Shumë nga ne i shmangen bisedave me të panjohurit,duke menduar se ky lloj ndërveprimi është i vështirë dhe i padëshiruar nga të dyja palët. Por sikur ta kemi gabim? Një studim i ri, sugjeron se dëshira për të biseduar për gjëra konfidenciale me njerëz të panjohur, është në fakt një ndjenjë e zakonshme.

Pra herën tjetër që ju qëllon të flisni me dikë që nuk e njihni, nuk duhet të supozoni se domosdoshmërisht duhet t’i përmbaheni një bisede sipërfaqësore. Ekziston një shans i mirë që personi me të cilin jeni duke folur të jetë i lumtur që të ndajë me ju disa nga aspektet më personale të jetës së tij, siç mund të jeni edhe ju me të.

Studiuesit kryen 12 eksperimente të ndryshme, që përfshinë më shumë se 1.800 individë për të parë qëndrimin e njerëzve ndaj bisedave dhe kontakteve, me pjesëmarrës që përfshinin studentë, drejtues biznesi dhe vullnetarë të rekrutuar në internet.

“Lidhja me të tjerët në mënyra kuptimplote, tenton që t’i bëjë njerëzit më të lumtur. Por njerëzit ngurrojnë që të përfshihen në biseda më të thella dhe më kuptimplota me të panjohurit”-thotë shkencëtari i sjelljes Nikolas Eplej nga Shkolla e Biznesit në Universitetin e Çikagos.

“Pra ky paradoks social na bëri shumë përshtypje:Nëse lidhja me të tjerët në mënyra të thella dhe kuptimplota rrit mirëqenien, atëherë pse njerëzit nuk e bëjnë atë më shpesh në jetën e përditshme?”- pyet Eplej. Përgjigja e shkurtër sipas Eplej dhe kolegëve të tij është “pritshmëria e gabuar”.

Studimi tregoi se bisedat e thella apo sipërfaqësore me të panjohurit përfunduan duke çuar në ndjenja më të mëdha të lidhjes dhe kënaqësisë sesa pritej fillimisht. Atyre që morën pjesë në studim iu kërkua të shkruanin temat e tyre të bisedës, ose iu dhanë disa pyetje për të diskutuar.

Kërkesat përfshinin një larmi të madhe të të dyja subjekteve, nga ato të thella në ato banale. Pra gjithçka nga “A mund ta përshkruani një moment kur keni qarë para një personi tjetër?”. tek “Çfarë mendoni për motin sot?”.Përgjatë të gjitha eksperimenteve, bisedat me të panjohurit ishin më pak të vështira dhe më përmbushëse nga sa pritej nga pjesëmarrësit.

Kjo ishte veçanërisht e vërtetë për bisedat e thella, të cilat krijuan ndjenja më të mëdha të lidhjes në krahasim me bisedat mbi tema më pak të rëndësishme. Në përgjithësi, partnerët e bisedës kujdeseshin më shumë për zbulimet e tyre personale sesa priste personi tjetër. Po ashtu studimi vëzhgoi bisedat me familjen dhe miqtë, duke treguar se këtu pritshmëritë e kujdesit dhe interesit janë më të sakta.

“Qeniet njerëzore janë shumë sociale, ndaj kanë tendencë që të nisin një bisedë me dikë. Në rast se ndani me dikë diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, ka të ngjarë që të merrni në këmbim diçka kuptimplotë dhe të rëndësishme, duke çuar në një bisedë dukshëm më cilësore”- thotë Eplej.

Se çfarë do të thotë e gjitha kjo për ju, herën tjetër kur të uleni pranë një të panjohuri në autobus, është fakti se një bisedë e thellë mund të jetë më shpërblyese sesa mendoni, dhe se personi ngjitur me ju mund të jetë më i interesuar për atë që keni për t’i thënë sesa mund ta prisni.

Sigurisht që ky është një përgjithësim, i bazuar tek eksperimentet me më pak se 2.000 njerëz, ndaj ju ende mund të prisni një reagim të ftohtë nga një i panjohur nëautobus. Por në përgjithësi, si qenie njerëzore ne duket se kemi më shumë seç duhet frikë nga bisedat kuptimplota dhe të thella.

Ka shumë prova se bisedat më të thella çojnë në një lumturi dhe mirëqenie më të madhe, dhe në një qasje më optimiste ndaj tyre mund të sjellë përfitime, pra si për ju ashtu edhe për personin me të cilin po bisedoni. Pasi edhe këta të fundit mund të jenë po aq të etur për t’u hapur sa edhe ju.

“Ndërsa pandemia po largohet,ne të gjithë do të rikthehemi të flasim sërish me njëri-tjetrin, duke qenë të vetëdijshëm se edhe të tjerëve iu pëlqejnë bisedat kuptimplote, të cilat mund t’ju bëjnë të kaloni më pak kohë në biseda sipërfaqësore dhe të keni ndërveprime më të këndshme”-