaj, provoni të bëni një lloj përmbledhjeje të asaj që partneri ka thënë. Mundohuni t’i rezistoni impulsit për të vlerësuar apo analizuar “faktorin vërtetësi” në atë që partneri po ju thotë. Ndjenjat si dhimbje, trishtim, vetmi, inat, nuk janë as të drejta, as të gabuara. Pikërisht mirëkuptimi i këtyre ndjenjave është një hap i parë i rëndësishëm për të sheshuar tensionin.

 

FLISNI PA AKUZUAR

Kur duhet të ngrini në diskutim një problem, mundohuni ta bëni në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë, në përputhje me ato që janë nevojat dhe perceptimet tuaja. Mos u nxitoni dhe të paraqisni të njëjtën gjë për të disatën herë, duke e akuzuar apo sulmuar partnerin, pasi ai nuk do të bëjë gjë tjetër, përveçse do të ndjejë nevojën për t’u mbrojtur.

 

THUAJINI “PO” NDRYSHIMEVE TË VOGLA

Ndryshime të vogla mund t’ju çojnë tek ato të mëdhatë, sidomos nëse i shihni, i vini re dhe përqendroheni te vetja. Jini të vëmendshëm, pasi kjo gjë do t’ju ndihmojë të gjeni motivimin për të ndryshuar akoma më shumë. Për shembull, mundohuni t’i thoni një fjalë të ëmbël apo t’i bëni një surprizë partnerit në një moment ku është veçanërisht i lodhur dhe i stresuar.

 

SHPREHNI DASHURINË

Sidomos në momentet më stresuese, është thelbësore që të shprehni fjalë që ofrojnë siguri, vlerësim dhe dashuri. Është shumë më e lehtë të pranoni mendimin e dikujt, kur ndjeni se ai person po shqetësohet për ju. Kujtohuni që t’i vini vazhdimisht në praktikë këto këshilla të vogla. Komunikimi i mirë në rrethana të vështira është një punë e vështirë, por përfitimet që pasojnë dhe ndjesia e mirëqenies me partnerin, përfaqësojnë një “shpërblim” të shëndetshëm dhe pozitiv.

Të fundit